Nga Ruben Avxhiu
Festa e demokratëve në mbarë vendin dje për fitoren e kandidatit të tyre Joe Biden, nuk mund të mbulojë faktin se me gati 71 milionë vota amerikane, Trumpizmi ka ecur përpara edhe nëse vetë Donald Trump detyrohet të largohet nga Shtëpia e Bardhë, në 20 janar 2021.
Madje për disa vëzhgues “Trumpizmi pa Trump” është formula e preferuar e shumë udhëheqësve republikanë, të cilët ia duan popullaritetin e madh Presidentit të tyre, por janë të bezdisur nga drama e përhershme mes tij dhe medias.
E vërteta është se si ata ashtu edhe demokratët do të zhgënjehen shpejt, nëse kujtojnë se ikja e Donald Trump-it nga Shtëpia e Bardhë është ikje nga politika.
Tre tregues janë shumë domethënës nga votimet e 3 nëntorit.
Së pari, asnjë president në histori nuk ka arritur të marrë mbi 70 milionë vota në zgjedhje, duke ia kaluar edhe demokratit Barack Obama në zgjedhjet historike të vitit 2008. Vërtet është rritur numri i popullsisë dhe i votuesve, po ky ishte një president që sipas demokratëve ishte përgjegjës për vdekjen e gati çerekmilionë amerikanëve prej epidemisë. Sipas tyre ai kishte armiqësuar me dështimet e tij në luftën ndaj koronavirusit votuesit e moshës së vjetër nga i vinte mbështetja kryesore. Kishte larguar nga vetja gratë e rrethinave, e shumë republikanë që mezi prisnin ta pastronin partinë nga ekstremizmat e tij. Nëse kjo ka qenë e vërtetë, atëhere duhet të pranojnë se miliona amerikanë të tjerë janë bashkuar me Presidentin Trump duke ia rritur numrin e votuesve, me gati 10 milionë më shumë se katër vjet më parë. Kjo është një rritje masive votuesish, që nuk do të zhduket nga ky vend, vetëm se pse injorohet në median kryesore të vendit. Është gati gjysma e kombit.
Së dyti, asnjë kandidat republikan për president nuk ka arritur të marrë kaq shumë vota nga pakicat në SHBA, përfshi edhe hispanikët, hebrenjtë, myslimanët, komunitetin LGBTQ, e grupime të tjera që demokratët i quajnë si kontingjent të tyre.
Mbështetja për Trump ka qenë e fortë edhe në komunitetin shqiptar dhe po kështu edhe në komunitete të tjera emigrantësh.
Këto shifra janë edhe më shumë të habitshme sepse u arritën nga një President të cilin opozita rregullisht e ka portretizuar si racist, knsenofob, anti-emigrant etj. Ato kundërshtojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë propagandën e demokratëve sipas të cilëve Trump e ka “zbardhur” partinë e tij, duke e çuar drejt një supremacie të bardhë. Përkundrazi, ai ka gjetur mbështetje në grupe, ku republikanët përpara tij kanë dështuar.
Së treti, nga të gjitha humbjet e mundshme, kjo është ajo e preferuara për Donald Trump. Një humbje për të cilën ai mund të ankohet se ia vodhën votat.
Në fakt, edhe nëse të gjitha votat për Biden kanë qenë të vlefshme, vonesa në shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve, rrëmuja me votat e dërguara me postë, përmbysja e rezultateve të natës së zgjedhjeve, një video me me komisionerë që u filmuan duke mbushur fletëvotime apo gjetja tek-tuk e emrave të votuesve të vdekur në regjistrat e shteteve si Michigan (këtë e provova edhe vetë – ndonëse vetëm dy votues), të gjitha lënë hapësirë që Donald Trump për vite me radhë të deklarojë me bindje se nuk i ka humbur zgjedhjet por ia kanë vjedhur fitoren.
Kjo situatë mund të ishte shmangur nëse votimi me postë do të organizohej në mënyrë të atillë që zarfet të dërgoheshin përpara datës së votimit, në mënyrë që rezultati të shfaqej si tradicionalisht natën e zgjedhjeve.
Tania jo iku. Është me rëndësi që aty ku e kërkon ligji të bëhen rinumërimet si dhe që të shqyrtohen me paanësi paditë e të dy fushatave, sidomos e asaj humbëse, të Presidentit Trump.
