Nga varësia ndaj drogës, karriera te Napoli e deri te “Dora e Zotit” që i dha Argjentinës Kupën e Botës, një udhëtim në jetën e “Djalit të Artë”, i cili bëri për vete miliona njerëz në të gjithë botën. Frazat emblemë të ish-futbollistit argjentinas dhe problemet me financat. U ngjit në majën e futbollit, por vdiq duke jetuar vetëm me pagën e trajnerit. Avokati i tij akuzon autoritetet shëndetësore pas vdekjes.
Diego Armando Maradona ishte në gjumë, duke pushuar në shtëpinë e tij në Tigre, Argjentinë, kur pësoi një arrest kardiak duke mbyllur sytë përgjithmonë në datën 25 Nëntor 2020. “Djali i Artë” ishte duke u rikuperuar në rezidencën e tij pas një ndërhyrje kirurgjikale që kishte bërë në tru më 2 Nëntor. Mjekët u përpoqën për rreth një orë për ta risjellë në jetë, por gjithçka kishte përfunduar për legjendën argjentinase.
Ndoshta, atë ditë vdiq gjysma e futbollit, sportit më të dashur në të gjithë globin. Diego Armando Maradona nuk ishte thjesht një futbollist apo sportist, ishte diçka më shumë. Brenda një trupi të vetëm ishte klasi, fantazia, dinamizmi, zgjuarsia, teknika, cilësia dhe gjenialiteti. Ishte vetë magjia e futbollit. Maradona ishte “fari ndriçues” për një futboll që si mision duhet të ketë argëtimin dhe zbavitjen e masave dhe jo individualizmin.
Natyrisht, çdo gjeni ka të metat e tij dhe Maradona kishte abuzimet përtej fushës, ato të varësisë nga droga. Një kapitull i zi, në një libër të madh dhe të pafund! Personazhi kontrovers, i cili nuk e konsideroi asnjëherë tabu të deklaronte hapur se kishte abuzuar me drogërat apo se shënoi me dorë në Kampionatin Botëror të 1986-s ndaj Anglisë.
Karriera
Diego Armando Maradona lindi më 30 Tetor 1960 në një familje të varfër në Lanus, një provincë e Buenos Aires. Kur ende nuk kishte mbushur 16 vjeç, debuton në futbollin profesionist me Argentinos Juniors. Më pas, e gjitha është një karrierë e gjatë dhe e suksesshme. Më 1981, “Djali i Artë” kalon te Boca Juniors ku luan për një sezon dhe më pas në 1982, nis një aventurë të re te Barcelona.
Pas dy vitesh në Spanjë, sulmuesi argjentinas firmos një marrëveshje me Napolin në Itali, ku luan për shtatë sezone dhe fiton 2 herë titullin kampion, 1 Kupë të Italisë, 1 Kupë UEFA dhe 1 Superkupë të Italisë. U bë njeriu i cili përkëdheli ëndrrat e çdo napolitani dhe i dha lavdi klubit të kaltër. Maradona prek kulmin e karrierës duke fituar Kupën e Botës me Kombëtaren e Argjentinës.
Në Kampionatin Botëror të 1986-s në Meksikë bën gjithçka duke e udhëhequr përfaqësuesen e tij drejt titullit. Pikërisht, në këtë moment, merr edhe epitetin “Dora e Zotit”, për shkak të golit që i shënoi me dorë Anglisë. Katër vite më vonë shkon sërish në finalen e Kampionatit Botëror, por Argjentina mundet në finale nga Gjermania duke mbetur vetëm nënkampione. Maradona e mbylli karrierën në futbollin e luajtur në 1997 me Boca Juniors. Pas pak kohësh, legjenda argjentinase nisi karrierën si trajner, duke arritur kulmin me drejtimin e Kombëtares së Argjentinës në 2008-2010.
Ai drejtoi edhe disa klube si Al-Wasl, Fujairah, Dorados de Sinaloa, duke e mbyllur si trajner i Gimnasia de La Plata në Argjentinë. Karriera si trajner është një moment jo i mirë për Diegon, duke treguar se futbolli i fushës është shumë ndryshe me atë të pankinës.
“Dora e Zotit”
Diego Armando Maradona njihej edhe si “Dora e Zotit”, kjo për shkak të golit që i shënoi me dorë Anglisë në Kampionatin Botëror 1986. Argjentinasi ishte një prej atyre personazheve në futboll, i cili asnjëherë nuk pati komplekse për të pranuar gjithçka kishte bërë gjatë jetës dhe karrierës së tij. Simboli i futbollit botëror ka zbuluar në autobiografinë e tij “I prekur nga Zoti!” të gjithë prapaskenën e golit më polemizues të të gjitha kohërave të futbollit.
