Nga Genc Pollo
Që prej dy javësh llogaria ime në Twitter më është bllokuar. Më duket me interes të shpjegoj sesi ndodhi. Në 9 janar, një ditë mbasi Twitteri vendosi të mbyllë llogarinë e Presidentit të Shteteve të Bashkuara unë postova një citim nga filozofi amerikan Noam Chomsky:
‘Nëse jeni për lirinë e shprehjes, atëherë të jeni veçanërisht ndaj pikëpamjeve të cilat ju i përbuzni. Përndyshe ju nuk jeni për lirinë e fjalës’. Shtova se ka një citat të ngjashëm nga komunistja gjermane e kohës së Luftës së Parë Botërore, Roza Luxemburg dhe e përfundova me hashtagun #deplatforming. Me qëllim citova majtistë teksa tërthorazi desha të shpreh mosaprovimin tim për dëbimin e Trumpit nga twittosfera. Një orë më vonë postova një video 38-sekondëshe që më dërguan nga njësia për marrëdhëniet me publikun e partisë. Aty paraqitej përmbytja para disa ditësh e lungomares dhe e disa lagjeve në Vlorë, ndërsa në audio ishte zëri i Edi Ramës nga një fjalim gjatë inspektimit të lungomares, investimit kryesor në zonën elektorale të tij. Mesa duket kanalizimet ishin neglizhuar ose edhe mungonin fare. Në video të vetmit njerëz që shfaqeshin ishin dy punëtore ne mes të rrugës ku uji arrinte mbi gju si dhe Rama me kryebashkiakun duke ngritur dolli me një gotë raki; secila zgjaste dy-tre sekonda.
Pak minuta më vonë mora një njoftim nga Twitteri: ‘Llogaria juaj @gencpollo është bllokuar sepse shkeli rregullat e Twitter-it. Konkretisht sepse postoi video që paraqiste dhunë seksuale dhe/ose goditje/rrahje. …Procedoni më tej në Twitter për të ndrequr këtë problem të llogarisë tuaj’.
Procedova duhësisht dhe m’u ofruan dy opsione: ose të fshija menjëherë videon dhe llogaria do të më riaktizohej, ose të apeloja bllokimin. E shikova sërish videon: as dy punëtorët me këmbë zhytur në ujë dhe as ofiqarët me gotë rakie nuk mund të përshkruheshin as si dhunë seksuale e as si goditje/rrahje. Zëri i Ramës dukej vende-vende si prej gogoli, por prapë asnjë mendje e shëndoshë nuk do e quante atë ‘dhunë seksuale dhe/ose goditje/rrahje’.
Mbeta pa fjalë e nuk doja të besoja se një monitor-njeri apo një software kontrolluese do të mund të bënte kësilloj ngatërrese. Dhe çfarë koincidence e çuditshme: fill mbas postimit me Chomsky-n e Luxemburg-un.
Sidoqoftë, unë kisha një zgjedhje për të bërë: të fshija videon dhe të rimarr llogarinë time që do të ishte një rrëfim i rremë, që të kujton gjyqet e epokës komuniste; ose të apeloja, duke besuar në procedurat e brendshme të Twitter dhe veprimin e tyre të shpejtë. Unë zgjodha të dytën.
Tetëmbëdhjetë ditë më vonë, ndërsa shkruaj këto rreshta, llogaria ime është akoma e bllokuar dhe unë nuk mund të shoh kutinë e Mesazhit Direkt të cilin shpesh e përdor për komunikime private dhe profesionale. Miqtë e mi avokatë më këshillojnë të padis Twitter-in në gjykatë; kjo, megjithë gjendjen e keqe të gjyqësorit shqiptar pas një reforme plot keqkonceptime që i ka lënë gjykatat të shastisura. Ndërsa po shqyrtoj hapat e mia të mëtejshëm këtu keni disa konsiderata:
Twitter, Facebook e disa rrjete sociale të tjera janë bërë platforma kryesore e komunikimit jo vetëm midis njerëzve, por edhe midis politikanëve të zgjedhur dhe publikut. Ato korrespondojnë disi me tellallin e qytetit në shekullin e 18-të gazetat e përditshme në shekullin 19-të dhe radio-televizionin në shekullin e 20-të.
Me ardhjen e demokracisë, në këto media tradicionale filloi të kishte vend për kritikat ndaj qeverisë, pikëpamje politike alternative e aktivizëm të opozitës. Por a do të kishin të drejtë këto media, nëse kështu do të vendosnin gjë që është e pamendueshme, të censuronin Mbretin ose Presidentin dhe ta justifikonin këtë veprim si shërbim të tyre për interesin e përgjithshëm? Pa përgjegjësi, llogaridhënie dhe transparencë të vendimmarrjes? Ndërsa Twitter, i ndjekur nga Facebook dhe të tjerët, ka vepruar duke mos marrë parasysh këshillat e Chomsky-t, si mund të jemi të sigurt se ata nuk ishin të motivuar nga pikëpamjet ideologjike të tyre dhe madje edhe nga interesat tregtare të tyre? A duhet që demokracitë tona të transferojnë pa kushte vendimet politike kryesore tek ‘Big Tech’ që është jo-transparent e monopolistik? Apo duhet t’i mbajnë ato në lëmin e procedurave kushtetuese dhe të institucioneve shtetërore? Unë do të isha konservator në këtë gjë.
Nga ana tjetër, nevoja për rregullore për rregullat dhe algoritmet e platformave kryesore kur trajtojnë përmbajtje të paligjshme dhe keqinformim të dëmshëm lipset të përmbushet. Mbasi këto kanë kontribuar në dasitë malinje dhe në frustrimin brenda shoqërive tona si dhe në mosbesimin ndaj institucioneve demokratike. Por pa sakrifikuar lirinë e shprehjes! Propozimet e fundit nga Komisioni Evropian në Aktin e Shërbimeve Digjitale përmbajnë ide të mira dhe kanë një qasje të matur.
Sidoqoftë nuk duhet të harrojmë efektin çlirues të mediave sociale në vende si Shqipëria ku qeveria ka arritur të heshtë kritikat dhe pikëpamjet e tjera në shumicën e mediave tradicionale. Facebook dhe platforma të tjera janë bërë vitet e fundit vendi i ri dhe i hapur i shkëmbimit demokratik të mendimeve të cilin partia në pushtet nuk mund ta censurojë. Jo se nuk po përpiqen. Taborret e trollsave të paguar me taksapara rreken të përdorin çdo procedurë raportimi dhe abuzojnë me të drejtat e autorit për të hequr postimet dhe llogaritë që nuk u pëlqejnë. Por ende, media sociale mbetet një hapësirë e rëndësishme e lirisë dhe duhet të qëndrojë e tillë në të ardhmen.
*Genc Pollo është ish-kryetar i Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Median dhe gjithashtu i Integrimit Evropian, ish Zëvendës Kryeministër, Ministër i Arsimit, Ministër i Telekomit dhe IT.