Presidenti francez Emmanuel Macron i bëri një nderim të madh mësuesit të vrarë, Samuel Paty gjatë një ceremonie përkujtimore kombëtare të mërkurën në Universitetin e Sorbonës në Paris, duke e përshkruar atë si mishërim të vlerave të tolerancës dhe arsimit dhe duke përshkruar me terma të zymta kërcënimin e islamizmit radikal.
“Ne nuk do të heqim dorë nga karikaturat,” tha Macron, duke iu referuar karikaturave të Profetit Muhamed që mësuesi Paty përdori në një orë mësimi mbi vlerat laike – dhe të cilat autoritetet thanë që çuan në ekzekutimin e tij nga një terrorist islamik.
“Samuel Paty u vra sepse islamikët duan të na vjedhin të ardhmen,” tha presidenti, duke shtuar se “kurrë nuk do t’ia dalin”.
Ceremonia, e shoqëruar nga një moment heshtjeje dhe akordimi pas vdekjes i çmimin më të lartë të Legjionit të Nderit të Francës për mësuesin, ishte kurorëzimi i një hidhërimi dhe revoltimi masiv për vdekjen e zotit Paty pranë shkollës në zonën e Parisit ku ai punonte.
Vdekja e zotit Paty ka tronditur kombin pjesërisht për brutalitetin e aktit, por edhe sepse ishte sulm ndaj asaj që shumë francezë e konsiderojnë të shenjtë – shkollat publike të kombit si qendra të mendimit kritik dhe shprehjes së lirë, së bashku me besimin e palëkundur të francezëve tek laicizmi.
Megjithatë, së bashku me lulet, marshimet dhe homazhet – duke përfshirë tubime masive në qytetet kryesore që kanë mbledhur dhjetëra mijëra vetë, vendi po përjeton reagime të ndryshme ndaj sulmit të fundit terrorist, ku përfshihen thirrjet për luftë kundër ekstremizmit islamik si dhe shqetësimi se vendi mund të jetë duke e ekzagjeruar pasionin ndaj laicizmit.
“Ekziston në Francë një kulturë politike që bie ndesh me fenë islame; konkretishti ky është laicizmi,” tha sociologu Farhad Khosrokhavar, një specialist i islamizmit radikal.
Karikaturat e Profetit Muhamet
Mësuesi Paty u vra duke shkuar në shtëpi nga shkolla të premten e kaluar siç duket në hakmarrje pasi u tregoi nxënësve karikatura të Profetit Muhamet, gjatë një ore mësimi për shprehjen e lirë. Autoritetet thanë se shtatë persona, përfshirë dy të mitur, do të paraqiten para një gjykatësi anti-terrorizmit.
Në një konferencë shtypi të mërkurën, prokurori i anti-terrorizmit Francois Ricard tha se vrasësi i zotit Paty, emigranti çeçen Abdullakh Anzorov, 18 vjeç, u dha parà si shpërblim nxënësve në shkollën ku jepte mësim zoti Paty, në periferi të Parisit në Conflans-Sainte-Honorine, për t’i treguar kush ishte mësuesi.
Dy pranuan dhe Anzorov ndoqi dhe vrau zotin Paty pas klasës, duke postuar aktin e tij makabër në mediat sociale. Pas pak, policia qëlloi për vdekje Anzorov, një çeçen etnik që kishte marrë azil dhe më vonë statusin e rezidentit në Francë.
Sulmuesi me sa duket u motivua nga një fushatë e mediave sociale kundër mësuesit për shfaqjen e karikaturave. Fushata ishte nisur nga një prind i pakënaqur, megjithëse vajza e tij nuk duket se ishte ndonjëherë e pranishme në klasën e shprehjes së lirë.
Si prindi ashtu edhe një i dyshuari si ekstremist islamik, i cili ndihmoi në përhapjen e fushatës së mediave sociale kundër zotit Paty, janë midis atyre që do të dalin para një gjykatësi anti-terrorizmit. Po ashtu edhe dy nxënës, të moshës 14 dhe 15 vjeç, të cilët u thanë hetuesve se Anzorov kishte thënë se ai kishte për qëllim të poshtëronte dhe të godiste mësuesin Paty, por jo ta vriste atë.
