Nga Fusha tek Samir Mane, oligarkët sajdisin me luks bosët e Rilindjes…dhe Yuri Kim

Nga Boldnews.al

Një tavolinë luksoze në Dubai, ku shihen biznesmeni Samir Mane dhe njerëzit që qarkullojnë paratë më të mëdha të shqiptarëve nën logon e qeverisë së “Rilindjes”, është një konfirmim i radhës se pushteti i Edi Ramës dhe “oligarkët” janë një simbiozë që ka përqëndruar ekonominë shqiptare në pak duar.

Mane konsiderohet si biznesmeni më i madh në Shqipëri. Ai kontrollon një pjesë të mirë të ekonomisë nëpërmjet kompanive të tij, ndërkohë që Parlamenti, sidomos me ligjin për “investimet strategjike” në bregdet, duket se ka pasur në mendje pikërisht bizneset e Samirit.

Megjithatë, Samiri nuk duket se është njeri i keq. Të paktën këtë la të kuptojë edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e cila gjatë verës 2020 zgjodhi të shijojë disa ditë pushime në resortin e Manes dhe të shëtiste bregun jugor me jahtin e tij.

Disa foto të publikuara në rrjete sociale, ku tregonin, nga larg, ambasadoren Kim nën shoqërinë e Manes, nuk u përgënjeshtruan asnjëherë prej saj.

Pas këtyre fotove, askush nuk foli për aksidentet e minatorëve të Bulqizës, ku thuhet se kanë ndodhur në galeritë e kontrolluara nga një prej kompanive të shumta të Samir Manes.

Pas udhëtimit të Yuri Kim, as policia e prokuroria nuk duket se kanë asnjë interes të hetojnë vdekjet e fatkeqëve, që ngrysin jetën e tyre duke kërkuar krom.

Dhe, natyrisht, pas “bekimit” të Yuri Kim, as shefat qeveritarë të “Rilindjes” nuk e kanë aspak problem të gjenden në krah të Samir Manes në vende të dukshme, në restorante luksoze.

LEXO EDHE  Moti i keq ‘pushton’ juglindjen e vendit! Bora mbulon Korçën

Njerëzit e afërt të Ramës, Arben Ahmetaj, Belinda Balluku, Endri Fuga, si edhe Arbjan Mazniku, krahu i djathtë i kryebashkiakut Erion Veliaj, u shfaqën në një video të realizuar së fundmi, në një prej lokaleve më luksoze të botës, në restoratin e Nusretit të famshëm, të hapur në Dubai.

Në krye të tavolinës qëndronte Samir Mane. Nga pozicioni në tavolinë, dukej qartë se biznesmeni kishte rolin kryesor dhe, me shumë mundësi, edhe faturën financiare.

Të njëjtën vijë sjelljeje, e cila duket se është kthyer në “normalitet” në raportet rilindas-oligark, ka mbajtur më herët edhe një tjetër biznesmen i shumë-tenderuar, Shkëlqim Fusha.

Bosi i “Fusha” shpk u tregua shumë dorëlëshuar për “rilindasit” e Bashkisë së Tiranës, duke u paguar faturat e një hoteli luksoz në Spanjë rreth 2 vjet më parë.

Drejtuesit e bashkisë u kapën gafil me “respektin” që u bëri Fusha, pasi kishte siguruar miliarda lekë tendera nga Lali Eri.

Si rrallëherë, u zhvillua edhe një hetim penal për këtë udhëtim luksoz në Spanjë. Por, si thuajse 99.9 përqind të rasteve, edhe ai hetim përfundoi në kosh.

Drejtësia nuk ka as pikën më të vogël të guximit për të prekur oligarkët dhe “Rilindasit” e pushtetshëm.

Reforma në Drejtësi është vetëm një përrallë për të vënë në gjumë shqiptarët. Një përrallë e treguar në shqip e në anglisht, e cila përdoret si humor në tavolina luksoze në Dubai e në udhëtime me jaht në bregun e mrekullueshëm shqiptar.