Gjyqtarja e Gjykatës Kukës do të përballet të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj familjare nga viti 2009 deri në fund të vitit 2016.
Nga BIRN | BIRN | Tiranë
Gjyqtarja Alma Ahmeti do të përballet të premten më 12 shkurt në orën 10:00, në seancë publike në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, me gjetjet e hetimit administrative të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, të përbërë nga Etleda Çiftja, Pamela Qirko dhe Firdes Shuli.
Gjyqtarja Alma Ahmeti e ka fillur karrierën në vitin 2009 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ajo është transferuar në vitin 2010 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës. Në vitin 2016 ajo është emëruar ndihmëse ligjore në Gjykatën e Lartë.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Alma Ahmeti nga viti 2009 deri në fund të vitit 2016. [kliko për skedën në pdf]
Në deklarimin përpara fillimi të detyrës në vitin 2009, subjekti rivlerësimit deklaron pasuri familjare me vlerë 200 mijë lekë, ndërkohë pasuria e saj familjare në vitin 2016 kap vlerën modeste prej 700 mijë lekë.
Kjo pasuri përbëhet nga 225 mijë lekë likuiditete bankare, 200 mijë lekë cash dhe një makinë më vlerë 324 mijë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 12.1 milionë lekë, nga të cilat 50.6% burojnë nga paga e Znj. Ahmeti dhe 45.7% nga pagat e familjarëve. Subjekti deklaron gjithashtu të ardhura nga shitja e pasurive të luajtshme me vlerë 459 mijë lekë.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 7 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” overdraftet në shumë totale 4 milionë lekë, pa specifikuar qëllimin e përdorimit.
Gjithashtu në vitin 2016 subjekti ka deklaruar kontratë shitjeje per shitjen e automjetit e markës audi ngjyrë gri viti I prodhimit 2002, me vlerë 3,400 euro – por ky automjet nuk rezulton i deklaruar më parë në asnjë nga formularët e deklarimit.
Nga deklaratat e vendosura në dispozicion nga ILDKPKI, munge deklarata periodike e viti 2013.
Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi ligjshmërinë e pasurive të subjektit, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
/reporter.al/