Goditja e qeverisë
Autoritetet franceze reaguan menjëherë, duke njoftuar dëbimin e më shumë se 250 personave të dyshuar si radikalë islamikë me origjinë të huaj. Ata gjithashtu ndërmorën dhjetëra sulme ndaj grupeve të dyshuar këtë javë, duke mbyllur një xhami dhe duke u zotuar të shpërndanin disa organizata që dyshohen për lidhje me ekstremizmin.
Midis tyre është Grupimi Kundër Islamofobisë në Francë, ose CCIF, një OJQ që merr fonde shtetërore, por që kritikët thonë se është e lidhur me Vëllazërinë Myslimane. Më parë këtë javë, Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin e denoncoi atë si një “armik të Republikës”, duke e akuzuar për mbështetjen e thirrjeve të babait të pakënaqur për sulm ndaj mësuesit, një pretendim që kreu i CCIF Jawad Bachare e hedh poshtë.
“Qeveria nuk ka qenë në gjendje të mbrojë popullsinë e saj dhe do të fajësojë dikë dhe tani na gjeti ne,” tha Bachare në një intervistë telefonike, duke e përshkruar CCIF si jopolitike dhe jofetare.
Babai i ishte drejtuar CCIF për mbështetje ligjore, shtoi ai, por grupi e kishte këshilluar të hiqte menjëherë postimet e tij në rrjetet sociale ndërsa hetonte ankesat e tij.
Vrasja e mësuesit ishte incidenti i dytë i dyshuar si akt terrorist brenda më pak se një muaji. Udhëheqës të lartë myslimanë dënuan menjëherë sulmin dhe shprehën shqetësim se myslimanët do të stigmatizohen pa të drejtë.
Laicizmi në Rrezik
Anëtarët e ekstremit të djathtë të Francës dhe disa udhëheqës të qendrës së djathtë thonë se qeveria nuk ka bërë sa duhet.
“Meqenëse terrorizmi është një akt lufte, nevojistet legjislacion i kohës së luftës” kundër islamizmit radikal, tha udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, duke kërkuar ndryshime më të gjera, duke përfshirë kufizime të mëtejshme të imigracionit.
Qeveria e qendrës e zotit Macron ka në plan të prezantojë të ashtuquajturin legjislacion anti-separatizëm në fillim të dhjetorit, i cili pritet të përqendrohet kryesisht në islamizmin radikal.
“Laicizmi është çimentoja e një France të bashkuar”, tha Macron, duke njoftuar projekt-ligjin muajin e kaluar.
Por të tjerët argumentojnë se laicizmi, ose të paktën interpretimi i tij zyrtar, është pjesë e problemit. Nga ndalimi i perçeve myslimane në plazhe te simbolet fetare në shkolla, ajo po ushqen ndarjet, paralajmërojnë ata, dhe paradoksalisht rrezikon të shtyjë disa myslimanë konservatorë drejt ekstremizmit.
Mësuesit në Rrezik
Vdekja e zotit Paty gjithashtu ka tronditur sektorin arsimor të vendit. Në tubime dhe përkujtime, mësuesit kanë dalë masivisht, duke mbajtur parulla që mbrojnë shprehjen e lirë. Në intervista, ata përshkruajnë tensionet që lindin kur u flasin për laicizmin një grupimi gjithnjë e më të larmishëm studentor, veçanërisht atyre me origjinë myslimane.
“Ka një depërtim të një religjioziteti që gjithnjë e më shumë i strukturon studentët dhe ushqen një vizion radikal,” i tha radios franceze Iannis Roder, një mësues i historisë në rajonin jashtë Parisit të Seine-Saint-Denis me shumë emigrantë. “Ajo manifestohet në akte vërtetë themelore, si disa studentë që refuzojnë të dëgjojnë muzikë gjatë Ramazanit”.
Një tjetër thotë për Zërin e Amerikës se duhet kohë t’u mësosh nxënësve tolerancën.
“Kur flet për lirinë e shprehjes duke u treguar karikatura të Muhametit duhet të mendosh për pasojat,” thotë një mësuese që nuk prezantohet me emër sepse nuk ka autorizim për të folur mbi këtë temë. Ajo ka zgjedhur një metodë më graduale duke i marrë nxënësit të vizitojnë objekte përkujtimore për Holokaustin dhe duke u shpjeguar si ngjason ajo përvojë me të kaluarën e tyre. Këto metoda japin rezultate reale, thotë ajo./VOA/