Skandali në KPK/ Nuk justifikon 35 mijë USD, konfirmohet në detyrë Marinela Osmani, gruaja e ish-“prokurorit të Geronit”

Nga Boldnews.al

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka konfirmuar në detyrë gjyqtaren Marinela Osmanin (Nuni),  megjithëse u konstatua se ajo kishte mungesë të ardhurash të ligjshme në shumën 3.5 milionë lekëve të reja, si edhe probleme me pagesën e një shume prej 32 mijë euro për blerjen e një apartamenti.

Marinela Nuni, e e cila aktualisht ushtron funksionin e këshilltares ligjore pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, është bashkëshortja e ish-prokurorit të Krimeve të Rënda, Gentian Osmani, i shkarkuar më herët nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit për probleme me pasurinë e familjes.

Ish-prokurori Osmani u konfirmua në detyrë nga shkalla e parë e Vetingut, pavarësisht problemeve të shumta me ligjshmërinë e burimeve financiare për krijimin e aseteve.

Pak para këtij atij konfirmimi të dyshimtë, ish-prokurori Gentian Osmani liroi Geron Xhafaj, vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, nga të gjitha dyshimet për përfshirjen e tij në trafik narkotikësh.

Për shumë ndjekës të pavarur të Vetingut, konfirmimi në atë kohë i Gentian Osmanit, ishte rrjedhojë e qëndrimit të tij pro-Fatmir Xhafaj.

Megjithatë, Kolegji i Posaçëm i Apelimit e vlerësoi tërësisht ndryshëm situatën e ish-prokurorit Osmani.

KPA rrëzoi vendimin e shkallës së parë të Vetingut dhe vendosi shkarkimin nga detyra të Gentian Osmanit, i cili ishte zgjedhur anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

Pasi u rrëzua për herë të parë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit përfshihet sërish në një skandal tjetër, që lidhet po me familjen e juristëve Osmani.

Trupa e përbërë nga kryesuese Etleda Çiftja, relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtare Suela Zhegu, vendosën konfirmimin në detyrë të gjyqtares Marinela Osmani (Nuni), pavarësisht problematikave të theksuara me pasurinë.

Në raportin e rivlerësimit, të paraqitur në seancën dëgjimore të pak ditëve më parë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi se gjyqtarja Osmani (Nuni) nuk justifikonte me burime të ligjshme një shumë prej 3.5 milionë lekë të reja (rreth 35 mijë dollarë) për periudhën 2010-2016.

Po ashtu, KPK konstatoi probleme edhe në pagesën që gjyqtarja Marinela Osmani kishte kryer për blerjen e një apartamenti, me vlere 32.680 euro.

LEXO EDHE  Greqia në alarm/ Shtohet numri i të rinjve të shtruar në spitale nga koronavirusi

Përballë këtyre gjetjeve, gjyqtarja Osmani u mbrojt, duke deklaruar se të njëjtat problematika i janë konstatuar edhe bashkëshortit të saj, Gentian Osmani, gjatë procesit të rivlerësimit të kryer ndaj tij.

Subjekti u mbrojt, duke pretenduar se problemet e raportuara nga KPK, janë relatuar edhe më herët për bashkëshortin e saj, i cili është shkarkuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Sipas gjyqtares Osmani, përsa kohë këto shkelje kanë shërbyer si shkak për largimin e bashkëshortit të saj nga sistemi i drejtësisë, atëherë ato probleme duhen konsideruar si “gjë e gjykuar”, parim në bazë të të cilit nuk mund të hetohet dy herë për të njëjtat fakte.

Ndërkohë që ende nuk është zbardhur vendimi i plotë, duket se argumentat e “gjë-së së gjykuar”, të paraqitura nga gjyqtarja Marinela Osmani (Nuni) kanë bindur trupën gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të vendosur konfirmimin e saj në detyrë.

KPK, dy herë shkelje

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duket se ka një lloj “afeksioni” për ish-prokurorin Gentian Osmani, sidomos pasi ky i fundit ndihmoi ish-Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, që të hiqte “njollën penale” në ngarkim të të vëllait, Agron (Geron) Xhafaj.

Për shumë zyrtarë të sistemit të drejtësisë, por edhe në korridoret politike, është përmendur shpesh se komisionerët e Vetingut janë përzgjedhur me një lloj “bekimi” nga Fatmir Xhafaj, ish-drejtuesin i Komisionit për hartimin e Reformës në Drejtësi.

Këto dyshime duket se konfirmohen plotësisht në rastin e procesit të rivlerësimit të Gentian Osmanit dhe bashkëshortes së tij, Marinela Osmani (Nuni).

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi Gentian Osmanin, me një vendim i cili u rrëzua plotësisht nga Kolegji i Posaëm i Apelimit.

Por, nuk mjaftoi kjo shkelje. KPK vendosi të konfirmojë në detyrë edhe bashkëshorten e Gentian Osmanit, pavarësisht se iu zbuluan probleme të theksuara me pasurinë, të një niveli shumë më të lartë se sa diferencat e konstatuara në rastet e shumë gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë të larguar tashmë nga sistemi i drejtësisë.

Lexo edhe:

https://boldnews.al/2019/07/31/e-plote-kpa-shkarkon-gentian-osmanin-anetarin-e-klp-se/