Nga Boldnews.al
Në fushën e futbollit ku në njërin cep luanin fëmijët dhe në tjetrën kullosnin disa lopë, zbriti Andi Lila, ish-futbollisti i Kombëtares së Futbollit. Po tregontë se aty kishte nisur të luante fare i vogël, para se karriera futbollistike e tij të kishte gjithnjë ngritje. Por xhirimit iu ndërprenë në mes. Një efektiv i policisë bashkiake të Kavajës bashkë me drejtorin sportiv i shkuan pranë Lilës dhe e urdhëruar të dilte jasht, sepse sipas tyre gjithçka ishte politike.
Në fillim me lutje, por më pas ia thanë qartë se kryebashkiaku, “Krajli” i Kavajës kishte dhënë këtë urdhër të prerë dhe duhet të zbatohej menjëherë. Lila u dëbua nga fusha, ndërsa ato pamje të trishta ku dy nëpunës detyrojnë një fotbollist të ikë nga fusha dhe të ndërpriste xhirimet e një dokumetari që po bëhej për të më së paku ngjallën neveri, krahas pakënaqësisë për sjelljen mëse harbute të zyrtarucëve lokal. Andi Lila, ky “armik” i partisë duhej larguar nga fusha për “agjitacion e propagandë” kundër pushtetit të rilindjes.
Mund të kishte kaluar disi përciptas ky skandal dhe arrogancë e pushtetit, por mendjen e turbulluan kujtimet e Sinisha Mihaloviç, një ish-futbollist i disa ekipeve në seria A italiane dhe njëkohësisht i kombëtares serbe. Sporti dhe politika janë të ndara, ku njëra bashkon e tjetra përgjithësisht ndan, Por Mihajloviç njihet si mik i famëkeqit Arkan, që drejtonte paramilitarët serb që kryen krimet më monstruoze që ka njohur njërëzimi në Bosnje dhe në Kosovë. Plot mllef sa herë i jepej rasti fliste se Kosova është Serbi dhe në çdo rast justifikonte çdo krim makabër që bëhej në emër të shovinizmit, edhe pse ishte futbollist dhe duhet të qëndronte sa më larg politikës dhe raprezaljes në emër të saj.
Por Sinisha kishte dhe ka një adhurues të madh, ai për fatin e keq është kryeministri ynë Edi Rama. Ndërsa mbante takime me mikun e tij Aleksandër Vuçiç në të ashtëquajturën “Minichengeni Ballkanik”, Rama rrëmbeu telefonin dhe në përroin e tij psiqik i nisi një mesazh sa ngushëllues aq edhe adhurues Sinishës…
“I dashur mister, jam Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, ish-lojtar i Kombëtares së basketbollit shqiptar dhe një admirues i vjetër i Sampdorias së Vujadin Boshkovit. E mora numrin tuaj të telefonit nëpërmjet mikut tonë të përbashkët, Aleksandar Vuçiç. Folëm për ju dje në mbrëmje këtu në Novi Sad. Kam dashur gjithnjë t’ju shprehja admirimin tim për egërsinë me të cilën po përballoni armikun tuaj më të frikshëm të jetës, por edhe për t’ju thënë se pasi keni mundur shumë portierë direkt nga goditjet e dënimit, ju me siguri jeni i zoti të mundni edhe hijen që është vendosur mes jush dhe portës tuaj të së ardhmes. E di shumë mirë rrezikun që mesazhe të tilla solidariteti mund të bëhen të mërzitshme për një kokëfortë si puna juaj, por ju siguroj se ky i imi nuk është një mesazh i kësaj natyre. Përkundrazi, është shprehje e një admirimi antik. Ju kërkoj ndjesë që nuk arrita t’ju shpreh më mirë ndjenjën e vlerësimit të lartë dhe simpatisë kundrejt jush, por nëse do të duhej një dëshmitar, atëherë miku ynë i përbashkët mund t’ju sigurojë se, tashmë prej vitesh, nuk ndodh asnjëherë që të mos flasim për ju si një figurë speciale në botën e futbollit. Duke ju uruar gjithë të mirat juve dhe të dashurve tuaj, nuk po ju bezdis më me shpresën se një ditë do të mund t’ju takoj personalisht. ER”.
Ky është teksti i mesazhit të Ramës, i bërë publik vetëm pak ditë më parë, duke iu referuar kujtimeve të Mihaloviç, i cili fitoi betejën e tij personale me një sëmundje të rëndë. Por “sëmundjes” së kryeministrit tonë nuk kemi çfarë ti bëjmë. Nuk ka kurë apo vaksinë dhe nuk mund të ketë një të tillë që t’i heqë atij “adhurimin” për mikun Vuçiç dhe miqtë e mikut të tij që shpesh janë personazhe që qoftë edhe në botën e artit apo sportit kanë mbrojtur indirekt dhe nxitur krime të rënda, që më shumë i kanë pësuar shqiptarët e Kosovës.
Ndokush “justifikues” mund të tentojë të argumentojë se Rama i tillë është, që për pak vëmendje shet gjithçka në emër të propagandës, imazhit të sajuar dhe qëllimeve haluçinative për ta kosnideruar vetën “lider rajonal”. Por ky nuk është rasti! Sinisha si mik i Arkanit dhe i Vuçiçit ka një mik mbi miqtë dhe kur ai individ e shet veten si mjeshtër “sporti”, edhe pse kurrë nuk shkëlqeu as si basketbollist, e po errëson si kryeministër, çedon edhe më shumë me sjelljen ndaj qytetarëve të vendit që drejton.
Shembullin e dhanë me Andi Lilën… Andi është “armik”. Është i tillë sepse së pari është futur në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike. Është “armik” mbi “armiqtë” se mbrojti edhe simbolet kombëtare në atë ndeshje futbolli në tetorin e vitit 2014 në Beograd, ku sëra e Mihajloviç me miqtë e tij, në stadiumin e çartur bërtisnin “Vdekje Shqiptarëve”…!
U dhunuan të gjithë futbollistët shqiptarë, e sërish nuk e lëshuan banderolën me simbolet tona kombëtare. Nuk sulmuan, por mbrojtën. Dhe Andi ishte një prej tyre, madje i pari që bashkë me Xhakën rendën të mbulonin me trupin që u goditej vazhdimisht simbolet tona që të mos përdhoseshin nga askush.
Por sërish Andi është “armik”, sepse nëse nuk je me pushtetin sot konsiderohesh “i padenjë” edhe për të bërë një dokumentar në një fushë të sajuar, ku “Krajleviçët” në bashki dhe miqtë e tyre në qeveri, thurin elozhe për një ish-futbollist esktremist politik si Mihajloviç dhe dëbojnë nga fusha Andin, “armikun” hipotetik të pushtetit të Rilindjes.