Kriza ekonomike dhe detyrimi për të luajtur ndeshje pa tifozë ka shkaktuar një dëm të madh ekonomik për klubet e Superligës.
Në një intervistë për revistën “Monitor”, shefi i sektorit të garave në Ligën Profesioniste të Futbollit, Arbi Laçi, thotë se vetëm të ardhurat e munguara nga shitja e biletave janë rreth 1 milion euro në sezon, ndërsa dëmi nga marrëdhëniet me sponsorët është i vështirë për t’u llogaritur. Sipas tij, një pjesë e mirë e klubeve elitare kanë arritur të ndërtojnë modele të qëndrueshme biznesi, falë rezultateve sportive dhe organizimit të strukturave që fillojnë nga ekipet zinxhir.
Megjithatë, sipas tij, është e rëndësishme që investimet në futboll të mbështeten me politika lehtësuese fiskale. Liga Profesioniste i ka paraqitur një paketë me katër kërkesa kryesore qeverisë shqiptare, ku përfshihet ulja e TVSH-së në 6%, përjashtimi nga tatimi i pagave të futbollistëve për 10 vjet, falja e detyrimeve të prapambetura tatimore dhe zbritja e sponsorizimeve nga taksat deri në masën 30% të tatimit mbi fitimin.
Sa ka ndikuar kriza e lidhur me pandeminë në të ardhurat e klubeve të futbollit?
Ne e kemi monitoruar situatën që prej 9 marsit, që kur u luajt ndeshja e fundit para mbylljes për shkak të pandemisë.
Për futbollin, kjo ishte një goditje shumë e madhe. Stadiumet dhe gjithë resurset që sillnin, që nga biletat e deri te marrëdhëniet me sponsorë të ndryshëm u prekën që nga momenti i mbylljes.
Ky efekt shtrihet në periudhën e deritanishme, por edhe në të ardhmen e afërt, duke llogaritur këtu ndërprerjen e marrëdhënieve financiare me partnerët. Ndërkohë, detyrimet e klubeve sipas kontratave të tyre, përfshi edhe detyrimet ndaj shtetit duhen paguar, pavarësisht vështirësive dhe pamundësive të krijuara në krahun e të ardhurave.
Në çfarë përqindje është ndikuar baza e të ardhurave të klubeve nga kriza?
Të gjithë klubet kanë instrumentet përkatëse për të kalkuluar mungesën e të ardhurave, duke u nisur nga parashikimet në bilanc për të ardhurat nga biletat dhe ato nga marrëdhëniet me palë të tjera. E vetmja marrëdhënie që nuk është cenuar, për momentin, është e drejta televizive, sepse kontrata nuk është cenuar përderisa transmetimi i ndeshjeve vazhdon dhe është i vetmi kanal ku sot futbolli përcillet. Për sa u takon të ardhurave nga biletat, ne llogarisim që në një sezon futbollistik, të ardhurat prej tyre të jenë afërsisht 1 milion euro.
Ky mund të jetë një vlerësim i përafërt i humbjeve që klubet kanë gjatë një sezoni sportiv, prej mungesës së të ardhurave nga biletat. Më tej, kalkulimi i humbjeve nga marrëdhëniet e cenuara me sponsorët ose partnerët e tjerë është i vështirë për t’u bërë, sepse duhet analizuar rast pas rasti, sipas marrëdhënieve që ka secili klub.
Në kushte normale dhe pa llogaritur efektin e krizës, a janë klubet e futbollit sot biznese që mund të qëndrojnë në këmbët e veta, pa donacione apo kontribute të tjera të aksionerëve?
Futbolli në Shqipëri ka kaluar një periudhë tranzicioni, nga i cili ka filluar të shkëputet, por specifikat janë të ndryshme, në varësi të kontekstit të secilit klub. Për ta bërë më të kuptueshme, mund të bëjmë një ndarje të klubeve, sipas markës dhe realitetit që përfaqësojnë dhe që më tej, kthehet edhe në një përfitim ekonomik, që mund ta bëjë biznesin fitimprurës.
Në fazën e tranzicionit, përgjithësisht klubet kanë pasur nevojë të vazhdueshme për subvencione nga aksionerët, qofshin bashki apo investitorë privatë, si dhe nga sponsorë të ndryshëm.
Sot, rritja cilësore e futbollit si sport dhe biznes kërkon, në radhë të parë, shkëputjen nga pushteti lokal dhe së dyti, që sponsorizimet të njihen dhe të marrin vlerë, jo si donacione, por si investime të mirëfillta dhe pjesë e integruar e aktivitetit të klubit.
Kjo do të thotë që sponsorët të cilët vijnë, të marrin kthime në forma dhe mënyra të ndryshme, gjë që e bën investimin të vlefshëm për të dhe joshës për investitorë të tjerë potencialë, siç ndodh në të gjithë botën. Nëse krijohen kushtet, edhe në Shqipëri, futbolli mund të bëhet një aktivitet fitimprurës, siç ndodh në shumicën e vendeve të botës. Zhvillimi i infrastrukturës sportive në vitet e fundit mundëson jo vetëm afrimin e sponsorëve, por edhe lehtësi për ta.
