Nga vlerësimet empirike konfirmohet ekzistenca e një korrelacioni midis pasigurisë së situatës së pandemisë dhe rritjes së depozitave të kursimeve.
Një ndër pasojat kryesore globale të pandemisë vazhdon të jetë pasiguria në ekonomi, e reflektuar nga ndryshimi i sjelljes së konsumatorëve dhe bizneseve, kryesisht në rritjen e prirjes për të kursyer kundrejt prirjes për të konsumuar apo për të investuar.
Një dukuri e tillë konfirmohet edhe nga statistikat e Bankës Qendrore Europiane, duke krahasuar nivelin e depozitave të vitit 2020 me ato të vitit paraardhës, madje duke e cilësuar këtë prirje për të kursyer “në nivele të paprecedenta, si përgjigje ndaj COVID-19” (European Cental Bank, 2020). Kjo rritje e prirjes për të kursyer lidhet kryesisht me dy faktorë: kursimi i pavullnetshëm dhe kursimet parandaluese (termi origjinal: precautianory savings).
Dukuria e kursimit të pavullnetshëm ka ardhur për shkak të ndryshimit të stilit të jetesës dhe konsumit si pasojë e masave shtrënguese, apo karantinës, ndërsa kursimet parandaluese janë kursimet që vijnë si pasojë e rritjes së pasigurisë në ekonomi, rritjes së papunësisë, dhe frikës që individët kanë për sigurimin e të ardhurave në të ardhmen apo ruajtjen/rifitimin e vendit të tyre të punës.
Duke qenë se rritja e prirjes për të kursyer është një dukuri që shoqëron përgjithësisht sjelljen e konsumatorëve gjatë krizave, është me interes që të analizohet se si reflektohet kjo dukuri në ekonominë shqiptare, dhe sa ndikim ka pasiguria e situatës së pandemisë në këtë sjellje të konsumatorëve.
Për këtë qëllim, në këtë artikull fillimisht do të paraqitet situata e depozitave të parasë së gjerë dhe depozitave me likuiditet të lartë (pa afat), duke krahasuar vlerat mesatare mujore përkatëse të viteve 2019 dhe 2020. Më pas, duke përdorur numrin e rasteve ditore të pacientëve të konfirmuar me COVID-19, numrin e vdekjeve ditore nga COVID-19, si dhe situatën e masave shtrënguese të vendosura nga qeveria, do të verifikohet edhe nëse ka një lidhje midis variablave që përcaktojnë pasigurinë e situatës së pandemisë me ndryshimin e nivelit të kursimeve.
Situata e depozitave të kursimeve në Shqipëri
Niveli i depozitave të parasë së gjerë për vitin 2020 ka shënuar rritje të konsiderueshme në krahasim me vitin paraardhës. Në depozitat e parasë së gjerë përfshihen depozitat e transferueshme, depozitat me likuidet të lartë dhe depozita të tjera nga: qeveria lokale dhe administrata publike, korporata jofinanciare publike, korporata të tjera financiare, korporata të tjera jofinanciare dhe sektorë të tjerë rezidentë.
Në Grafikun 1. paraqitet totali i depozitave të parasë së gjerë për vitet 2019 dhe 2020, bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë. Për vitin 2020, të dhënat e përditësuara janë deri në muajin nëntor. Sikurse vërehet edhe nga grafiku, niveli i depozitave të parasë së gjerë ka shënuar rritje krahasimisht me vitin 2019, duke filluar që nga muaji janar, pra përpara se vendi ynë të përballej me pandeminë.
Por, në muajin mars, që korrespondon edhe me pandeminë dhe masat shtrënguese në vend, vërehet një rritje e menjëhershme e depozitave të parasë së gjerë nga 1,041,844 milionë lekë, në 1,071,848 milionë lekë. Rritja e menjëhershme lidhet edhe me forcimin e përkohshëm të euros (depozitat raportohen në lekë).
