Prokurori i Apelit të Vlorës, Pelivan Malaj u përball me probleme në kriterin e pasurisë në seancën e dytë dëgjimore të zhvilluar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të mërkurën më 6 janar.
Një seancë e parë e zhvilluar më 24 dhjetor u shty pas kërkesës së prokurorit Malaj për përjashtimin e trupës gjykuese, me pretendimin se nuk e kishin konsideruar një dokument nga Tatimet që vërtetonte punësimin e tij si avokat.
Kryesuesi i trupit gjykues, Lulzim Hamitaj sqaroi në fillim të seancës të mërkurën se kërkesa e Malajt është shqyrtuar nga një tjetër trupë gjykuese, e cila është rrëzuar si e pabazuar dhe se ky vendim i është komunikuar subjektit. Gjithashtu, Hamitaj pohoi se pretendimet e subjektit ishin verifikuar dhe kishte rezultuar se dokumenti nga Tatimet nuk ishte depozituar së bashku me provat dhe dokumentet e tjera në KPK.
Malaj paraqiti sërish kërkesë për rihapjen e hetimeve për kriterin e pasurisë, bazuar në dokumentet që depozitoi në seancën e muajit dhjetor si prova të reja për të vërtetuar të ardhurat nga puna si avokat.
Trupi gjykues i kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin u tërhoq dhe vendosi të mos e pranojë, duke e konsideruar të përsëritur. Hamitaj tha se kërkesa nuk mund të pranohej në këtë fazë të hetimit administrativ. Gjithashtu, ai e siguroi prokurorin Malaj se provat e reja do të shqyrtohen nga Komisioni para vendimarrjes përfundimtare, së bashku me shpjegimet e dhëna gjatë seancës dëgjimore.
Pelivan Malaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si avokat. Në periudhën 1998-1999 ai ka punuar si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë. Në maj 2003, Malaj është emëruar prokuror i Prokurorisë së Apelit Vlorë, detyrë të cilën e ka ushtruar për gati dy dekada. Gjithashtu ai ka qenë kryetar i Shoqatës së Prokurorëve.
Problemet me pasurinë
Relatorja Pamela Qirko pohoi se hetimi administrativ për prokurorin Pelivan Malaj është përfunduar vetëm për kriterin e pasurisë. Ajo tha se Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI kishte konstatuar se Malaj kishte kryer deklarim jo të saktë për pasuritë, se nuk kishte burime të ligjshme për justifikimin e tyre dhe se kishte kryer fshehje dhe deklarim të rremë.
Më pas ajo renditi gjetjet për pasuritë, shpenzimet dhe transaksionet financiare të kryera ndër vite nga prokurori Malaj, për të cilat i është kaluar barra e provës.
Për një apartament me sipërfaqe 120 m2 të blerë në vitin 2005, Komisioni konstaton pasaktësi dhe mospërputhje në deklarimet e çmimit të paguar, si dhe mungesë burimesh të ligjshme.
Qirko tha se në vitin 2005, prokurori Malaj kishte deklaruar se çmimi i blerjes së këtij apartamenti kishte qenë 4.5 milionë lekë, në deklaratën veting ishte deklaruar 31 mijë USD, ndërkohë që nga verifikimi i kontratës ka rezultuar se çmimi ishte 32 mijë USD.
Si burim krijimi të kësaj pasurie, prokurori Malaj ka deklaruar vlerën 2.7 milionë lekë të përfituar nga shitja e apartamentit të mëparshëm në Vlorë, të përfituar nëpërmjet privatizimit dhe të ardhurat e përfituara nga puna si avokat.
Komisioni ka konstatuar se në deklaratën fillestare, prokurori Malaj ka deklaruar shitjen e apartamentit të privatizuar në vitin 1999, kundrejt vlerës 2.7 milionë lekë, ndërsa në dokumentacionin e shitjes figuron vlera 1.9 milionë lekë.
Për shkak të kësaj mospërputhje, Komisioni nuk i ka konsideruar të ardhurat e përfituara nga shitja e apartamentit dhe ka konstatuar se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pamjuaftueshëm për burimin e krijimit të kësaj pasurie.
Nga analizimi i deklarimeve të Malajt për të ardhurat nga ushtrimi i profesionit të avokatit, ka rezultuar se ai nuk ka pasur burime të mjaftueshme për pagesën e pjesës tjetër të çmimit të apartamentit 120 m2 në Vlorë.
Malaj ka deklaruar se kishte përfituar 8.7 milionë lekë gjatë periudhës 1993-1998 dhe 8.2 milionë lekë për periudhën 1999-2003. Qirko tha se subjekti nuk ka depozituar dokumentacion të plotë për të provuar të ardhurat e përfituara nga avokatia.
