Përbindëshi që nuk ngopet/ Si u dyfishua fatura e koncesionit të mbetjeve në Tiranë

Nga Klodian Tomorri

Fatura që qytetarët paguajnë për koncesionin e mbetjeve në Tiranë ka dalë jashtë kontrollit duke devijuar frikshëm edhe nga programimet e vet qeverisë. Në vitin 2017, kur nënshkroi kontratën koncesionare për incineratorin e Tiranës, qeveria parashikonte se ky koncesion do t’u kushtonte qytetarëve 6 deri në 7 milionë euro në vit. Ky programim u ruajt deri vitin e kaluar, dy vjet pasi koncesioni kishte hyrë në fuqi dhe kompania koncesionare kishte marrë menaxhimin e Sharrës.

Më konkretisht, në buxhetin e vitit 2019, qeveria programonte se pagesa për koncesionin e incineratorit të Tiranës do të ishte 6.1 milionë euro për vitin 2020 dhe 7.23 milionë euro për vitin e ardhshëm. Por tashmë shifrat kanë dalë totalisht jashtë çdo tavani.

Sipas relacionit zyrtar të projektbuxhetit 2021, për vitin e ardhshëm qeveria do të paguajë 1 miliardë e 386 milionë lekë ose 11.2 milionë euro për koncesionin e mbetjeve të Tiranës dhe jo 7.2 milionë euro sa programohej dy vjet më parë. Pra krahasuar me programimin e dy viteve më parë, fatura që qytetarët paguajnë për incineratorin e Tiranës është rritur me 55 për qind.

Por nuk mbaron këtu. Tabelat e buxhetit tregojnë se pagesat që qeveria bën për kompaninë koncesionare Integrated Energy B.V do të vijojnë të rriten me ritme dyshifrore edhe gjate viteve ne vijim. Sipas relacionit të projektbuxhetit, për vitin 2022 pagesa për incineratorin e Tiranës do të rritet në 12.6 milionë euro, ndërsa në vitin 2023, qeveria do t’i paguajë kompanisë koncesionare 14.1 milionë euro.

E thënë shkurt, vetëm dy vjet më parë qeveria programonte në buxhet se qytetarët shqiptarë do të paguanin mesatarisht 7 milionë euro në vit për koncesionin e mbetjeve të Tiranës. Por vitin tjetër shifra arrin në 14 milionë euro.

LEXO EDHE  Shkollat në Kosovë mbyllen më 18 dhjetor, Hoti: Rinisin më 18 janar

Sipas qeverisë, arsyeja se pse fatura e incineratorit është rritur me gati dy herë mbi parashikimet fillestare lidhet me sasinë e mbetjeve të përpunuara. Sipas kontratës koncesionare, buxheti paguan 29 euro për ccdo ton mbetje që depozitohet në landfillin e Sharrës. Dhe meqë sasi e mbetjeve që depozitohen është rritur ndjeshëm mbi parashikimet fillesatare, kjo ka sjellë edhe rritjen e faturës që paguajnë qytetarët përmes buxhetit.

Por përtej justifikimeve të qeverisë, ky është një koncesion pa tavan, fatura e të cilit mund të rritet pafundësish duke u shndërruar në një përbindësh për financat publike. Mjafon vetëm një fakt për ta ilustruar. Në vetëm 5 vjet fatura që qytetarët paguajnë për koncesionin e mbetjeve të Tiranës është dyfishuar nga 7 në 14 milionë euro në vit. Në 30 vitet e koncesionit shifra do të vijojë të rritet më shumë dhe jo vetëm për shkak të rritjes natyrale të sasisë së mbetjeve që gjeneron Tirana, por edhe për shkak të manovrave që bën vetë qeveria dhe Bashkia për të ccuar para tek koncesionari, si ajo me dherat e ndërtuesve.

Tre kontratat koncesionare për ndërtimin e incineratorëve janë shndërruar tema kryesore e debatit politik në vend. Një ditë më parë Partia Demokratike dorëzoi në SPAK dosjen e incineratorit të Tiranës duke kallëzuar penalisht kryeministrin Edi Rama dhe një sërë figurash të larta të maxhorancës aktuale. Por teksa opozita i ka shndërruar incineratorët në kalin e betejes për të nxjerrë në pah korrupsionin, sipas saj, galopant të qeverisë, buxheti i shtetit vazhdon të pompojë para drejt koncesionit të mbetjeve.