Komisioni Europian (KE) ka njoftuar se do të anulojë asistencën teknike për projektin e hidrocentralit të Skavicës, pasi qeveria shqiptare ka vendosur që ta heqë atë nga lista e prioriteteve prioritare të Planit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor të Komisionit Europian.
Në një shkresë që Colin Wolfe, drejtori i Kornizës së Investimeve e Ballkanit Perëndimor (WBIF), pjesë e KE-së, që koordinon projektet e Axhendës së Interkonektivitetit, i ka dërguar Znj. Simona Bovha Shefe e Divizionit CPCM të Bankës Europiane të Investimeve (BE) dhe për dijeni edhe ambasadorit të BE-së në Shqipëri Luigi Soreca, thuhet se “Pas vendimit të Qeverisë Shqiptare për të ndjekur projektin e investimeve jashtë ËBIF dhe për ta tërhequr atë nga lista e projekteve prioritare të Planit Ekonomik dhe të Investimeve të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, ne kemi marrë vendimin për të anuluar ndihmën teknike nga 1 Janari 2021”.
Shkresa vijon duke thënë: “Unë e kuptoj që autoritetet shqiptare po tregojnë interes për të marrë rezultate të prodhuara nga asistenca teknike deri në fund të vitit të kaluar. Sidoqoftë, unë do të këshilloja me forcë ndarjen e ndonjë informacioni, pasi ato nuk janë miratuar nga BERZH-i, si institucioni financiar për këtë projekt, as nga DG NEAR ose nga Banka Europiane e Investimeve. Për më tepër dhe e rëndësishmja, shumë dokumente ende nuk janë finalizuar dhe prandaj mund të përmbajnë akoma çështje materiale që duhen adresuar. Duke qenë se asistenca teknike ka të bëjë me projektin për një digë në shkallë të gjerë, çdo problem që del nga kjo situatë mund të ketë potencialisht pasoja serioze”.
Ky është projekti i dytë që anulohet nga WBIF, pas atij të segmentit rrugor Milot Balldre. Më datën 7 nëntor të vitit 2018, në një mbledhje ku po diskutohej korniza e investimeve në Ballkanin Perëndimor, të administruara nga WBIF (The Western Balkans Investment Framework), u vendos që Shqipërisë t’i kërkohej të kthente 350 mijë euro që i kishte marrë për studimin e fizibilitetit për Bypass-in e Lezhës (Milot-Balldren) për shkak se qeveria shqiptare kishte vendosur dhënien e tij me koncesion të tipit PPP.
Shqipëria, përfituesja më e vogël nga Axhenda e Konektivitetit të BE-së
Projektet e Axhendës së Interkonektivitetit koordinohen përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), strukturë që mbështet zhvillimin socio-ekonomik dhe procesin e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor, përmes sigurimit të financimeve dhe asistencës teknike për investime strategjike. ËBIF është një iniciativë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare ndërkombëtare, donatorëve dypalësh dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria deri tani Shqipëria është vendi i rajonit që ka përfituar më pak fonde në formë grantesh nga plani madhor i Bashkimit Europian për zhvillimin e infrastrukturës së Ballkanit Perëndimor.
Sipas statistikave të përditësuara, të publikuara nga Komisioni Europian, pas Samitit të Sofjes në tetor 2020, Shqipëria ka përfituar nga Axhenda e Konektivitetit 2015-2020, 119.4 milionë euro grante. Nga këto, 96.6 milionë euro kanë shkruar për projekte të lidhura me transportin dhe 22.8 milionë euro për energjetikën.
Dy vendet e rajonit që kanë përfituar më shumë nga grantet e Bashkimit Europian janë Bosnjë-Hercegovina me 246.3 milionë euro dhe Serbia me 244.8 milionë euro. Kosova ka arritur të përfitojë 127.4 milionë euro, të gjitha për zhvillimin e infrastrukturës së transportit.
Në total, bashkë me grantet, Shqipëria ka tërhequr fonde për projekte totale prej 407 milionë eurosh, më e ulëta se bashku me Kosovën prej 397 milionë eurosh. Rekordin e mban Bosnja, me 1.26 miliardë euro, e ndjekur nga Serbia, me 647 milionë euro, Maqedonia e Veriut me 502 milionë euro, mali i Zi me 437 milionë euro.
Shqipëria deri tani ka përfituar 6 projekte:
-Hekurudha Tiranë-Durrës Rinas (91.5 mln euro);
-Rehabilitimi i Portit të Durrësit, kalatat 1 dhe 2 (62.4 mln euro);
-Linja e interkoneksionit të energjisë-Shqipëri -Maqedoni e Veriut (I), 70 milionë euro: Seksioni i Shqipërisë;
-Projekti i infrastrukturës së broadband (40 mln euro).
-Rehabilitimi i Fierzës ka një kosto total prej 42.7 milionë eurosh
-Projekti i Bypass të Tiranës ka një vlerë totale investimi prej 150.9 milionë eurosh
Në tetor të vitit 2020, Komisioni Europian përshtati Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Plani propozon të mobilizojë deri në 9 miliardë euro financime grant, që do të tërheqë deri në 20 miliardë euro kredi nga Fondi i Ri i Mekanizimit të Garancisë së Ballkanit Perëndimor, me qëllim nxitjen e ekonomive dhe mbështetjen e reformave. Në Plan, fokusi vihet te transporti dhe ndërlidhshmëria e energjisë, në tranzicionin e gjelbër – në veçanti dekarbonizimin e prodhimit të energjisë – dhe në transformimin dixhital.
Shqipëria, ndërkohë, sërish rrezikon që të mos marrë një pjesë të projekteve në kuadër të këtij plani, pas anulimit të fondeve për Skavicën.
Pikëpyetje për projektin e kalatave në Portin e Durrësit
Projekti i rehabilitimit i Portit të Durrësit, i miratuar që në vitin 2018, fillimisht mbeti pezull për shkak të planeve të qeverisë për të ndryshuar destinacionin nga kalatat e mallrave tek ato të pasagjerëve. Ndërsa pas vendimit të fundit që ky Port të kthehet në turistik pas një investimi nga kompania Emaar e Emirateve të Bashkuara, ai rrezikon që të mos realizohet asnjëherë.
SHBA-të dhe Skavica
Në tetor të 2020-s, kryeministri Rama njoftoi se Hidrocentrali i Skavicës, projekti i të cilit u prezantua në muajin qershor, do të financohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po në tetor, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe përfaqësuesi i kompanisë Bechtel, Justin Siberell, President i Rajonit të Europës dhe Lindjes së Mesme, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe Nënsekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunimin në lidhje me Projektin e HEC Skavicë.
Në dokumentin e nënshkruar theksohet rëndësia e Projektit të HEC Skavica, si një projekt me interes kombëtar, i cili do të mundësojë që Shqipëria të krijojë pavarësi të plotë nga importimi i energjisë dhe do ta pozicionojë vendin tonë si qendër energjie për rajonin. /Monitor/