A ka ardhur koha të analizohet modeli suedez?

Nga Erion Dasho

Vitin e kaluar kur Europa mbyllej prej pandemisë, një vend bëri përjashtim, Suedia. Ndonëse ndryshe nga sa perceptohet, Suedia nuk e la virusin në “gjendje të lirë”. Ndonëse nuk u morrën masa ekstreme kufizuese, ato që mund të përkufizohen si “lockdown” apo “karantinë”, Suedia gjithsesi mori masa të niveleve të ndryshme.

Së pari, Suedia zbatoi me përpikmërinë që e karakterizon trinomin testo-gjurmo-trajto.

Së dyti, u krijua një partnerite me qytetarët, u vendos një komunikim i vazhdueshëm me ta dhe ju kërkua çdo suedezi të merrte përsipër përgjegjësi personale përsa i takon distancimit dhe higjienës. Së fundi, në kuadrin e Bashkimit Europian, Suedia u bë pjesë e programit të vaksinimit dhe sot ka vaksinuar 700 mijë qytetarë ose 7% të popullsisë së vendit.

Ndonëse pa “karantinë”, autoritetet suedeze morrën masa të cilat nga shumë autoritete janë përkufizuar dhe referuar si “masa inteligjente”. Gjithsesi, fakti i mos aplikimit të masave të “lockdown”, mjaftoi për ta etiketuar përafrimin suedez si “herezi” dhe për ta bërë atë objekt sulmi si nga politikanët, ashtu edhe nga komuniteti shkencor.

Por parashikimet e tyre të zymta nuk ishin të mjaftueshme për të tërhequr autoritetet suedeze nga vendimi i marrë. Deklarata epike mbetet ajo e kryepidemiologut të vendit, Dr. Anders Tegnell i cili deklaroi i qetë se llogaritë do të bëheshin pasi të kalonte një vit nga pandemia.

Si është situata sot?

Suedia ka sot një vdekshmëri të deklaruar nga COVID-i, prej 12,800 vdekjesh, ose 127 raste prej 100 mijë banorë. Kjo vdekshmëri e rendit Suedinë në një pozicion rreth mesatares së vendeve të tjera të Europës Perëndimore. Sidoqoftë, në raport me fqinjët nordikë, vdekshmëria e Suedisë është jashtëzakonisht e lartë, 10 herë më e lartë se Finlanda dhe Norvegjia dhe 3 herë më e lartë se Danimarka.

LEXO EDHE  Aksident në aksin Sarandë-Ksamil, makina përmbyset në rrugë

Kur analizohen vdekjet shtesë, Suedia qëndron në raportin 106 vdekje shtesë për 100 mijë banorë (shifra të 31 janarit 2021). Kjo vlerë është sërish rreth mesatares së Europës Perëndimore dhe shumë më e lartë se vendet fqinje.
Përfundimi i sotëm është se politika e masave të relaksuara e ndjekur nga autoritetet suedeze nuk shkaktoi as “katastrofën” e parashikuar nga Kasandrat e shumtë një vit më parë, por as edhe nuk e la të paprekur shoqërinë suedeze nga pandemia. Situata e sotme nuk lejon të thërrasin “fitore” as parashikuesve të zymtë, por as edhe Dr. Tegnell dhe ekipi i vet.

Elementi i fundit që ka mbetur pa analizuar është: cili ishte roli i përafrimit suedez në jetën sociale?
Ajo që mund të thuhet me siguri të plotë është se, ndryshe nga shumica e europianëve të tjerë, suedezët e “jetuan” vitin 2020 dhe kjo nuk është pak. Janë më shumë se 10 milionë vjet të cilët u jetuan pothuajse të plotë dhe të papenguar, ndërkohë që europianët e tjerë mund të thonë me plot gojën se kanë “humbur” ose të paktën nuk kanë jetuar plotësisht 500 milionë vite jetë gjatë vitit 2020.

Një i njohuri im edhe sot kur pyetet për moshën, i zbret asaj 10 vjet, vitet që ka kaluar në burg si i dënuar i ndërgjegjes. Ndoshta edhe europianët e sotëm duhet të heqin vitin 2020 dhe një pjesë të 2021-it nga vitet të cilat kanë jetuar.

Në se e shtron në këtë plan problemin, sërish mund të rikthehet për diskutim pytja “a kishin të drejtë suedezët dhe Dr. Anders Tegnell?”