Vite përpara, ai tregon se i detyroi shokët e skuadrës të festonin, edhe pse disa prej tyre ishin të frikësuar se goli do të anulohej, teksa u pa qartë që e preku me dorë. “Shiltoni (portieri i Anglisë) mendoi se do ta godisja, por unë kërceva si bretkosë. Po të shikosh këmbët e mia, do ta shihni se jam në ajër duke shkuar për lart. Më erdhi pastaj një ide që të bashkoja dorën me kokën.
I vetmi që e kuptoi se e preka topin me dorë ishte Terri Fenuik (lojtar i Anglisë), por përveç tij, askush tjetër nuk e pa. Vazhdova të vrapoja dhe nuk e ktheva kokën pas. Në momentin që po festonim, kisha nevojë për shokët e mi. Serxho Batista m’u afrua i pari dhe më tha: ‘A e preke topin me dorë?’. I thashë: ‘Qepe gojën dhe vazhdo të festosh’. Ishim të frikësuar se do të na anulonin golin. Kur isha fëmijë në Fiorito, kam shënuar gola me dorë.
Të njëjtën gjë e bëra dhe para 100 mijë vetave, por askush nuk më pa. Arbitrat panë që ne po festonim. Të gjithë po bërtisnim. Nëse bërtet kaq shumë, do të thotë që je i sigurt që goli që ke shënuar është i rregullt”, shkruan në autobiografinë e tij Maradona.
Varësia nga droga
Nga mesi i viteve 1980 deri në 2004-n, Maradona ishte i varur nga kokaina. Ai dyshohet se filloi të përdorë drogën në Barcelonë në 1983. Në kohën kur nisi të luante për Napolin, ai kishte varësi të plotë nga droga, e cila ndikonte në aftësinë e tij për të luajtur futboll. E veçanta është se ai nuk e fshehu asnjëherë këtë anë të errët të jetës, duke pranuar se ka qenë një përdorues i rregullt i drogërave.
Në intervistën e fundit për mediat argjentinase, disa javë përpara se të ndërronte jetë, Maradona deklaronte: “Unë jam në fund dhe jam shumë i lumtur. Futbolli më dha gjithçka që kam, më shumë nga sa e imagjinoja. Dhe nëse nuk do të krijoja varësi nga drogërat, mund të kisha luajtur edhe më tepër. Tani kam një dëshirë dhe ajo është që kjo pandemi të kalojë sa më shpejt dhe Argjentina ime të shkojë përpara. Dua që të gjithë argjentinasit të jenë mirë, ne kemi një vend të bukur”. Gjatë viteve të fundit të jetës, legjenda e futbollit argjentinas kaloi shumë probleme shëndetësore.
Më 29 Mars 2007, Maradona u shtrua në një spital në Buenos Aires, ku u trajtua për hepatit dhe efektet e abuzimit me alkoolin. Në ditët në vijim, kishte zëra të vazhdueshëm në lidhje me shëndetin e tij, duke përfshirë tre pretendime të rreme për vdekjen brenda një muaji. Pas transferimit në një klinikë psikiatrike të specializuar në problemet e lidhura me alkoolin, ai doli prej aty më 7 maj.
Më 8 maj 2007, Maradona u shfaq në një televizion argjentinas dhe deklaroi se kishte hequr dorë nga alkooli dhe nuk kishte përdorur drogë për dy vjet e gjysmë. Në janar 2019, Maradona iu nënshtrua një operacioni pas një gjakderdhje të brendshme që pësoi në stomak.
Frazat epike
“Djali i Artë” ishte një natyrë e hapur dhe gjithmonë i drejtpërdrejtë. Janë të shumta frazat e thëna prej tij gjatë jetës, të cilat kanë mbetur emblemë. Ja disa prej tyre:
“1. Kam dy ëndrra: E para të luaj një Botëror dhe e dyta ta fitoj atë (Qershor 1978).
2. Dua të shndërrohem në idhullin e djemve të varfër të Napolit, sepse ata janë siç isha unë në Buenos Aires.
3. Po, kam bërë sherr me Papën. U grinda me të, sepse isha për vizitë në Vatikan dhe pashë tavanin e tij plot ar dhe më pas dëgjova Papën të thoshte në kishë se shqetësohej për fatet e fëmijëve të varfër. Atëherë iu ktheva dhe i thashë: “Shit tavanin me flori miku im, bëj diçka”. (9 Nëntor 1985, pasi asistoi në Vatikan në meshën e Papa Gjon Palit II).
4. Në fushë nuk luftohet me armë, por me top. Gjithsesi jo, nuk di të flas anglisht, por edhe sikur ta njihja këtë gjuhë, nuk do ta flisja. (22 Qershor 1986, përpara sfidës me Anglinë, në Botërorin e Meksikës).
5. Nuk e preka unë atë top, ishte dora e Zotit. (29 Qershor 1986, pas dopietës historike kundër Anglisë).
6. Të luash pa publik është njëlloj sikur të luash brenda një varreze. (16 Shtator 1987, pas Real Madrid-Napoli me dyer të mbyllura).