Sistemi amerikan lejon hapësirë shumë të mirë për shqyrtimin e padive në gjyq dhe është e drejta e presidentit të kërkojë mendimin e gjykatave për secilin shtet ku mendon se ka pasur shkelje. Nga ana tjetër, si është thënë disa herë tashmë në disa prej editorialeve të gazetave që e mbështesin Presidentin Trump, këto padi duhet të shoqërohen me fakte bindëse jo thjesht me akuza dhe teori konspirative. Përndryshe janë të destinuara të humbasin.
Humbja në gjyq do t’i vinte kapakun zgjedhjeve, por jo mbështetjes së miliona amerikanëve për njeriun që donin ta rizgjidhnin president. Shumë prej tyre do të vijojnë ta shohin si një udhëheqës të cilin nuk e lanë të shfrytëzonte potencialin e tij.
Ka vëzhgues që mendojnë se në fakt, pengesa më e madhe e trumpizmit ka qenë vetë Trump. Me natyrën e tij që kërkonte protagonizëm të vazhdueshëm personal. Duke iu përgjigjur vetë sulmeve edhe ndaj gazetarëve e njerëzve pa shumë emër. Ky stil luftarak i ka bërë shumë mbështetës, por edhe shumë armiq. Disa vendime politike të tij kundërshtohen thjesht se kanë ardhur prej tij sesa për vetë meritat. Arritjet në disa fusha i janë injoruar sepse shumëkush është druar që do të shihen si justifikim për deklarata ekstreme.
Një rishikim i kujdesshëm i arritjeve dhe dështimeve të presidencës së tij meriton shkrime të tjera, më të thella, por për momentin, presidenca e tij ende vazhdon. Gjykatat dhe kolegji elektoral ende nuk e kanë thënë fjalën e fundit. Dhe nëse humbet përsëri do të jetë President deri në 20 janar 2021.
Ajo që mund të thuhet pa dyshim është se edhe nëse largohet nga Shtëpia e Bardhë, ai do të mbetet një forcë e jashtëzakonshme politike, me të mirat dhe të kqëiat e saj.
Festa e djeshme e demokratëve do të kishte qenë shumë më e justifikuar nëse fitorja do të ishte arritur qysh natën e zgjedhjeve, nëse Trump do të ishte braktisur nga miliona votues e do të ndëshkohej thellë nga shoqëria amerikane. Apo të paktën nëse republikanët do ta shihnin lidhjen me këtë President si dëmtuese për shanset e tyre të rizgjedhjes.
Në fakt, e kundërta ka ndodhur. Republikanët kanë ngushtuar diferencën me Demokratët në Kongres dhe ende udhëheqin në Senat (ndonëse dy gara kyçe janë shtyrë për në janar.) Republikanët nuk humbën asnjë shumicë në legjislaturat shtetërore, madje i kanë shtuar shtetet ku gëzojnë shumicën. Këto fitore nuk janë arritur duke u distancuar nga Donald Trump, por duke u mbështetur te ai.
Edhe nëse demokratët e kanë fituar Shtëpinë e Bardhë sot, jeta politike e Donald Trump-it nuk do të mbarojë, por thjesht do të fillojë një kapitull të ri. Jashtë pushtetit, pa u kufizuar nga përgjegjësitë e qeverisjes, pa qenë nevoja të japë llogari për çfarë po ndodh në shoqërinë amerikane, i çliruar nga dekori i postit të presidentit me të cilin nuk u përshtat ndonjëherë, Trump mund ta shijojë humbjen shumë më tepër sesa mund ta imagjinojë në këtë moment.
Për shumë amerikanë e miq të tyre në botë që e shohin presidencën nga Donald Trump si një ëndër të keqe që më në fund mbaroi rrezikojnë të zgjohen e të kuptojnë se nuk ishte ëndër po realitet. Një realitet i jetës sonë të përditshme. Dhe se problemet më të thella në shoqërinë amerikane sot nuk i solli Donald Trump. Përkundrazi, ato sollën presidencën e tij. Në një farë mënyre sfida më e fortë për demokracinë amerikane, nuk mbaroi por filloi në 3 nëntor.