Ajo shtoi se provat e reja të dorëzuara nga subjekti i rivlerësimit për të provuar këto të ardhura do të vlerësohen para vendimarrjes përfundimtare.
Për ndërtimin e një zyre avokatie në vitin 1996 kundrejt shumës 2 milionë lekë, blerjen e dy automjeteve; krijimin e dy depozitave në vlerat 450 mijë mijë lekë dhe 250 mijë lekë, Malaj ka deklaruar si burime të ardhurat nga puna si avokat.
“Për shkak se nuk provoi të ardhurat nga ushtrimi i profesionit të avokatit, duket se nuk ka pasur mundësi financiare për krijimin e këtyre pasurive,” tha relatorja Qirko dhe vijoi se subjekti nuk justifikon me burime të ligjshme pasuritë dhe shpenzimet deri në vitin 2003.
Gjithashtu, Komisioni ka konstatuar se Malaj ka deklaruar në vite vlera të ndryshme të zyrës së avokatisë. Malaj sqaroi gjatë seancës dëgjimore se kishte pasqyruar vlerën e tregut të objektit në momentin e deklarimit. Ai pohoi se shpenzimet e ndërtimit të zyrës në vitin 1996 mund të kishin qenë në vlerën 700 mijë lekë.
Në seancë u konstatuan pasaktësi dhe mospërputhje në deklarimin e çmimit të blerjes së një apartamenti në Tiranë. Sipas Komisionit, Malaj ka deklaruar se ka blerë një apartament në Tiranë me sipërfaqe 75 m2 kundrejt vlerës 45 mijë euro. Ai ka shpjeguar se kjo pronë është porositur në vitin 2005 dhe se është shitur në vitin 2017 kundrejt vlerës 7.5 milionë lekë.
Në kontratën e shit-blerjes së këtij apartamenti, Komisioni ka konstatuar se sipërfaqja ka qenë 69.5 m2 dhe jo 75 m2, e deklaruar prej subjektit dhe se çmimi i shitjes ka qenë 2 milionë e 890 mijë lekë.
Gjithashtu, është konstatuar se nuk janë deklaruar shlyerjet e kësteve dhe detyrimet e mbetura ndër vite. Qirko tha se burimi i krijimit të kësaj pasurie i pasqyruar në deklaratën veting, një kredi në shumën 25 mijë euro, ishte e pamjaftueshme për të mbuluar çmimin e deklaruar fillimisht nga Malaj.
“Subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë e kontradiktor për këtë pasuri lidhur me shumën e paguar”, pohoi Qirko.
Gjithashtu, është konstatuar balancë negative në shumën 780 mijë lekë për shlyerjen e këstit të parë.
Në seancë u relatua edhe blerja e një apartamenti me sipërfaqe 73 m2 në vitin 2015 nga djali i subjektit në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë” në Vlorë, kundrejt çmimit 6.3 milionë lekë.
Relatorja Qirko tha se subjekti dhe personi tjetër i lidhur me të nuk kanë deklaruar në vitin 2015 dhe në deklaratën veting porositjen e apartamentit dhe as kredinë e marrë për shlyerjen e çmimit të kësaj pasurie.
Malaj ka deklaruar marrjen e një kredie në vlerën 40 mijë euro në vitin 2010 për blerjen e një zyre avokatie për djalin e tij. Nga verifikimi i dokumentacionit të porositjes së kësaj pasurie, ka rezultuar se çmimi ka qenë 72 mijë euro. Gjithashtu, është konstatuar pamundësi financiare për pagesën e këstit të parë në shumën 28 mijë euro.
Ajo vijoi se Malaj ka kryer dekarim të pasaktë për dy pasuritë e porositura dhe se nuk ka qenë i qartë dhe bashkëpunues gjatë hetimit administrativ për të dhënë shpjegime.
Prokurori Malaj deklaroi në seancë se nuk mund të deklaronte pasuri që nuk i dispononte. Ai pretendoi se kontratat e porosive për apartamentin në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë” dhe zyrën e avokatisë ishin revokuar, edhe pse nuk ishin formalizuar ende.
Malaj theksoi se nuk mund të kishte fshehje, pasi ai kishte deklaruar dhe paraqitur dokumentacionin e kredive, bashkëngjitur të cilave gjendeshin edhe kontratat e porosive.
Qirko tha se Malajt i janë kërkuar shpjegime lidhur me mosdeklarimin e pjesës takuese 1/5 të bashkëshkëshortes në një apartament në Durrës dhe të një huaje në shumën 40 mijë USD. Ajo shtoi se subjekti është pyetur edhe lidhur me burimin e një shume rreth 10 mijë euro të deklaruar nga djali i tij në pikën kufitare të Rinasit.
