Trajneri i Tiranës, Nevil Dede, doli në konferencën e zakonshme për shtyp në prag të sfidës ndaj Kukësit, që do të zhvillohet sot në orën 16:45 në “Elbasan Arena”, ku iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
Në prononcimin e tij, tekniku bardheblu foli për gjendjen e skuadrës, duke u shprehur:
“Të jem i sinqertë, po kalojmë disa probleme me lojtarë të ndryshëm. Vangjeli është larguar për arsye shëndetësore. Shpresojmë të rikuperojmë sa më shpejt. Ka një problematikë, që vetëm një doktor në Greqi mund ta përmirësojë. Kjo vjen nga ndeshjet e shumta dhe ngarkesa e madhe.
Kemi pasur një numër të limituar lojtarësh dhe kjo ka bërë që ngarkesa të jetë e madhe për disa. Vështirësi do të jetë gjithmonë, jo vetëm për ne, por për çdo skuadër tjetër. Uroj ta përballojmë nesër sa më mirë. Të gjithë çunat që do t’i kemi gati nesër, do të japim më shumë seç kanë dhënë në ndeshjet e tjera. Problematika të bezdis, por mua nuk më shqetëson.
Ndeshja ndaj Kukësit- Kukësi është një ekip i fortë, si çdo tjetër. Unë e kam thënë dhe e them gjithmonë, respekt për çdo ndeshje. Duam të shprehemi mirë, të jemi solidë me ekuilibra dhe të përfaqësojmë denjësisht fanellën dhe të pretendojmë të vazhdojmë ecurinë e vjetshme. Deri tani nuk kemi bërë mirë, por edhe keq nuk kemi bërë me këtë grup lojtarësh që ne kemi.
Kemi shumë lojtarë të akademisë, lojtarë të rinj, që po mundohemi t’i ingranojmë me skuadrën. Nuk është e thënë që çdo investim do jetë gjithmonë i suksesshëm. Ka dhe investime që nuk janë aty ku duhet dhe duan kohën e vetë. Prodhimi që vjen nga brenda klubit është më me rëndësi, që e ka rritur historikisht këtë klub.
Është bërë punë e mirë dhe kjo më intereson. Ata e ndjejnë fanellën dhe japin shpirtin për këtë fanellë. Ata që e duan mund të japin edhe më shumë nga vetja. Nuk ka rëndësi mosha apo pozicioni që luajnë.
Aspiratat e Tiranës për titull kampion me grupin aktual-Ky grup po bën mirë dhe po jep maksimumin. Vetëm prej pikëve opinioni mund të bëjë kritika. Kemi shumë të rinj, jemi të lumtur që kemi lojtarë si Muçi, Çelhaka apo Ismailgeci. Mos harrojmë që në sezonin e kaluar vetëm Çelhaka ka luajtur dhe për 2-3 elementë është sezonin i parë i tyre mund të kenë edhe oshilacione. Deri tani kanë pasur shumë pak. Kjo është diçka që mua më ngroh”, u shpreh Dede.
Për objektivat që ka klubi, i lejohen më hapa fals Tiranës?
Kategoria Superiore, nuk ka diferencë. Ju po e shikoni që rezultatet janë shumë të ngushta. Me sa kam parë statistikat, diferenca është 1 gola, ose ndeshjet janë barazim. Barazimet janë shumë dominante.
Jam i bindur se Tirana do të humbë shumë pak ndeshje, por sa do fitojmë mbetet për t’u parë. Shumë veta thotë që ishte dështim barazimi me Skënderbeun, sepse humbëm 2 pikë. Kush e ka parë ndeshjen me qetësi e shikon që jemi skuadër solide. Luajtëm në sulm dhe normalisht lihen hapësira prapa. Më erdhi keq për çunat që lamë 2 pikë në Korçë. Nëse fitojmë nesër, do i rikuperonim ato tre pikë dhe do afroheshim shumë shpejt. Këta djem të rinj që vijnë nga akademia do të rriteshin akoma më shpejt.
Kukësi ka një hap më ndryshe në krahasim me Tiranën…
E shohim nesër çfarë hapi do të ketë Kukësi në krahasim me ne. Në qoftë se do të ketë një hap tjetër do e shikojmë. Unë mendoj se ne jemi favoritë nesër përsëri. Ne jemi Tirana, pavarësisht problematikave mungesa, kemi akoma lojtarë, energji brenda klubit. Edhe sikur me 18-vjeçarë të luajmë do të jemi më superiorë se ata.