Në vendimin e arsyetuar, tre gjyqtarë në shumicë i rrëzuan pretendimet e Komisionerit ndaj prokurorit të Apelit Shkodër, Elvin Gokaj, ndërsa pakica argumenton se konfirmimi është arbitrar dhe se u cenua standardi i vendosur më parë nga KPA.
Trupi gjykues i Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi me shumicë votash më 18 nëntor 2020 që të ndryshojë vendimin e Komisionit dhe të konfirmojë në detyrë prokurorin e Apelit të Shkodrës, Elvin Gokaj.Procesi në Kolegj u zhvillua nga trupa gjykuese e drejtuar nga Natasha Mulaj, me relatore Albana Shtylla dhe anëtarë Rezarta Schuetz, Ardian Hajdari dhe Sokol Çomo.
Në shkallë të parë, prokurori Gokaj u pezullua për një vit me detyrimin për t’u trajnuar në Shkollën e Magjistraturës.
Vendimi i KPK-së u ankimua si nga Komisioneri Publik, Darjel Sina ashtu edhe nga subjekti dhe në përfundim, problemet e identifikuara për pasurinë nuk u gjetën shkarkuese nga shumicat e trupës gjykuese.
Debati për depozitat dyemërore
Debati mes anëtarëve të trupit gjykues të Kolegjit u zhvillua më së shumti lidhur me posedimin ‘de facto’ ose jo të pjesës takuese të bashkëshortes së subjektit në depozitat dyemërore të kësaj të fundit me nënën e saj dhe vjehrrën, të çelura dhe zotëruara gjatë periudhës 2010-2016.
Anëtarët në shumicë, Albana Shtylla, Ardian Hajdari e Sokol Çomo i rrëzuan shkaqet e Komisionerit lidhur me mosdeklarimin e këtyre depozitave, si dhe pamundësinë financiare në shumën 1.9 milionë lekë për të mbuluar me të ardhura të ligjshme shpenzimet dhe kursimet e krijuara gjatë kësaj kohe.
Në ankim, Sina pretendoi gjithashtu se Gokaj dhe bashkëshortja e tij kishin qenë në pamundësi financiare në vlerën 2.3 milionë lekë për krijimin e pjesës së tyre takuese 50% në këto depozita.
Por prokurori Gokaj shpjegoi se nuk kishte investuar apo përfituar ndonjë gjë nga këto depozita të krijuara nga familjarët e tyre, por se bashkëshortja kishte kryer veprime për t’i ndihmuar për shkak të lidhjes së posaçme që kishin.
Ashtu si KPK, edhe Kolegji vlerësoi se bashkëshortja e Gokajt, ‘de jure’ ka qenë në cilësinë e titullares së llogarive bankare dyemërore me nënën e saj, znj. L. P. dhe nënën e subjektit, znj. S. G.
Pavarësisht këtij përfundimi, shumica argumenton se prindërit e subjektit të rivlerësimit dhe nëna e bashkëshortes së tij kanë vërtetuar me dokumentacion provues aftësinë financiare të tyre për të krijuar këto depozita në pjesën 100% të tyre, si dhe vëren se ky konstatim është pranuar si i drejtë edhe nga Komisioneri Publik.
Në vijim, shumica konstaton se nuk ka rezultuar që Gokaj dhe bashkëshortja e tij të kenë kontribuar në krijimin dhe gjendjen e këtyre depozitave ndër vite.
Tre gjyqtarët sjellin si argument faktin se është provuar që depozita dyemërore e çelur nga bashkëshortja e Gokajt dhe nëna e saj, ka kaluar afatin e maturimit në vitin 2013 dhe se kjo e fundit e ka tërhequr gjithë shumën personalisht. Ata argumentojnë se edhe nëna e subjektit, në qershor të vitit 2016, ka kaluar në llogarinë e saj personale të gjithë kapitalin e depozitave dyemërore që kishte me bashkëshorten e të birit. “[…]çka krijon bindjen se kapitali në llogaritë dyemërore ka qenë në pronësi të saj,” shprehet shumica.
Kolegji konstaton se nuk ka rezultuar asnjë e dhënë që prokurori Gokaj apo bashkëshortja e tij të kenë kontribuar në krijimin e këtyre depozitave apo përdorur të ardhura prej tyre për shpenzime ose për të krijuar ndonjë pasuri.
Ndryshe nga shumica, pakica vlerëson se prokurori Gokaj nuk arriti të provojë pretendimin se depozitat bankare dyemërore nuk përbëhen nga mjete monetare të cilat i përkasin atij dhe bashkëshortes.
Sipas Mulajt dhe Schuetz, nga analiza e kryer në Kolegj rezultuan rrethana faktike thuajse absurde, pasi të ardhurat e depozitave kaluan mes dy individëve në marrëdhënie krushqie me njëri-tjetrin, nga llogaria e nënës së bashkëshortes së subjektit tek ajo e nënës së subjektit.
Dy gjyqtaret e KPA-së ngritën dyshime se prokurori Gokaj kishte lidhje me këto depozita dhe evidentuan “mungesë sinqeriteti” në shpjegimet e tij.
“Në kushtet kur prindërit e subjektit të rivlerësimit jetojnë në një vend të Bashkimit Evropian, shumica nuk analizoi dhe subjekti nuk shpjegoi cili ishte motivi i prindërve të tij për të investuar në depozita kursimi në lekë në Republikën e Shqipërisë apo pse asnjë nga bankat në Republikën Italiane nuk ofronte motivim financiar të mjaftueshëm për të kryer të njëjtat investime me fitim,” konstatojnë Mulaj dhe Schuetz.
