Ministria e Shëndetësisë, raportoi sot për 499 raste të reja me Covid në 24 orët e fundit, ndërkohë që 10 persona nuk kanë mundur dot të fitojnë betejën me virusin e rrezikshëm.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 384 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 31,565 që nga fillimi i epidemisë.
Numri i të shtruarve në spitale vijon të jetë i qëndrueshëm. Aktualisht në 4 spitalet COVID, po trajtohen 316 pacientë, 23 në terapi intensive nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar. Mes viktimave në 24 orët e fundit, është edhe mjeku 72-vjeçar Sali Baco.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i ka bërë apel qytetarëve të kufizojnë kontaktet dhe të festojnë me familjen e vogël, për të kufizuar përhapjen e COVID-19.
“Mbajtja e detyrueshme e maskës, ruajtja e higjienës personale dhe distancës fizike janë mjetet që secili ka në dorë për të mbajtur larg virusin e rrezikshëm”, – thuhet në njoftimin e sotëm të MSH-së.