Hetimi i gjyqtarëve/ Çudia në Kushtetutë, ILD, edhe “vartës”, edhe kontrollues i KLGJ

Nga Boldnews.al

Reforma në Drejtësi, krahas qëllimit pozitiv për pastrimin e gjyqësorit nga elementët e korruptuar, ka krijuar edhe disa handikape të çuditshme kushtetuese dhe ligjore.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, një strukturë që kryen hetimet disiplinore ndaj të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës, merr pozicionin e palës dhe mbron gjetjet e tij përballë Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

Por, nga ana tjetër, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka të drejtën kushtetuese për të nisur hetim disiplinor, me iniciativë apo me ankim, edhe ndaj anëtarëve të KLGJ dhe KLP.

Këtu, situata ndërlikohet dhe Kushtetuta i ka lënë mundësinë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që mund të përdorë mekanizmin e hetimit disiplinor si “mjet” për të ushtruar presion ndaj anëtarëve të Këshillit Gjyqësor apo Këshillit Prokurorial, në rast se ata nuk përkrahin gjetjet e tij ndaj gjyqtarëve apo prokurorëve.

Kushtetuta, në nenin 147/d të saj parashikon se “1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, ….”

Nga ana tjetër, neni 105 e vijues i ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” parashikon se Këshillat (pra KLGJ dhe KLP) shqyrtojnë shkeljet disiplinore dhe marrin masat ndaj magjistratëve, pas kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, në një Rregullore të miratuar pak javë më parë, i ka dhënë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë cilësinë e “palës” në procesin disiplinor, ku pala tjetër është gjyqtari, për të cilin është nisur hetimi disiplinor.

LEXO EDHE  Peticion drejtuar Ministrisë së Arsimit: Të garantohet shërbimi i internetit falas për studentët

Një Rregullore të ngjashme ka miratuar më herët edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Edhe në atë Rregullore, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është “palë” përballë prokurorëve të proceduar disiplinarisht.

Pra, pozita proceduriale e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si rregull, duhet të jetë e barabartë me gjyqtarët dhe prokurorët nën hetim disiplinor, në proceset që zhvillohen në Këshillin e Lartë Gjyqësor apo në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Por, Kushtetuta i ka dhënë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë edhe atributin e kontrollorit mbi anëtarët e KLGJ-së dhe KLP-së, zgjidhje e cila vë në dyshim procesin e rregullt ligjor ndaj magjistratëve.

Gjyqtarët dhe prokurorët që do të përballen me proceset disiplinore, duhet të mbajnë në vëmendje jo vetëm argumentat e tyre mbrojtës, por edhe faktin që anëtarët e KLGJ dhe KLP, të cilët do të vendosin për karrierën e tyre, janë vetë subjekt i kontrollit nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë.

Pra, gjithçka duket si një rreth vicioz, në të cilët magjistratët që do të vendosen në shënjestrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, mund të dalin të humbur.

Jo për saktësinë e akuzës ndaj tyre, por më shumë për faktin se anëtarët e KLGJ e KLP mund të jenë subjekt i “presionit” nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për nisje hetimi disiplinor ndaj vetë “organeve të qeverisjes” së gjyqtarëve dhe prokurorëve.