Nga Ilir Kalemaj
Strategjia e Edi Ramës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare është e thjeshtë. Se sa do të jetë efektive, kjo varet jo vetëm nga mjeshtëria e ekzekutimit të saj, por edhe nga reagimi i opozitës përballë. Nëse kjo e fundit është në gjendje jo vetëm të reagojë por edhe të zhvendosë fushën e lojës, pra të jetë jo vetëm reaktive por edhe proaktive. Por cila është strategjia e mazhorancës dhe cilat mund të jenë disa nga kundër-veprimet e PD-së dhe opozitës në tërësi?
Së pari, me anë të ndryshimeve kushtetuese dhe të kodit zgjedhor u mundua njëherazi t’i kapte gafil kundërshtarët dhe njëkohshëm të mbillte farën e përçarjes mes tyre. Reagimi i opozitës të paktën deri tani është të dalin më së paku dy koalicione opozitare për të maksimizuar votën, por me koalicion parazgjedhor të dakordësuar dhe me kartën që presidenti i jep të drejtën e formimit të qeverisë mazhorancës së ardhshme parlamentare dhe jo partisë së parë. Qartazi për t’u ruajtur nga skenari që në pesë muaji kohë nga prilli kur zhvillohen zgjedhjet deri në shtator kur certifikohet qeveria e re, Rama mos të ketë mundësinë të ofrojë karrotat tunduese aleatëve opozitarë nëse arrin të dalë parti e parë.
Së dyti, PS synon të dalë forcë e parë, edhe duke nxitur direkt apo indirekt formimin e partive të reja opozitare të cilat megjithëse shanset për të nxjerrë deputetë i kanë thuajse inekzistente, mundësitë për të ngrënë nga PD dhe opozita i kanë jo vetëm teorike, duke favorizuar kështu indirekt PS që synon të përfitojë kësisoj 2-3 mandate shtesë. Opozita duhet të jetë e përgatitur për këtë skenar dhe jo vetëm të inkurajoj lëvizjet e reja që mund të “hanë majtas” por dhe të bëjë përpjekjet maksimale për unifikimin e faktorit të djathtë, mobilizimin e votuesit të saj dhe gjithashtu të kthejë në favorin e saj votuesin e lëkundur dhe atë “gri” që në Shqipëri shkon deri te 1/3 e numrit të përgjithshëm të votuesve.
Së treti, është targetimi i opozitës si e papjekur për t’u votuar dhe e paaftë për të qeverisur. Në fakt kjo nuk është as shpikje shqiptare dhe as gjetje alla-Rama. Në fakt si shumëçka tjetër nën qiellin mavi, ekzistojnë në një botë paralele dhe shpesh kopjohen pa u tëhuajtur. Kështu për shembull, opozita laburiste britanike nga 1979 deri në 1997, pra për plot 2 dekada, quhej e padenjë për të qeverisur, karikaturohej si e paaftë dhe e mefshtë nga qeveritë konservative të Margaret Thatcher-it dhe pasardhësit të saj John Major. Dhe me shumë sukses madje, deri në triumfin e dyshes Tony Blair-Gordon Brown që erdhën me formulën përtej së majtës dhe të djathtës apo ngjashëm situata në SHBA kur Bill Clinton me formulën e demokratëve të rinj arriti të thyente një monopol prej mbi një dekadë të republikanëve në krye të Shtëpisë së Bardhë, i ndihmuar jo pak dhe nga faktori i tretë Ros Perot në ato zgjedhje që hëngri jo pak nga vota republikane. Këto shembuj vlejnë jo pak dhe për rastin shqiptar, kur dihet se në momentin që je në pushtet venerohesh deri sa konsiderohesh i pathyeshëm, mit ky që përhapet edhe më shumë nga mediat pro-qeveritare që po aq shpejt ndërrojnë dhe kah kur fryjnë velat në anën e kundërt.
Së katërti, përmes deligjitimimit të PD-së dhe opozitës përmes parullave të tilla linçuese si “votoni për Bashën dhe merrni peshqesh Metën dhe Monën”, apo hapjen e diversioneve të pavlera si kjo e rezolutës së Dik Martit në të njëjtën ditë që drejtuesit kryesorë të UÇK-së gjykohen në Hagë (për krime lufte jo afera politike) duke hedhur baltë mbi luftën për liri në Kosovë dhe po në të njëjtën ditë ku Rama-Vuçiç nënshkruajnë krenarisht lëvizjen me karta identiteti. Që përkon po me të njëjtën ditë që Prishtina ngrin negociatat me Beogradin pas prononcimit të Presidentes në detyrë Vjosa Osmani.
Por si mund të reagojë PD dhe opozita ndaj kësaj ofensive politike në nivel strategjik dhe taktik. Së pari, me anë të tezës: PS nuk mund të besohet më! Si devizë, kjo është e rëndësishme pasi synon të thithë dy grupe veçanërisht të rëndësishëm, pjesën “gri” si dhe socialistët e pakënaqur. Të cilët mund të kenë qenë votues të shpeshtë apo rastësorë të PS dhe/apo partive të majta në të kaluarën. Një artikulim më i hollësishëm mund të bëhej nëpërmjet këtyre tezave: Është një fatkeqësi që ish-Partia Socialiste sot është kthyer në një parti private të Ramës. Shumë socialistë të ndershëm besonin te progresiviteti i kësaj force në të kaluarën, sot është kthyer në një forcë reaksionare, në mbështetje të plotë të oligarkisë. Ka tradhtuar çdo premtim të sajin elektoral. Sot shqiptarët janë zhytur në taksa, po largohen masivisht nga vendi, kanë humbur shpresën. A mund t’u besojmë sërish pushtet socialistëve?! (Të cilët për pushtet kanë hedhur në erë çdo koncept të shtetit).Mesazhi kryesor mund të ndahet në dy nën-mesazhe:
- Socialistët gjithmonë e rënojnë ekonominë (duke rritur borxhin, rritur varfërinë, thelluar deficitin etj);
- PS nuk mund të besohet dhe votohet si parti që mbron sigurinë kombëtare (hashashizimi i vendit, vend-numëro në procesin e integrimit, emigrimi në masë veçanërisht nga të rinjtë, qasje aspak strategjike në politikën e jashtme etj).
Këto janë vetëm disa nga piketat që u munduam të paraqesim shkurtimisht duke marrë parasysh zhvillimet aktuale dhe çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen e afërt.
*Shkruar enkas për BoldNews.al