Monika Kryemadhi, kryetare e LSI, e ka cilësuar si mafia e naftës atë që po ndodh në Ballsh me naftëtarët. Kryemadhi hodhi akuza të forta lidhur edhe me përdorimin e gruas së Engjëll Agaçit, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, lidhur me një kredi për të marrë rafinerinë e naftës.
“Gruaja e Engjëll Agaçit punon në një bankë të nivelit të dytë dhe po përdoret për marrjen e një kredie, që është shumë më e vogël se vlera e naftës. Ky është denoncimi i parë lidhur me atë që po ndodh në Ballsh nga mafia e naftës.
Edhe ajo video që u shfaq dje me një nga gratë naftëtare, mund tju them se ajo është kërcënuar me bukën e fëmijës, pasi djali i saj punon në Bashkinë e Tiranës. Është nga Mallakastra dhe punon në bashkinë e drejtuar nga Erion Veliaj. Është kërcënuar me vendin e punës, ndaj dhe gruaja në fjalë, për të cilën unë nuk kam asnjë gjë personale, ka bërë atë reagim dje. Turp për median që u përdor nga Veliaj dhe mafia e naftës”, tha Kryemadhi.
Kryetarja e LSI u shpreh se është e angazhuar jo vetëm në zbërthimin e kësaj skeme korruptive përsa i përket çështjes së grevës së naftëtarëve, pra mbani mend të gjithë se si punonjësit e stacionit të pompave në Poçem ishin prej 27 muajsh pa u paguar rrogat, pra bëhej fjalë për një shumë prej 230 mijë euro që ishte një shumë qesharake për buxhetin e shtetit, ku ndërkohë ata mbanin të gjithë Bashkinë e Mallakastrës me ujin e pijshëm.
Ajo tha se Shqipëria po grabitet nga sekti i Rilindjes dhe ata që janë të lidhur me të.
“Një nga problemet e mëdha që kanë qytetarët është mungesa e punës, shpopullimi i vendit, është varfëria. Mos u shqetësoni se si ne do të bëhemi deputetë, pasi ne do të marrim 100 deputetë”, tha Kryemadhi.
Pjesë nga konferenca për mediat e Monika Kryemadhit
– Ju folët për inceneratorët por ditën e djeshme Partia Demokratike ka kallëzuar në Prokurori një ish-ministër të Lëvizjes Socialiste Për Integrim i cili ka firmosur inceneratorët. A mban Lëvizja Socialistë Për Integrim përgjegjësi për këtë veprim të një ish-ministri të saj?
E para Lëvizja Socialiste Për Integrim nuk mban asnjë lloj përgjegjësie për sa i përket angazhimeve personale të secilit prej nesh. Lëvizja Socialiste Për Integrim do të mbante përgjegjësi në qoftë se do të kishte qenë palë në këtë miratim. Do t’ju rikujtoja për sa i përket çështjeve të inceneratorëve ka qenë zoti Petrit Vasili i pari që e ka kundërshtuar dhe e ka sulmuar edhe pse ndërhyrja herë pas here e zotit Koka në strukturat e partisë për të mbyllur gojën për këtë gjë ka qenë pothuaj e shpeshtë, por asnjëherë Lëvizja Socialiste për Integrim nuk e ka pranuar, unë do t’ju kujtoja ku para 2 viteve Monika Kryemadhi ka qenë në krye të protestës në Vërri përsa i përket protestës për inceneratorit të Fierit dhe dua t’ju theksoj që Lëvizja Socialiste për Integrim nuk bën asnjë lloj kompromisi me këdo, kushdo qoftë ai edhe drejtues i LSI-së për të ndërtuar pasurinë apo lumturinë e tij personale në kurriz të popullit dhe qytetarëve shqiptar.
– Ju pasditen e djeshme keni publikuar një video ku hidhnit poshtë të gjithë përplasjen e naftëtarëve për çështjen e grevës, përse e sulmuat Z. Rama në atë status në facebooku, pra çfarë ka ndodhur në atë video dhe në atë dëshmi që u bën publike në media, si qëndron e vërteta?
Në fakt e kam parë videon shumë vonë se po ta kisha parë që në orën që është hedhur nga televizioni në fjalë që për mua është mungesë profesionalizmi në radhë të parë, nuk dua ta quaj gjobë ose blerje të ndonjë gazetari, apo të një drejtuesi televizioni nga kryetari i Bashkisë së Tiranës apo nga ndonjë drejtor apo drejtoreshë banke që është gruaja e Ëngjëll Agaçit, ajo që unë dua të theksoj është që mashtrimi i djeshëm ishte për hir të së vërtetës.
Mashtrimi i djeshëm tregonte se sa poshtë janë, sa e pamoralshme është mënyra se si kanë ndërtuar jo vetëm jetën e tyre në institucionet që ndërtojnë, por se si fusin në llumin e tyre, si kërcënojnë edhe qytetarë apo hallexhinj si zonja në fjalë, që kërcënohet me bukën e gojës së djalit, i cili punon në Bashkinë e Tiranës, ka ardhur nga Mallakastra dhe është punonjës këtu. Nuk kam gjë as me zonjën apo grevistet, sepse ato reaguan menjëherë, por mafia e naftës që grabit një nga pasuritë më të mëdha të vendit që është gati 22% e GDP në Shqipëri dhe shkon jashtë vendit, i gjithë sistemi i grabitjes së rafinerisë është bërë në mënyrë të paligjshme. Kapja e kësaj nëpërmjet strukturave apo zyrave të përmbarimit, që kanë qenë vëllezër të ministrave të Rilindjes de që sot janë pranë Bashkisë së Tiranës, përdorimi i gruas së Ëngjëll Agacit në një bankë private për të rimarrë dhe për të marrë rafinerinë e naftës së Ballshit për një kredi që është shumë pak, kur në fakt vlera është e jashtëzakonshme. Shpërdorimi i të gjithë prodhimeve të naftës, të gjithë puseve në Shqipëri, duke filluar që nga Fushë-Marinëza, Sheqi, etj. Janë prodhime që shiten për një kafshatë bukë te vendet e tjera për 0.4 dollarë dhe pastaj shqiptarët e blejnë me 1.6 dollarë. Ne do ta vazhdojmë edhe më tutje mafian e naftës, por të vërtetëat nuk i fshehin dot dhe aq më shumë duke provokuar Monika Kryemadhin dhe LSI me një video të tillë që ishte absurde.
Ky është vetëm fillim, gruaja e Ëngjëll Agacit është vetëm hapi i parë, të gjithë të tjerët që janë të përfshirë në këtë aferë korruptive që kanë grabitur jo vetëm naftëtarët dhe punonjësit e rafinerisë së naftës në Ballsh, por ndërkohë kanë grabitur të gjithë qytetarët e Roskovecit, Patozit, Fierit, dhe që çdo ditë duan ta shkretojnë qarkun e Fierit dhe gjithë Shqipërinë në mënyrë për të bërë si tu dojë qefi. Ne nuk ndalojmë asnjë gazetar, asnjë analist, asnjë televizion që të suportojë Erion Veliajn sepse ne e dimë shumë mirë që sot për televizionet është shumë e vështirë për të mbijetuar, as që të suportojnë Edi Ramën dhe të na suportojnë ne. Nuk duam të na ndihmoni, duam të na jepni atë që na takon.