Ato e quajnë si intepretim të gabuar të ligjit dhe fakteve qëndrimin e shumicës se Gokaj dhe bashkëshortja e tij nuk gjenden në kushtet e mungesës së burimeve finanicare për periudhën 2010-2016, pasi nuk rezultoi që ata të kishin kontribuar në krijimin dhe gjendjen e këtyre depozitave.
“Duket se bazohet kryekëput në një interpretim arbitrar, bazuar vetëm mbi ‘posaçmërinë’ e lidhjes mes subjektit të rivlerësimit dhe personave të tjerë të lidhur, e në anashkalim të qartë të konceptit që qëndron në themelet e kontrollit të pasurisë së zyrtarëve, përfshirë edhe praktikat e fshehjes së pasurisë prej këtyre të fundit në emër të familjarëve,” konstaton pakica.
Mulaj dhe Schuetz shtojnë se shumica hesht për kontradiktën në argumentet e subjektit dhe se pranimi i pretendimit deklarativ të tij se bashkëshortja ishte në cilësinë e personit të besuar dhe jo pronare në një masë të caktuar të vlerës monetare të depozituar, ndërkohë që ka hapur depozita dyemërore me dy persona të lidhur, sfidon logjikën.
Pretendimet e prokurorit Elvin Gokaj se nuk kishte pasur dijeni për të paktën 5 vjet lidhur me depozitat dyemërore të krijuara nga bashkëshortja me nënën e tij dhe nënën e saj, konsiderohen prej pakicës se bien ndesh me detyrimet e tij ligjore si subjekt deklarues, se sfidojnë logjikën dhe shkojnë në kufijtë e qesharakes.
Duke i konsideruar të drejta parashtrimet e Komisionerit Publik se Gokaj duhej të kishte deklaruar depozitat e përbashkëta dyemërore dhe se ata nuk mbulojnë me të ardhura të ligjshme shpenzimet dhe kursimet e krijuara gjatë këtyre viteve, Mulajt dhe Schuetz konkludojnë se subjekti dhe bashkëshortja e tij rezultojnë me mungesë burimesh për krijimin e depozitave dyemërore në vlerën 3.5 milionë lekë, nëse do të cilësoheshin si bashkëpronarë. Sipas pakicës, teorikisht, balanca negative shkon në vlerën 7 milionë lekë.
Vlerësimi ndryshe për apartamentin
Shumica e trupës gjykuese të KPA-së pranon në vendim se prokurori i Apelit të Shkodrës, Elvin Gokaj ka kryer deklarim të pasaktë për pagesën e këstit të parë të një apartamenti, por e konsiderojnë këtë si element të pamjaftueshëm për shkarkim.
Shumica ka rrëzuar edhe shkakun tjetër në ankimin e Komisionerit Publik lidhur me mospasqyrimin në deklaratën veting të një shume 10 mijë euro të marrë hua nga E.N., që ka shërbyer për pagesën e këstit të dytë të apartamentit.
Lidhur me këtë shkak, shumica konstaton se Gokaj ka shënuar në deklaratën periodike të vitit 2014 shlyerjen e këstit të fundit ndaj shoqërisë, si dhe shlyerjen e borxhit ndaj E.N. dhe e konsideron si një mosdeklarim të pasaktë që nuk mund të sjellë shkarkimin.
Mulaj dhe Scuetz në pakicë, theksojnë se konkluzioni i shumicës se mungesa financiare në vlerën 838 mijë lekë nuk mund të jetë penalizuese është i pabazuar në ligj dhe bie ndesh qartë me jurisprudencën e mëparshme të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Gjyqtaret çmojnë se shumica nuk e argumentoi dot se përse është e pamjaftueshme për shkarkim mungesa e burimeve financiare për pagesën e këstit të parë në shumën 838 mijë lekë, kur sipas tyre kjo vlerë përbën 33% të të ardhurave në total të subjektit të rivlerësimit dhe të bashkëshortes për vitin 2008, 31% të të ardhurave të vitit 2009 dhe 150% të të ardhurave për katër muajt e parë të vitit 2009, kur ka ndodhur pagesa.
“Sjellim në vëmendje se Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur shkarkim apo ka lënë në fuqi vendime të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për deklarim të pamjaftueshëm të kriterit të pasurisë[…], në një numër çështjesh në të cilat mungesa e burimeve të ligjshme brenda një viti ka qenë në nivele shumë më të ulëta sesa kjo vlerë, përkatësisht 421.178 dhe 383.889 lekë,” evidentojnë Schuetz dhe Mulaj dhe theksojnë se mungesa e burimeve për pagesën e këstit të parë në vitin 2009 duhej të ishte cilësuar deklarim i pamjaftueshëm, në përputhje edhe me jurispudencën e vetë KPA-së.
Gjithashtu, pakica vlerëson se duhej të ishte konkluduar për deklarim të pamjaftueshëm edhe mosdeklarimi i huasë 10 mijë euro.
Mulaj dhe Schuetz sjellin në vëmendje vendimin për shkarkimin nga detyra të ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha, që sipas tyre u penalizua edhe për shkak të deklarimit të pasaktë të një huaje që kishte shërbyer për të krijuar pasuri, që e kishte shlyer në momentin kur kishte plotësuar deklaratën veting. /BIRN/