Agjencia Kombëtare e Barnave është hallka e fundit e zinxhirit institucional që do të certifikojë dokumentacionin mbi kompanitë dhe llojin e vaksinës antikovid që do të vijë në vendin tonë. Ky institucion është në pritje të dosjes që duhet të mbërrijë nga Instituti i Shëndetit Publik për të finalizuar këtë proces. Burime pranë Agjencisë Kombëtare të Barnave thanë për TvT se nga ISHP nuk ka ende asnjë njoftim lidhur me nisjen e procedurave për vaksinën.
Para pak ditësh, kryeministri Rama teksa postoi një fotografi me shefin e kompanisë Pfize, Albert Burla, theksoi se ambicia e qeverisë është që Shqipëria të mos mbetet mbrapa në radhën e shteteve që kërkojnë vaksinën. Por çfarë është bërë që prej 9 dhjetorit, kur kryeministri tha se kishte negociuar personalisht në Nju-Jork për të siguruar vaksinën për Shqipërinë.
E kontaktuar në telefon, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino, tha fillimisht se ky proces lidhet vetëm me Agjencinë Kombëtare të Barnave, por më pas pranoi se në ISHP nuk ka mbërritur ende asnjë dokumentacion që i paraprin ardhjes së vaksinës.
“E ka Agjencia e Barnave. Ka një sërë letrash që mbërrijnë. Në qofte se janë në një dosje. Nuk ka dokumentacion, ai vjen bashkë me vaksinën. Në momentin që vjen vaksina, ai niset pak më përpara”.
Bino nuk di të japë një datë të saktë për ardhjen në Shqipëri të vaksinës, por referuar komunikimit të Ministrisë së Shëndetësisë me Agjencinë Kovaks, pritshmëritë janë për sigurimin e dozave të para deri në pranverë. Megjithatë, vaksinimi në masë i popullsisë do të nisë në një fazë të mëvonshme.
“Unë di që në 3-mujorin e parë të vitit 2021 vjen vaksina, është me letër zyrtare. Janë punonjësit shëndetësorë, personat në azile, janë edhe persona të tjerë, me sëmundje kronike, është bërë një verifikim me numra dhe natyrisht punonjësit e shërbimeve kritike. Pastaj fillon vaksinimi për popullatën”
Shanset që në Shqipëri të vijnë vaksinat e Pfizer apo Moderna janë të pakta pasi ato ruhen në një temperaturë minus 80 gradë Celcius dhe për këtë lypset një investim për një infrastrukturë të re. Siç kanë pohuar më herët ekspertët e shëndetit publik, skenari më i mundshëm për Shqipërinë është që të sigurojë vaksinën e prodhuar nga kompania AstraAzeneca, për të cilën vendi ynë i ka kapacitetet dhe infrastrukturën e nevojshme të ruajtjes./TvT