Prokurorja e Përmetit, Silvana Pani dështoi sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të paraqiste prova për të dëshmuar pasurinë dhe në mjaft raste i solli ato jo në formën e kërkuar. KPK shprehet në vendimin e zbardhur se Pani kishte lënë pa sqaruar dhe pa u përgjigjur disa nga çështjet për të cilat i është kaluar barra e provës, ndërsa ka dhënë shpjegime kontradiktore në disa raste të tjera.
“Me kalimin e barrës së provës, në disa raste lidhur me rivlerësimin e pasurisë, nuk ka dhënë sqarime për çfarë i është kërkuar”, thuhet në vendimin e trupës së kryesuar nga Roland Ilia, Firdes Shulin relatore dhe Etleda Çiftja anëtare.
KPK vendosi në 5 tetor të shkarkonte Panin, ndërsa në vendim thuhet se ajo kishte bërë “deklarime të pasakta, kishte “mungesë burimesh financiare me të ardhura të ligjshme për të justifikuar pasuritë dhe shpenzimet per shkak të një balance negative prej -11.592.775 lekësh për të gjithë periudhën e rivlerësimit; ka kryer fshehje të pasurisë; është në kushtet e konfliktit të interesave”.
Pani ka kundërshtuar gjetjet e Komisionit duke paraqitur analizë fiannciare paralele, ndërsa ka pretenduar se pasaktësistë ishin gabime në deklarimet vjetore dhe një pjesë e tyre të bëra gjatë kohës që vajza ishte e sëmurë. Por kjo u cilësua si jo bindëse nga KPK.
Silvana Pani e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995, duke punuar si prokurore në Përmet dhe në Gjirokastër. Pani ka qenë edhe drejtuese e Prokurorisë së Përmetit për disa vite me rradhë.
Konflikti i interesit
Pikërisht puna si drejtuese i rezultoi KPK-së të kishte një prej shkeljeve më të rënda të ish-prokurores. Komisioni tha se ajo i kishte dhënë tenderat e furnizimit me karburant të prokurorisë një kompanie në pronësi të vëllait të bashkëshortit. Në vendim përmenden dy vjet me rreth 1 milion lekë dhe një tender në vitin 2011, shuma e të cilit nuk është bërë publike.
KPK vuri në dukje se përveç lidhjes familjare me fituesin, Pani kishte pasur prokurë për ta përfaqësuar kompaninë në fjalë ligjërisht dhe financiarisht. Ajo po ashtu kishte kryer një derdhje në llogari bankare në emër të kësaj kompanie.
Pani nuk ishte bindëse kur kundërshtoi akuzën se ishte në konflikt interesi. Ajo u justifikua se vetëm tre kompani kishin qenë në garë dhe se njëra po ashtu ishte në pronësi të djalit të dajës së bashkëshortit, ndërsa ajo me të cilën nuk kishte lidhje kishte çmim më të lartë dhe karburant jo cilësor. Pani pranoi se ishte ajo personi që duhej të kishte anuluar tenderin, por tha se kishte qenë në pamundësi objektive pasi kompani jashtë qytetit nuk bënin dot oferta.
Huatë dhe lëvizjet bankare të padeklaruara
Nga hetimi KPK gjeti një sërë problemesh kryesisht të shkaktuara nga mosdeklarimi në kohë apo mosdeklarimi i plotë i një sërë veprimesh bankare prej bashkëshortit të prokurores. Sipas KPK ishin tre llogari bankare të padeklaruara dhe veprimet në to, disa hua të pa vërtetuara dhe një marrëdhënie jo fort e qartë me kompaninë e ndërtimit që i kishte shitur çiftit shtëpinë, që krijonin në fund një balancë negative prej 11.5 milion lekësh.
KPK hetoi blerjen e një apartamenti në vitin 2015, nga ku rezultoi një marrëveshje e vitit 2011 e pa deklaruar dhe një sërë lëvizjesh financiare që u konsideruar të dyshimta. Lëvizjet përfshin derdhje parash nga bashkëshorti në llogarinë bankare të kompanisë dhe kthime pas të këtyre parave nga kompania.
Komisioni po ashtu gjeti se çmimi i apartamentit kishte ndryshuar me 3 mijë euro, pa një shpjegim bindës, ndërsa nuk u bind nga Pani se pagesa ishte kryer në disa vite dhe jo e gjitha në vitin 2015 siç ishte në aktin e shitjes.
Tjetër çështje për të cilën KPK kërkoi shpjegime ishin disa hua në vlerë totale prej rreth 70 mijë dollarësh, që Pani pretendoi se ishin marrë dhe ishin kthyer pas brenda vitit dhe ishin përdorur si garanci për vizë për dërgimin e vajzës në një spital në SHBA. KPK tha se nuk kishte prova që huatë te të afërmit ishin kthyer pas, për disa prej tyre gjeti se nuk kishte burime të ligjshme dhe se llogaritë bankare në të cilat ishin vendosur paratë ishin përdorur pa u deklaruar nga bashkëshorti përtej asaj që pretendonte subjekti.
“Në përfundim të procesit, Komisioni vlerësoi se asnjë nga pretendimet e subjektit nuk justifikon mosdeklarimin e tri llogarive bankare, shtesave dhe pakësimeve të tyre, deklarime të cilat mungojnë të jenë kryer për një periudhë prej 6 vitesh nga çelja deri në momentin e mbylljes së tyre”, thuhet në vendim.
Komisioni po ashtu ngriti dyshime dhe doli në përfundimin se mosdeklarimi i llogarive ishte në fakt fshehje e të ardhurave që bashkëshorti merrte nga kompania në emër të vëllait. “ngre dyshimin se llogaritë e padeklaruara janë krijuar me të ardhura të përfituara nga z. A. P., si ortak i padeklaruar i shoqërisë “N.” sh.p.k”, thuhet në vendim.
KPK pranoi si të justifikuar se shpenzimet e mjekimit të vajzës në SHBA ishin mbuluar nga motra e subjektit. Pani kërkoi të që huatë të konsideroheshin të ligjshme, por KPK tha se ajo nuk solli dokumentacion provues për të ardhurat e huadhënësve. Në vendim vihet në dukje se shpesh herë dokumentet e sjella nuk ishin në formën e kërkuar dhe se një pjesë e dokumenteve iu dërguan KPK pas marrjes së vendimit.
Analiza financiare e xorri Panin me mungesë burimesh në vlera të konsiderueshme. Pani i kundërshtoi gjetjet dhe paraqiti një analizë të sajën, por KPK e rrëzoi atë analizë. “Për sa i takon analizës financiare të prezantuar nga subjekti, Komisioni vlerësoi se nuk mund të merret në konsideratë, pasi përpos gabimeve materiale është e paplotë dhe nuk pasqyron situatën reale të subjektit dhe të familjes së saj, bazuar në provat dhe dokumentet e administruara gjatë hetimit administrative”, thuhet në vendim. /BIRN/