Duhet theksuar fakti që, për momentin, pjesëmarrja në kompeticionet europiane është një mundësi mjaft e mirë për të siguruar të ardhura. Të tjera mundësi janë shitja e futbollistëve dhe biznesi, i cili e ka zanafillën që nga bazat e ekipeve zinxhir e më tej, zhvillimi i tyre për të prodhuar lojtarë që mund të jenë një burim të ardhurash për klubet. Ka disa modele suksesi, si për shembull Skënderbeu i disa viteve më parë, apo klube si Kukësi, Partizani, Tirana apo Teuta kanë menaxhuar ato burime që përmenda.
Në konkluzion, mendoj se futbolli ka një zhvillim ekonomik pozitiv, me gjashtë apo shtatë klube që jo vetëm mbajnë veten, por edhe të sigurojnë rezultate pozitive në bilance. Kuptohet, nuk janë shifra të jashtëzakonshme, por shifra pozitive në kontekstin e një sistemi post-tranzitiv, i cili po nis të zhvillohet.
Në çfarë niveli është sot organizimi i klubeve në strukturat e ekipeve zinxhir, që përbëjnë një burim të qëndrueshmërisë ekonomike afatgjatë?
Nevoja për të parë larg i ka bërë klubet për të menduar për bazën dhe akademitë, duke nisur nga moshat e vogla. Secili klub pastaj ka modelin e vet, për mënyrën sesi strukturohet dhe zhvillohet nga pikëpamja sportive. Klube si Apolonia janë shembuj suksesi, sepse kanë investuar masivisht tek të rinjtë, kanë ndërtuar një strukturë të shëndetshme dhe kanë marrë edhe benefite financiare nga ky vizion. Puna dhe investimi në strukturën e akademisë ka sjellë përfitime edhe për klube si Laçi. Janë disa shkolla futbolli, që po operojnë sot me nevojën për t’u zhvilluar në infrastrukturë.
Të rrisësh një fëmijë futbollist duhet të kesh jo vetëm kushte bazike, por duhet të ndërtosh edhe infrastrukturën e nevojshme, që ai të akomodohet, të shkollohet, etj., së bashku me familjen. Një organizim i tillë kërkon një infrastrukturë të plotë, që klubet kanë nisur ta zhvillojnë, me hapa të vegjël kuptohet, sepse nevojitet një investim i madh. Sidoqoftë, jemi në rrugën e duhur dhe klubet kanë nisur të marrin frytet e para nga ky lloj vizioni.
Sa është afërsisht volumi, ose xhiroja e klubeve të Superligës në një sezon sportiv?
Duke qenë se Liga ka qenë partizane e një sistemi sa më të formalizuar dhe transparent, mund të bëjmë një përllogaritje të përafërt për sa u përket buxheteve sportive dhe operative. Me përafërsi, mund të themi se buxheti vjetor i klubeve të Superligës mund të jetë afërsisht 7 milionë euro.
Keni vlerësime, qoftë edhe të përafërta, për nivelin aktual të informalitetit në tregun e futbollit?
Dua ta nis nga një moment i rëndësishëm, për të ndjekur zhvillimin dinamik të kësaj çështjeje. Besoj se në çdo ekonomi, zhvillimi dhe formalizimi ecin paralelisht, por mund të them se në dekadën e fundit, futbolli ka hedhur hapa të mëdhenj në drejtim të formalizimit.
Ne mendojmë se për futbollin është domosdoshmëri, në raport me veten në radhë të parë, pastaj në raport me shtetin, që të formalizohet, sepse formalizimi sjell benefite të rëndësishme financiare dhe e bën industrinë të zhvillohet, të krijojë marrëdhënie të shëndetshme me kompani të mëdha. Futbolli ka nevojë të shkëputet nga menaxhimet primitive të së shkuarës dhe të ndjekë modelet e suksesshme të futbollit në Europë dhe mendoj se klubet vetë e aspirojnë një gjë të tillë. Pra, në sintezë, futbolli ka bërë hapa përpara, por tani meriton të zhvillohet më tej.
Liga i ka paraqitur një paketë kërkesash qeverisë shqiptare. Si mund të ndikojnë propozimet tuaja për të përmirësuar cilësinë e futbollit, si sport dhe si biznes?
Liga i ka dhënë zë nevojës që klubet kanë pasur për formalizim dhe shkëputjes nga praktikat e tranzicionit. U arrit që presidentët e klubeve të uleshin në një tryezë, të binin dakord dhe t’i jepnin Ligës tagrin që të shtronte disa kërkesa të domosdoshme dhe esenciale. Nuk aspirojmë kushte përfituese apo privilegje, kundrejt sektorëve të tjerë apo shtetit. Plotësimi i këtyre kërkesave nuk i shërben vetëm klubeve dhe nuk i shërben vetë së sotmes, por i shërben ndërtimit të një ardhmeje më të mirë të futbollit në Shqipëri.
