Nga Ilir Kalemaj
Kemi hyrë në stinën e nxehtë ku rreth tre muaj nga ndajnë nga ajo që “kasandrat” e politikës dhe medias kanë parashikuar përsa i përket kumtit të ri politik. Nga njëra anë kemi një qeverisje të kapluar nga skandalet, të lodhur nga mosefikasiteti, të drobitur nga mungesa e rezultateve, të ngecur në mes të një krize sa shëndetësore, aq edhe ekonomike dhe sociale.
Gjysma e Shqipërisë është nën ujë, ndërkohë që shtresa e mesme po rrëshket me shpejtësi në sinoret e varfërisë dhe paradoksalisht cmimet e imobiliareve po kapin kufijtë e rrokaqiejve. Mospërputhje absurde që mund të ndodhin vetëm në Albanistan. Për rrjedhojë kjo qeveri as mund të funksionojë për të zgjidhur ngërçin ekonomik, as mund të garantojë rend dhe siguri, as mund të shpëtojë vendin nga plagët sociale dhe as të ofrojë shpresë për zgjedhje të pakapura dhe të pa manipuluara qysh në start.
Por me të drejtë shtrohet pyetja: a janë dhe sa janë të përgatitura palët për të hyrë në fushatën që realisht ka filluar? Po elektorati? Për ta filluar nga partitë, duhet thënë se nga njëra anë kemi Partinë Socialiste që vjen me gjithë disavantazhet që renditëm më lart si dhe konsumin vetvetiu nga pushteti por edhe me një bilanc historik që i shkon kundër pasi asnjë parti përgjatë tranzicionit 30-vjeçar nuk ka rezistuar më shumë se dy mandate të plota.
Por edhe mungesa e freskisë të paktën në kabinetin qeveritar, kur u tentuan figura as politike, as teknokratike dhe dështuan me sukses duke i’u rikthyer edhe njëherë figura të konsumuara të fillim mandatit të 2013-ës. Me po ato premtime të pambajtura. Por edhe me disa avantazhe që PS si forcë e mirë-strukturuar politike, me shtrirje kapilare dhe qelizore në çdo skaj të republikës, me një nivel organizimi për të pasur zili dhe me një digjitalizim të antarësisë, natyrisht hyn në çdo palë zgjedhje me pretendimin për të qenë forcë e parë. Kjo ngelet për t’u testuar si hipotezë në zgjedhjet e 25 prillit.
Nga ana tjetër, PD hyn në zgjedhje si forca kryesore opozitare, e cila ka pak për të humbur dhe shumë për të fituar nga zgjedhjet e prillit. Së pari, ka siguruar mekanizmat e duhur të identifikimit biometrik dhe elementë të tjerë të numërimit elektronik dhe pilotimit të votimit elektronik në një qark të caktuar si dhe të tjera garanci institucionale për mbrojtjen e votës (duke përfshirë atë të emigrantëve) pa të cilat votimi në vetvete do sillte një rezultat minimalisht të diskutueshëm. Së dyti, ka risjellë në vëmendjen e publikut dhe të medias, probleme akute të qeverisjes, nga ekonomia te siguria, nga problemi akut i zvogëlimit të numrit të popullsisë e nxitur kryesisht nga emigrimi në masë te kostot gjithnjë e më të papërballueshme të jetesës për një familje mesatare shqiptare.
Natyrisht duke pasur në favorin politik që me përjashtim të Zelandës së Re që e menaxhoi shkëlqyeshëm krizën e koronavirusit pothuajse nuk ka raste të tjera të përballimit me sukses politik të qeverive aktuale qysh prej fillimit të krizës pandemike rreth një vit më parë. Mjaft të shohim Italinë fqinje kur një debat mbi mënyrën se si do prioritizoheshin qindra miliardë euro grante nga Bashkimi Europiane sollën dhe rënien e qeverisë Konte dhe një krizë momentale institucionale. Në Shqipërinë problematike, me deficit të shtuar buxhetor dhe një borxh publik që ka kapërcyer për herë të parë në histori kufijtë e 82 përqindëshit situata është ku e ku më dëshpëruese dhe kërkon për realitete të reja politike.
Ndërsa në lidhje me zgjedhjet e elektoratit do veçoja atë që dy politologë të famshëm amerikanë Cristopher Achen dhe Larry Bartels në një libër të sapopublikuar “Demokracia për Realistët” kanë avancuar një “teori grupi” për demokracinë dhe shtetin. Ata e vënë theksin mbi besnikërinë e grupit dhe ndaj partisë si më të rëndësishme se preferencat mbi politikat dhe ndasitë ideologjike, në kalkulimet e votuesve.
Pra e kthejnë kokëposhtë paradigmën e famshme të Rilindjes Europiane, liberalizmit britanik apo progresivizmit amerikan që kanë kthyer deri në kult arsyen njerëzore dhe kultin e individualizmit, duke theksuar se jeta njerëzore dhe për rrjedhojë dhe veprimet që ndërmerren janë të influencuara nga rrethi shoqëror, politik apo ekonomik i qytetarit të sotëm. Për shumicën e njerëzve sipas tyre, të përkiturit në një grupim politik nuk është e lidhur me ideologjinë se sa me kulturën e grupit që kërkon të përbashkohet me njerëz të ngjashëm me veten. Kjo kulturë grupi ka bërë që në SHBA për shembull, në çdo palë zgjedhje presidenciale, secila nga dy partitë e mëdha ta nisi fushatën me rreth 45 përqind të votuesve “në xhep” duke luftuar për ata 10 përqind të pavendosur që synohen të tërhiqen nëpërmjet përzgjedhjes së një simbolike politike sa më përfaqësuese.
Në vendet me sisteme zgjedhore proporcionale, me sisteme më plurale dhe të fragmentarizuara politike, si gjerësisht në Europë dhe natyrisht te ne, thyerrjet dhe përthyerjet e votës janë vështirë të parashikohen jashtë kontureve të koalicioneve para dhe pas zgjedhore. Pra ndonëse PD dhe PS kanë një “rezervuar votash” të garantuar që nuk i lejon të zbresin poshtë një kuorumi të caktuar (të themi rreth 600 mijë secila), përcaktuese janë votat për partitë e koalicionit të secilës.
Veçanërisht deçisivë do të jenë rreshtimet e koalicioneve ku përzgjedhjet taktike të daljes me dy koalicione dhe kombinim listash në qarqe të caktuara të opozitës së bashkuar, synojnë të thithin sa më shumë vota për të mundësuar kthimin e timonit.
Kjo përllogaritje numerike dhe e bazuar në strategji elektorale nëpërmjet rreshtimit taktik për të maksimizuar suksesin elektoral, nuk mund asesi të lërë jashtë konsiderate “frymën” e zgjedhjeve, të parakohshme apo jo qofshin.
Vënia e gishtit mbi plagë, duke identifikuar problemet dhe plagët dhe duke ofruar zgjidhjet dhe recetat, është po aq, në mos më e rëndësishme, për të thithur votën e elektoratit të pavendosur, pjesës fluide dhe pjesës së painteresuar. Tre grupime këto që numerikisht janë shumica e shqiptarëve sot që flasim. Natyrisht bashkë me emigrantët të cilëve duhet t’u ofrohet çdolloj mundësie për t’u përfshirë në proces dhe për të qenë të përfaqësuar.