Profil/ Kush është prokurori italian që po çmonton “Ndraghetën” dhe një krahasim me SPAK-istët e lodhur në Shqipëri

Nga Boldnews.al

Nikola Graterri, prokurori që po drejton aksionin më të madh kundër “Ndragheta-s” në Itali, ka një jetë si në serialin e famshëm me mafian italiane, “Oktapodi”.

Ai sot është 61 vjeç dhe drejton prokurorinë e Antimafias së Katanzaros, e njëjta që zbuloi së fundmi shtrirjen e saj tek lejet e ndërtimit në Tiranë.

Graterri ka 20 vjet që nuk mund të shkojë në plazh. Rrugëtimi i tij i përditshëm është nga shtëpia në punë dhe anasjelltas, i shoqëruar nga një dyzinë policësh dhe me mjete të blinduara.

Prokurori i Anti-mafias ndihet i përmalluar që të luajë njëherë kalçeto, ndërkohë që nuk del thuajse asnjëherë në qendrën e qytetit apo në parqet rreth zonës së tij.

Madje, nuk mundi të shkonte as në varrimin e të atit, pasi prokurori Nikola Graterri është në shënjestër të mafiozëve të “Ndragheta-s”.

Në Itali, tashmë po e konsiderojnë si heroin e ri të drejtësisë dhe pasues i denjë i gjyqtarëve të vrarë në atentate, Xhovani Falkone dhe Paolo Borselino.

Në fillim të viteve ’90, Falkone dhe Borselino çmontuan mafian e njohur me emrin “Cosa Nostra”.

Pas goditjes së saj, vendin e zuri dalëngadalë “Ndragheta”, e cila tashmë konsiderohet si grupi mafioz më i madh në Europën Perëndimore.

Mendohet se “Ndragheta” ka mbi 20 mijë anëtarë dhe qarkullon rreth 55 miliardë dollarë në vit nga tregtia e kokainës, një shifër më e madhe se ajo që lëvizin kartelet kolumbiane e meksikane të marra së bashku.

“Ndragheta” tashmë është multi-nacionale, duke investuar sidomos në pasuri të patundshme në qytetet kryesore Europiane, përfshirë edhe ato që lagen nga Mesdheu.

“Ndragheta” ishte bërë e pakapshme, derisa Nikola Gratierri vendosi të ndjekë rrugën e Falkones dhe Borselinos.

Pak javë më parë, një hetim i drejtuar prej tij, dërgoi pas hekurave mbi 400 persona, të lidhur me “Ndragheta-n”. Personat që gjenden tashmë në qeli akuzohen për vrasje, rrëmbime, korrupsion, pastrim parash e një seri veprash të tjera penale.

Gratierri mori mbështetje të madhe popullore, por edhe kritika nga politikanë e media të caktuara në vendin fqinj. Këta të fundit ishin të shqetësuar për masivitetin e arrestimeve, duke e konsideruar operacionin si të fryrë.

LEXO EDHE  Vasili: Do anullojmë ligjin mbi Vetting-un në Policinë e Shtetit

Përballë këtyre kritikave, Gratierri duket i vendosur. Ai mendon se, nëse nuk do të kishte kaq arrestime, provat mund të zhdukeshin nga njerëz që prej vitesh kontrollojnë në mënyrë kriminale jetën e banorëve të Jugut të Italisë.

Nikola Gratierri ka frikë për jetën e tij. Policia ka arritur të zbulojë shpesh plane për atentate kundër Gratierrit.

Kjo histori kërcënimesh e shoqëron prej 20 vitesh, kur nisi të merrej me hetimet kundër mafias. Një sulm me breshëri automatikësh goditi portën e të fejuarës së tij shumë vite më parë, duke i dhënë zonjës mesazhin se ajo po martohej me “një njeri të vdekur”.

Por, zonja nuk u tërhoq dhe ata tashmë janë martuar dhe jetojnë jetën e tyre, në survejimin e plotë të policisë.

Megjithatë, ai thotë se kjo frikë nga vdekja i jep impulse që të punojë më shumë.

Katanzarro, vendi ku ka lindur dhe ku aktualisht Nikola Gratierri ka selinë e tij, është në pjesën e poshtme të “çizmes” italiane.

Është një zonë e ngjashme në mentalitet dhe problematika kriminale, ekonomike dhe sociale me Shqipërinë.

Por, ka një diferencë shumë të madhe tek njerëzit që besojnë ende tek drejtësia. Në Shqipëri, emrat e Falkones dhe Borselinos përmenden në seminare trajnuese.

Madje, me emrat e tyre në gojë, diplomatë të rëndësishëm që kalojnë një periudhë “konvaleshence” në Tiranë, propaganduan tek shqiptarët se një strukturë e ngjashme anti-mafia, SPAK-u, do të bëjë mrekullinë në territorin e Shqipërisë.

Por, “spak-istët” shqiptarë janë të pakrahasueshëm me askënd. Është një trupë e pavarur, e mirëpaguar, e super-mbështetur dhe, tërësisht jo-efikase.

Kanë vetëm një të përbashkët me Nikola Graterrin-nuk luajnë kalçeto. Por, për arsye tërësisht të ndryshme.

Prokurori italian nuk mund të dalë në ajër të pastër, pasi është shënjestër e lëvizshme për mafien.

Homologët e tij të SPAK-ut në Shqipëri nuk mund të luajnë kalçeto, pasi janë të lodhur duke hetuar korrupsionin 5-mijë lekësh.

Dhe shqiptarët presin përgjimet italiane, për të konfirmuar se mafia është ulur këmbëkryq tek politika shqiptare dhe “i kap për hundësh” me disa tufa kartëmonedhash në këmbim të lejeve të ndërtimit.