7. E di që i kam bërë keq, pikësëpari vetes, familjes dhe vajzave të mia. Besoj se në të ardhmen do të mësoj që ta dua më shumë veten, të mendoj më tepër për të. Gjithsesi, nuk më vjen turp aspak, sepse fundja s’i kam bërë keq askujt, përveçse vetes dhe të dashurve të mi. Më vjen keq, ndiej një melankoli të thellë, vetëm këtë. Nuk dua më të jem i detyruar të luaj edhe kur nuk jam në gjendje, të vazhdoj të lejoj që të më infiltrojnë kortizon, sepse duhet të jem në fushë me detyrim për abonimet, arkëtimet, apo sepse duhet fituar një ndeshje qoftë për titullin, ashtu sikurse për mbijetesën. Në çdo ndeshje duket sikur luhet për jetën, jo për pasionin. Psikologët po mundohen të më heqin vesin e kokainës, jo atë të të jetuarit. (15 Gusht 1992, pas pozitivitetit ndaj kokainës).
8. Kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë një i droguar. (4 Janar 1996).
9. Janë të shumtë që duan të më japin një pistoletë që të vetëvritem. Por mjaft m’u lutët. (3 Shtator 1997)”.
10. Të shohësh Messi-n të luajë është më mirë sesa të bësh seks.
11. Cristiano Ronaldo është një markë e regjistruar, një fenomen i jashtëzakonshëm. Do ta lejoja që të luante edhe natën e vonë, sepse ai nuk fshihet kurrë. Nuk pranon kurrë të mungojë edhe nëse ka një dhimbje në kavilje. Çfarë karizme! Shkon në fushë, njësoj sikur të shkonte në tualet. Me të njëjtin normalitet”.
Financat
Gjatë jetës së tij, Maradona ka pasur edhe probleme financiare. Në mars të 2009-s, zyrtarët italianë njoftuan se legjenda argjentinase i detyrohej ende qeverisë italiane 37 milionë € taksa lokale, 23.5 milionë € prej të cilave ishin interesa të përllogaritura nga borxhi i tij i pashlyer. Në atë kohë, autoritetet italiane raportuan se në atë pikë, Maradona kishte paguar vetëm 42,000 €, dy orë luksoze dhe një palë vathë.
Pas vdekjes së “Djalit të Artë”, gazetari argjentinas që qëndronte shumë pranë legjendës, Luis Ventura shkruan: “Maradona nuk kishte pothuajse asgjë në llogarinë e tij bankare. Ai vdiq i varfër, pasi ata që i qëndronin rrotull, i vodhën pothuajse gjithçka”. Ventura shpjegon se Maradona jetonte me pagën që merrte si trajner i Gimnasia La Plata, klubi i tij i fundit në karrierën e trajningut. Në këtë mënyrë, konfirmohet fakti se ish-futbollisti kishte probleme të mëdha financiare gjatë viteve të fundit të jetës. Te Gimnasia La Plata, ai kishte një pagë të përafërt me 1 milion euro në vit.
Akuzat pas vdekjes
Vdekja e Maradonës është shoqëruar me akuza të forta nga avokati i ish-kampionit të Botës dhe njëkohësisht miku i tij, Matias Morla. “Ambulanca zgjati më shumë se gjysmë ore për të mbërritur, e cila ishte kriminale. Sa i përket raportit të Prokurorisë Publike të San Isidro, është e pashpjegueshme që për 12 orë, shoku im nuk kishte përkujdesje ose kontrolle nga personeli shëndetësor i dedikuar për këto qëllime.
Ky fakt nuk duhet të neglizhohet dhe unë do të kërkoj që pasojat e kësaj vdekje të hetohen deri në fund. Sot është një ditë dhimbjeje e thellë, trishtimi dhe reflektimi. Ndiej në zemrën time largimin e mikut tim, të cilin e kam nderuar me besnikërinë dhe mbështetjen time deri në ditët e fundit të tij”, deklaroi Morla.
Pas dërgimit në spital dhe bërjes së autopsisë, më 26 Nëntor 2020, u zhvillua ceremonia mortore për legjendën e futbollit argjentinas. Një turmë e pafund njerëzish ishin përpara pallatit presidencial, ku ishte vendosur arkivoli i Maradonës me fanellat që Diego kishte veshur gjatë gjithë karrierës.
Trupi i Maradonës u transportua në varrezat “Bella Vista”, ku ndodheshin mijëra njerëz, të mbajtur në distancë nga një kordon prej 1 mijë policësh. Aty u mbajt ceremonia private, në një kopsht të varrezave, ku morën pjesë familjarë dhe miq të ngushtë. Diego Armando Maradona do të prehet pranë babait dhe nënës së tij. Ndërkohë, në Napoli vendosën menjëherë të ndryshojnë emrin e stadiumit, duke ia vendosur “Diego Armando Maradona”. /Përgatiti: Besar Bozgo, Monitor/.