Pas autorizimit më të fundit nga EMA dhe AIFA për shpërndarjen e vaksinës anti-Covid të Pfizer-Biontech në Evropë dhe Itali, tashmë e miratuar edhe nga FDA-ja e SHBA-së dhe nga Britania e Madhe, ndoshta së shpejti do të mbërrijë miratimi edhe për vaksinën e zhvilluar nga kompania amerikane Moderna.
Pra,vaksinat kundër koronavirusit tashmë janë këtu dhe po funksionojnë. Dhe shpresa për t’i dhënë fund pandemisë së Covid-19 po bëhet gjithnjë e më konkrete. Por çfarë do të ndodhë në muajt e parë të vaksinimit?
Me siguri, dhe veçanërisht në të ardhmen e afërt, nuk do të jetë e mundur që të kthehemi në normalitet. Përkundrazi, do të jetë e nevojshme të kemi pak më shumë durim dhe të vazhdojmë të sillemi në përputhje me të gjitha masat parandaluese, si mbajtja e maskave, për të vazhduar mbajtjen nën kontroll të përhapjes së koronavirusit.
Këtë e thonë disa ekspertë, që kanë renditur për “The Neë York Times” një numër arsyesh se përse do të nevojitet ende shumë kujdes, edhe pas marrjes së vaksinës. Në fakt vaksinat, nuk ofrojnë mbrojtje të plotë, dhe ka shumë të ngjarë që koronavirusi të vazhdojë përhapjen e tij të shpejtë, derisa të vaksinohet shumica e popullatës botërore.
Edhe për ata që do të vaksinohen të parët, edhe pse mund të kenë kaluar dy javë nga marrja e dozës së dytë të vaksinës, zakonet e adaptuara përgjatë këtyre muajve të pandemisë nuk duhet të ndryshojë shumë,pasi shumica dërrmuese e njerëzve nuk do t`a kenë marrë ende atë. Përkundrazi, edhe ata do të duhet ndoshta të vazhdojnë që të mbajnë maska dhe të shmangin tubimet, veçanërisht ato në vendet e brendshme.
Në fakt, komuniteti shkencor ende nuk e di nëse njerëzit e vaksinuar mund të jenë apo jo infektues për të tjerët. Edhe pse të dhënat e para mbi nivelin e transmetimit duket se janë premtuese, nuk ka shumë të ngjarë që vaksinat të zvogëlojnë plotësisht infektivitetin nga virusi.
Për më tepër, ato nuk ofrojnë mbrojtje totale,por e zvogëlojnë me rreth 95 për qind rrezikun e zhvillimit të Covid-19. Ndërsa një pjesë e vogël (por sipas nivelit aktual të përhapjes së virusit aktual, do të thotë sërish një numër i madh) i njerëzve mund të sëmuren ende.
“5 për qindi një numri të madh njerëzish,është ende një numër i lartë. Ndaj synohet të arrihet 5 për qind i një numri të ulët”-thotë eksperti Ashish Jha, i Shkollës së Shëndetit Publik në Universitetin Braun.
Nga një sondazh i kryer gjithashtu nga “The Neë York Times”, që përfshinte rreth 700 epidemiologë, zbuloi se vetëm më pak se një e treta e të anketuarve do të ndryshonin sjelljen e tyre pasi të ishin vaksinuar, si për shembull mbajtjen e maskës.
Ndërkohë,gjysma e tyre tha se do të priste derisa të vaksinohej të paktën 70 për qind (pragu i vlerësuar të jetë i nevojshëm për të mbrojtur komunitetin) e popullsisë. Padyshim, nëse jeni vaksinuar, takimi me të afërmit ose miqtë që gjithashtu janë vaksinuar është më i sigurt.
Por është ende e rrezikshme të shkoni në tubime të mëdha,kur nuk jeni të sigurt se të gjithë njerëzit janë vaksinuar. “Imuniteti nuk është si një çelës ndiz/fik. Nëse nuk ka imunitet të tufës, virusi qarkullon ende i lumtur në popullatë, dhe ekziston gjithmonë mundësia që vaksina të mos funksionojë për dikë”- komentoi Eric Lofgren, një epidemiolog në Universitetin Shtetëror të Uashingtonit.
Pavarësisht nga vaksina dhe momenti se kur do të arrijmë “imunitetin e tufës”, përfundojnë ekspertët, nuk ka gjasa që Covid-19 të zhduket krejtësisht nga globi, kështu që normaliteti i ri nuk do t’i ngjajë atij që e kemi lënë pas në vitin 2019.
“Dimri do të fillojë të jetë sezoni i gripit por edhe i Covid-19”- shpjegon Endrju Nojmer, epidemiolog në Universitetin e Kalifornisë. Këtë vit,shkalla e gripit sezonal është dukshëm më e ulët se zakonisht, një ndryshim që pjesërisht i detyrohet përdorimit më të përhapur të maskave dhe distancimit fizik. Dhe nëse vazhdojmë kështu, paralajmërojnë ata, ndryshimet që koronavirusi ka sjellë në zakonet tona, mund të sjellin përfitime në zvogëlimin e rreziqeve të sëmundjeve të tjera në të ardhmen.