Më pas, në prill, depozitat e parasë së gjerë bien në norma të ngjashme me ato të muajit shkurt dhe ndjekin një trend rritës, i cili është më i theksuar pas muajve të verës. Sërish, kjo mund të lidhet me rritjen e pasigurisë së situatës së pandemisë, e reflektuar edhe në rritjen e rasteve të reja ditore dhe numrit të vdekjeve në muajt e vjeshtës.
Në Grafikun 2., paraqiten vlerat e depozitave me likuiditet të lartë (pa afat) për vitet 2019 dhe 2020 (deri në muajin nëntor, të shprehura në milion lekë). Sikurse vërehet nga grafiku, ekziston një rritje e përgjithshme dhe e qëndrueshme e depozitave me likuiditet të lartë krahasuar me vitin 2019. Në muajin mars të vitit 2020, këto depozita pësuan rënie të lehtë nga 44,266 milionë lekë, në 43,738 milionë lekë, gjë e cila nuk korrespondon me rritjen e menjëhershme të depozitave të parasë së gjerë në po të njëjtën periudhë.
Më pas, vërehet një rritje graduale e këtyre depozitave, e cila lidhet edhe me preferencën për ruajtjen e kursimeve në forma me likuiditet të lartë, duke marrë parasysh edhe vazhdimin e pasigurisë së situatës me pandeminë.
Ndikimi i pasigurisë në nivelet e kursimeve
Për të vlerësuar në mënyrë empirike ndikimin e pasigurisë së krijuar nga situata e pandemisë në nivelin e përgjithshëm të kursimeve, kam përdorur tre variabla, si një mënyrë për të matur perceptimin mbi pasigurinë: numrin e rasteve të reja ditore të konfirmuara me COVID-19, numrin e vdekjeve të shkaktuara nga COVID-19, si dhe një variabël binar që tregon praninë ose jo të masave shtrënguese, për të mbajtur nën kontroll pandeminë (karantina). Për të kryer këtë vlerësim kam përdorur të dhënat që i korrespondojnë periudhës shkurt-nëntor 2020.
Të dhënat, që lidhen me nivelin e depozitave të parasë së gjerë dhe depozitave pa afat, janë në nivel mujor, ndërsa të dhënat që u korrespondojnë variablave që masin pasigurinë janë në nivel ditor. Duke qenë se të dhënat që i korrespondojnë variablit të varur (depozitat) janë të censuruara (pra janë në nivel mujor dhe jo ditor), kam përdorur modelin Tobit për vlerësimin e regresionit. Formalisht modeli paraqitet si më poshtë:
(1) = + + + +
Në regresionin e mësipërm, variabli i varur është depozitat, ku fillimisht do të përdoren depozitat e parasë së gjerë si variabël i varur, dhe më pas depozitat pa afat. Koeficienti i është konstantja, koeficientët , , dhe janë koeficientët e variablave shpjegues të pasigurisë, të cilët tregojnë korrelacionin dhe magnitudën e këtij korrelacioni me variablin e varur, ndërsa është termi i gabimit.
Rezultatet e vlerësimit empirik të regresionit, sipas modelit Tobit, janë paraqitur në Tabelën 1. Në kolonën e dytë paraqiten rezultatet e regresionit me “depozitat e parasë së gjerë” si variabël të varur, ndërsa në kolonën 3 paraqiten rezultatet e regresionit me “depozitat pa afat” si variabël të varur. Nga vlerësimet rezulton se rritja e rasteve ditore, me një njësi (një rast) shoqërohet me rritje të depozitave në paranë e gjerë me 115.4 lekë dhe rritje të depozitave pa afat me 17.7 lekë. Këta koeficientë janë statistikisht të rëndësishëm në nivelin 1%.
Ky është një tregues se pasiguria e vazhdueshme e situatës së pandemisë shoqërohet me rritje të kursimeve në total, por edhe me rritje të kursimeve në formë më likuide. Për sa i përket variablit tjetër që është përdorur për të matur pasigurinë, numrit të vdekjeve ditore nga COVID-19, ekziston një lidhje pozitive e këtij treguesi me depozitat totale, si dhe me depozitat pa afat. Rritja e numrit të vdekjeve me 1 rast ditor shoqërohet me rritje të depozitave totale me 974.2 lekë, si dhe me rritje të depozitave pa afat me 84.2 lekë.
