Basha nderon 22 intelektualët e vrarë 70 vite më parë: Sakrifica e tyre, përkujtesë e rrugës tonë evropiane

Kreu i Opozitës, Lulzim Basha ka përkujtuar ditën e sotme 22 intelektualët e vrarë nga regjimi komunist në vitin 1951.

Basha shkruan se sakrifica e tyre do të na shërbejë gjithmonë si përkujtesë se rrugën evropiane të Shqipërisë na takon ta mbrojmë me çdo kusht.

Si sot, 70 vite më parë regjimi gjakatar i diktaturës komuniste të Enver Hoxhës ekzekutoi pa gjyq dhe me akuza të falsifikuara 22 intelektualë. Arsyeja e vërtetë e këtij krimi ishte frika e regjimit nga forca, formimi dhe reputacioni i shkollimit të tyre në akademitë dhe shkollat më të mira perëndimore.

Sot ne i kujtojmë me dhimbje dhe respekt Ali Qoralliun, Anton Delhysën, Gjon Temalin, Fadil Dizdarin, Gafurr Jegenin, Haki Kodrën, Hekuran Trokën, Jonuz Kaçelin, Luka Rashkoviçin, Manush Peshkëpinë, Mehmet Ali Shkupin, Myftar Jegenin, Niko Lezon, Pandeli Novën, Petro Konomin, Pjerin Guraziun, Qemal Kasoruhon, Reiz Selfon, Sabiha Kasimatin, Tefik Shehun, Thoma Katundin dhe Zyhdi Herrin.

Sakrifica e tyre do të na shërbejë gjithmonë si përkujtesë se rrugën evropiane të Shqipërisë na takon ta mbrojmë me çdo kusht. Ata që e ndërprenë këtë rrugë përpara 70 vitesh dhe të tjerë që duan ta pengojnë sot, do të humbin dhe Shqipëria evropiane do të fitojë”, shkruan ai në një postim në rrjetet sociale.

LEXO EDHE  Dokumenti/ Veliaj shpenzoi qindra milionë lekë për imazhin e tij në kulmin e pandemisë