Nga Boldnews.al
Kafeja turke rrufitej me ëndje nga Evis Kushi që priste të merrte zyrtarisht detyrën e Ministres së Arsimit, ndërsa ministrja në ikje Besa Shahini, u detyrua në sy të Ramës ta kalonte poshtë në stomak atë kafe të hidhur lamtumire.
Kushi nuk e kishte pritur këtë “privilegj”, dukshëm ajo u surprizua kur Rama i komunikoi se do ishte ministre e re e Arsimit, pas largimit me ceremoni, me sharje e përbuzje për Shahinin, që gati dy vjet më parë e kishte pompuar si gjeni…
Kushi, nga e ardhur si deputete e qarkut Elbasan me ndihmën e Lalës së dikurshëm të bashkisë dhe me shtyrjen e të “plotfuqishmit” Ballë, u gjend në majë, pa e kuptuar, pa e kërkuar, por duke e pranuar me të dyja duart.
Pa e ngrohur mirë atë kulltuk të rëndë, ministrja e re u përball me situatën e parë absurde, ku studentëve iu komunikua se sezoni i ri do niste me mësim online, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Qindra studentë nisën protestën duke zënë rrugën para ministrisë dhe kërkuar që minimalisht mësimi të bëhej i alaternuar, online dhe në auditore.
Protestat ende vijojnë, ndërsa thirrjet e studentëve trazuan qeverinë e cila u frikësohet një proteste të dytë të madhe studentore si ajo e dy viteve më parë. Gafa e ministres ishte e pakuptimtë, pasi vetëm dy ditë para se të niste viti i ri akademik Kushi njoftoi se mësimi në fakultet e vendit do të zhvillohen online. Ndërkohë studentët kishin paguar qira banesash, detyrime në konvikte apo edhe tarifat e regjistrimit.
U vendos për mësim “online”, por pikërisht kjo është fjala më e dëgjuar brenda kampit të Rilindjes, “online”, imazh, truk dhe botë surreale. Edhe vetë ministrja Kushi mësohet se propozimin për ministre e ka marrë online nga Rama…
Studentët janë futur në një kolaps pasi një pjesë e pedagogëve nuk e njohin teknologjinë e lidhjes me sistemin “Microsoft in” i cili po përdoret në fakultete. Gjithashtu shumë studentë nuk kanë akses në internet dhe janë në pamundësi për të vijuar mësimin në distancë. Kjo është mjaft problematike sidomos për vitet e para.
Nga ana tjetër ministrja “mbrohet” pas idesë se e vendosi “Komiteti Teknik” që prania e studentëve nëpër auditore shtonte riskun e përhapjes së koronavirusit. Në të vërtetë problem është në tjetër vend. Auditorët e fakulteteve në të gjithë vendin nuk kanë kapacitet e duhura dhe është e pamundur që të kryhet distancimi fizik i studentëve, pikërisht nga mungesa e investimeve.
Kushtet katastrifike në auditorë i shohin çdo ditë të rinjtë që janë futur rrugës së dijes me shumë vështirësishë, por për qeverinë ekziston një tjetër standard dhe ajo është pjesa haluçinative me idetë e projekteve “3D”, shpërndarjen e tyre “online”, takimet “online” dhe gjithçka tjetër virtuale. Edhe ministrja e re, shumë shpejt kaloi në botën virtuale, por ende nuk e kanë kuptuar se ata protestues studentë janë real…!