Incentivat fiskale që parashikon ligji i sponsorizimeve nuk kanë funksionuar në nxitjen e investimeve, të paktën duke iu referuar deklaratave nga përfaqësues të klubeve dhe FSHF-së. Pse ka ndodhur kjo dhe pse mendoni që propozimet tuaja mund ta bëjnë instrumentin e incentivave fiskale për efikase?
Për të kuptuar sa mund të kenë përfituar sponsorët nga investimi në futboll, mjaft të bëjmë krahasimin me shembuj të ngjashëm në rajon apo më larg. Përgjithësisht, sponsorët e klubeve janë partnerë të aksionerëve dhe bizneseve të tjera të tyre.
Sponsorët nuk kanë mundur të shkelin ende në futboll për të bërë biznes të mirëfilltë. Zhvillimi i infrastrukturës po i jep biznesit mundësinë ta shohë më me interes futbollin. Por, kjo sjell edhe nevojën që ligji t’i krijojë realisht biznesit mundësi të ketë përfitime të prekshme nga investimi në futboll, pra të japë, por edhe të marrë. Kjo do të bëjë që futbolli të jetë edhe pjesë e shëndetshme e ekonomisë së vendit.
Propozimet tona parashikojnë që të paktën gjysmat e shpenzimeve të zbritshme për sponsorizime t’i shërbejnë zhvillimit të infrastrukturës, që sot mungon. Në fund të fundit, krijimi i infrastrukturës për ushtrimin e aktiviteteve sportive është një detyrim i shtetit. Meqë kjo nuk është arritur të bëhet nga shteti direkt, propozimet tona krijojnë mundësi që kjo të arrihet nëpërmjet lehtësive fiskale për klubet.
Sa i mbështet dhe i nxit kuadri ligjor aktual projektet e klubeve për të investuar në infrastrukturë?
Zhvillimet në infrastrukturë e kanë bërë të prekshëm për të gjithë faktin se infrastruktura sjell zhvillim. “Air Albania”, “Elbasan Arena”, Stadiumi i Shkodrës, ai i Kukësit që po përfundon, etj., kanë ndikuar direkt në zhvillimin e futbollit. Klubet e kanë kuptuar që për të zhvilluar bazat e akademive dhe ekipeve zinxhir duhen investime në komplekse stërvitore dhe në gjithë infrastrukturën sportive.
Partizani po zhvillon një kompleks modern, Tirana ka një projekt për të ndërtuar një stadium të ri, aty ku sot ndodhet stadiumi “Selman Stërmasi”, në Fier ka gjithashtu projekt për një stadium të ri, në Vlorë po ashtu. Futbolli po ecën me ritme të shpejta dhe besoj se shumë shpejt, që të gjithë do të shohim rezultatet.
Sa të varura janë sot klubet nga rezultatet sportive dhe sidomos nga pjesëmarrja në kompeticionet europiane?
Fitorja e një titulli kampion dhe vetëm pjesëmarrja, qoftë edhe pa kaluar asnjë tur në Ligën e Kampioneve, mund të mbulojë të gjitha shpenzimet për vitin futbollistik pasardhës, duke qenë sërish skuadër pretendente. Kjo do të thotë se, nëse fiton një herë titullin, ke mundësi të jesh pretendent edhe vitin pasardhës. Vetëm me pjesëmarrjen mund të përfitosh të paktën 250 mijë euro, pastaj nëse arrin të ecësh më tej, përfitimet mund të disafishohen.
Pjesëmarrja në Ligën e Europës ka kuota pak më të vogla, por gjithsesi të rëndësishme. Nëse ke skuadër kompetitive, siguron buxhete të mira, shitje futbollistësh, të drejta televizive në Europë, biletat në stadium, mund të krijosh partneritet me kompani të huaja, etj. Garat europiane janë padyshim burimi më i rëndësishëm financiar për klubet, por kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri.
Çfarë pjese zënë pagat e futbollistëve në buxhetet e klubeve?
Klubet e futbollit në vendet e tjera kanë një organizim shumë cilësor dhe profesional në të gjitha hallkat e administratës. Në Shqipëri, buxhetet e pagave shkojnë në pjesën dërrmuese për pagat e futbollistëve dhe stafeve teknike, në masën 90%-95%. Administrata është e pakët në numër dhe e varfër në cilësi. Të pasurit e një klubi të shëndetshëm dhe të suksesshëm nga pikëpamja sportive, kërkon patjetër edhe një administratë mbështetëse cilësore. Kjo është një pikë ku klubet shqiptare kanë nevojë të përmirësohen shumë.
Sa paguhet mesatarisht sot një futbollist i Superligës?
Klubet i shpërblejnë futbollistët në mënyra të ndryshme, me pagë mujore, shpërblime, trajtime ushqimore dhe bonuse për menaxhimin e imazhit. Klubet kanë modele dhe politika të ndryshme menaxhimi, ndaj nuk mund të llogarisim një mesatare të përgjithshme./MONITOR