Komisioni ka konstatuar balanca negative në vlera të konsiderueshme gjatë disa viteve.
Prokurori Malaj shpjegoi në mënyrë të përmbledhur qëndrimin e tij ndaj gjetjeve të KPK për kriterin e pasurisë.
Ai theksoi se pasuria e tij përbëhej nga apartamenti që zotëron në Vlorë dhe nga një makinë. “Shtëpia që kisha përfituar nga privatizimi shërbeu për të balancuar shtëpinë që zotëroj aktualisht. Edhe shtëpia në Tiranë u shit për të mbuluar kreditë. Kjo zamallahi e kredive të shqyrtohet nga specialistët. Ka pasur edhe anulime,” deklaroi Malaj.
Malaj pretendoi se në analizën financiare të KPK-së konsideroheshin shpenzimet për blerjen e automjeteve, por jo të ardhurat e përfituara nga shitja e tyre.
Ai këmbënguli se të ardhurat nga avokatia ishin të ligjshme.
“Kam qenë nga avokatët më të formalizuar në treg. Të konsiderohet se kam nisur punë që në vitin 1976, jo në vitin 1998. Përderisa konsiderohen shpenzimet që nga viti 1993, të llogariten edhe të ardhurat. Në vitin 1992 kam qenë shef i hetuesisë dhe nuk kam qenë pa lekë fare,” pohoi Malaj dhe shpjegoi se i ishte dashur të kontrollonte 35 mijë vendime për të gjetur 400 vendimet ku vërtetohej se kishte qenë pjesë në proceset gjyqësore në cilësinë e avokatit.
“Nuk ka asnjë rast për fshehje të pasurive. Kam deklaruar kreditë dhe destinacionin e tyre. Ka shumë pasaktësi dhe mospërputhje që e rëndojnë personalitetin tim,” tha ai.
“Nuk i kam futur duart në xhepat e qytetarëve, por kam marrë kredi për nevoja financiare,” shtoi prokurori.
I pyetur nga relatorja Qirko lidhur me pasuritë e padeklaruara, Malaj këmbënguli se ato pasuri nuk ishin krijuar kurrë. “Nuk i kemi blerë. Janë porositur dhe janë kthyer,” tha ai.
Gjithashtu, Malaj pretendoi se nuk e kishte marrë huanë 40 mijë euro, pavarësisht kontratës së nënshkruar me një ndërtues, për të cilin tha se e kishte fqinj. Ai shjpegoi se nuk e kishte marrë huanë, pasi huadhënësi kërkonte kthimin e vlerës në një afat të shkurtër dhe nuk mundej ta shlyente.
I pyetur nga kryesuesi Lulzim Hamitaj nëse kishte paguar detyrimet tatimore për fitimin e siguruar nga shitja e apartamentit të privatizuar, Malaj tha se në këtë rast nuk kishte fitim. “Ajo ishte thuajse falje nga shteti. Nuk kam si ta çmoj blerjen, që të them fitimin,” tha Malaj dhe deklaroi se nuk kishte detyrimin për të paguar tatim mbi fitimin.
Në përfundim të relatimit, Qirko u ndal në marrdhënien e subjektit të rivlerësimit me një person të proceduar. Ajo shpjegoi se Malaj ka udhëtuar jashtë shtetit me disa automjete.
Në një rast ka rezultuar se ai ka udhëtuar së bashku me kolegun E.H. dhe shtetasin A.H., i cili posedonte dhe drejtonte mjetin.
Qirko tha se në vitin 2015, Malaj ka përfaqësuar prokurorinë në dy çështje penale me të pandehur shtetasin A.H.
“Subjekti i rivlerësimit ka shpjeguar se ka ushtruar rekurs ndaj vendimit të gjykatës, por pavarësisht nga paanësia e tij në këto çështje, duhej të kishte dhënë dorëheqjen nga përfaqësimi i tyre,” pohoi Qirko.
Prokurori Malaj shpjegoi se kishte kërkuar arrest në burg për personin në fjalë dhe se kishte ushtruar rekurs kundër vendimit të gjykatës. Ai tha se kishte udhëtuar me kolegun e tij dhe se nuk e dinte cili e drejtonte mjetin.
“Mendoj se si prokuror e kam kryer detyrën më së miri…, nëse më gjykoni si prokuror. Nëse më gjykoni për kreditë se si i kam marrë, është çështje tjetër,” pohoi Malaj dhe shtoi se gjithçka po e bënte për dinjitetin e tij.
Ai tha se kishte qenë i vërtetë dhe i sinqertë në deklarimet e tij. “Kërkoj të konfirmimin në detyrë edhe për këtë kohë që më ka mbetur,” përfundoi Malaj.
KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më 11 janar, ora 09:45. /BIRN/