Këta koeficientë janë statistikisht të rëndësishëm në nivelin 5%. Fakti që të dy treguesit e përdorur si matës të pasigurisë për situatën e pandemisë shoqërohen me rritje të nivelit të depozitave si në paranë e gjerë, ashtu edhe në depozitat pa afat, mund të shërbejë si tregues i pranisë së motivit të kursimeve parandaluese. Duke marrë parasysh vijimësinë e pasigurisë së situatës, tregues i së cilës është rritja e vazhdueshme e numrit të rasteve ditore dhe vdekjeve, individët priren të rrisin kursimet në mënyrë që t’u paraprijnë vështirësive ekonomike në të ardhmen.
Variabli tjetër, i cili është përdorur për të matur pasigurinë është ai i masave shtrënguese të vendosura nga qeveria. Ky variabël binar merr vlerën 0, për ditët në të cilat nuk ka pasur karantinë dhe vlerën 1, për ditët në të cilat ka pasur karantinë të detyruar për të gjithë individët.
Në rastin e regresionit të parë, ku variabli i varur është “depozitat e parasë së gjerë”, koeficienti i vlerësuar i këtij variabli është pozitiv, por jo i rëndësishëm statistikisht. Ndërsa në rastin e regresionit me “depozitat pa afat” si variabël të varur, koeficienti i vlerësuar, që i korrespondon “karantinës”, është negativ dhe statistikisht i rëndësishëm në nivelin 1%. Interpretimi i këtij koeficienti tregon se prania e masave shtrënguese të karantinës shoqërohet me rënie të depozitave pa afat me 579.1 lekë.
Në pamje të parë, ky rezultat duket kundërintuitiv, pasi duke qenë se pasiguria e situatës shoqërohet me rritje të kursimeve sikurse u konfirmua nga vlerësimet e koeficientëve të variablave të rasteve dhe vdekjeve ditore, edhe për faktorin e karantinës do të ishte e pritshme që të shoqërohej me rritje dhe jo rënie të kursimeve. Por, ky rezultat mund të shpjegohet nga dy faktorë. Së pari, korrelacioni negativ i karantinës me depozitat është i pranishëm vetëm në rastin e depozitave pa afat, pra me likuiditet të lartë.
Kjo shpjegohet me faktin se gjatë karantinës është rritur prirja e individëve apo bizneseve/institucioneve të tjera, për të tërhequr kursime nga depozitat e tyre likuide, në mënyrë që të përballojnë vështirësimin e situatës së tyre ekonomike. Më tej, pas karantinës, por me vazhdimin e situatës së pasigurt, individët kanë zgjedhur të ruajnë kursimet e tyre në formën e depozitave likuide, duke qenë se kjo u lejon atyre që t’i tërheqin ato në raste emergjence.
Së dyti, variabli i karantinës i referohet vetëm periudhës në të cilën vendi u përball me izolimin total dhe pezullimin e shumë aktiviteteve ekonomike. Kjo periudhë mund të konsiderohet si pika kritike ku ekonomia mori goditjen më të rëndë. Megjithatë, paqartësia për të ardhmen dhe pasiguria ekonomike po vazhdon edhe shumë kohë pas karantinës, dhe për këtë arsye ky variabël nuk mund të shërbejë si matës i vetëm i pasigurisë.
Si përfundim, nga vlerësimet empirike të mësipërme konfirmohet ekzistenca e një korrelacioni midis pasigurisë së situatës së pandemisë dhe rritjes së depozitave të kursimeve. Ky rezultat lidhet kryesisht me kursimet parandaluese që individët apo bizneset bëjnë për t’i paraprirë përkeqësimit të situatës ekonomike në të ardhmen. Megjithatë, gjatë interpretimit të rezultateve duhet pasur parasysh fakti se një pjesë e individëve zgjedhin të mos i depozitojnë kursimet në banka, gjë që e bën të pamundur përfshirjen në analizë të kësaj pjese të kursimeve./Monitor/