Hysen Hajdaraj punoi si përgjegjës për sigurinë dhe mirëmbajtjen për më shumë se një dekadë në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, përpara se të lirohej nga detyra në fillim të muajit gusht si pasojë e një konflikti 1-vjeçar me drejtuesin e këtij institucioni.
Hajdaraj ka bindje politike të djathta, por ato nuk e penguan më parë që të merrte vlerësime profesionale pozitive nga drejtorë të njëpasnjëshëm të Galerisë.
Gjërat ndryshuan pas ardhjes në krye të Galerisë së kuratorit dhe artistit nga Kosova, Erzen Shkololli, i cili në mes të vitit 2019 i dha dy paralajmërime për largim nga puna dhe e transferoi Hajdarajn me zyrë në një magazinë në katin përdhes të galerisë – pa dritare, pa ajrim dhe gjithashtu me një gropë septike të hapur.
“Kishte jo banjo siç është banjo e mirëfilltë, por ishte gropa për banjo, gropa septike,” kujton Hajdaraj, ndërsa thekson se magazina mbante “erë shumë të keqe” kishte shërbyer për një dekadë për fondin e veprave të artit dhe veglat e punës së punëtorit të mirëmbajtjes.
“Kur u hapte dera në orën 8 të mëngjesit, aty deri në 11 nuk ikte era,” tregon Hajdaraj, ndërsa shtoi se në atë ambient të papërshtatshëm ishte detyruar të punonte për një vit me motivacionin se galeria ishte në rikonstruktim.
Pas një hetimi administrativ 6-mujor që përfundoi në qershor 2020, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi do ta vlerësonte trajtimin e punonjësit të Galerisë Kombëtare të Arteve, GKA një rast viktimizimi dhe trajtimi të padrejtë për shkak të bindjeve politike.
Vendimi i Komisionerit kundër GKA-së nuk është një rasti i veçuar. Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjatë viteve të fundit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka marrë qindra ankesa për diskriminim për shkak të bindjeve politike, duke konstatuar dhjetëra raste trajtimi të pabarabartë në radhët e administratës publike.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda i tha BIRN se ka ardhur koha që institucionet të mësojnë t’i vlerësojnë punonjësit në bazë të aftësive profesionale dhe jo në bazë të bindjeve politike që ata kanë.
“Ne jemi të ndërgjegjshëm për një ambient politik opozitar jo miqësor në Shqipëri,” theksoi ai.
KMD e urdhëroi Galerinë e Arteve ta ndalonte trajtimin diskriminues ndaj Hajdarajt dhe ta sistemonte 41-vjeçarin në një ambient të përshtatshëm pune, por ndodhi e kundërta.
Dy muaj pas vendimit, GKA e largoi atë nga puna dhe e hodhi Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi në gjyq. Të pyetur nga BIRN për vendimin e KMD-së, Shkololli dhe një zëdhënëse për GKA-në nuk komentuan deri në publikimin e këtij shkrimi.
Diskriminim i gjithëpërhapur
Shqipëria është një vend kandidat në Bashkimin Europian dhe në mars, Këshilli i Bashkimit Europian rekomandoi hapjen e negociatave për anëtarësim; megjithatë, theksoi se përpara konferencës së parë ndërqeveritare, Tirana duhej të bënte progres për një sërë prioritetesh, përfshirë reformën e administratës publike.
Por ekspertët mendojnë se në klimën aktuale politike, kjo është e vështirë të ndodhë, pasi reforma e shërbimit civil minohet vazhdimisht nga pushteti i partive politike dhe ndikimi i paligjshëm i tyre mbi strukturat shtetërore.
“Për shkak se shteti është punëdhënësi më i madh në Shqipëri, bën që automatikisht lidhja midis partive dhe strukturave shtetërore të cënojë administratën publike,” thotë Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime Politike.
Neni 1 i ligjit ‘Për mbrojtjen nga diskriminimi’ rregullon zbatimin dhe respektimin e parimit të barazisë në lidhje me bindjet politike.
Vetëm gjatë dy viteve të fundit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka marrë 123 ankesa nga punonjës të administratës publike për diskriminim për shkak të bindjeve politike, ku në 44 raste ose 34 % të totalit, Komisioneri ka nxjerrë vendim në favor të ankuesit.
Raste të diskriminimit me bazë politike janë vërejtur në shkallë të ndryshme të administratës publike, në qeveri dhe njësi të qeverisjes vendore, si dhe ndaj të punësuarve në kompani shtetërore.
Ato përfshijnë punonjës të niveleve të ndryshme, duke u luhatur nga shoferi i një ambulance në një qendër shëndetësore rurale në Skrapar dhe deri te drejtues ‘politikë’ institucionesh në Tiranë.
“Arsyet e këtyre rasteve të shpeshta të diskriminimit për shkak të bindjes politike – pavarësisht njohjes së legjislaturës nga ana e administratës shtetërore apo institucioneve private, janë të ndryshme,” tha Gajda.
“Ne urojmë që këto raste të diskriminimit të zhduken, pasi u bë kohë e mjaftueshme që administrata të kuptojë se njerëzit duhet të vlerësohen për shkak të aftësive dhe jo për shkak të bindjeve – jo vetëm politike, por edhe çdo përkatësie tjetër,” shtoi ai.
Një prej ankesave të trajtuara nga Komisioneri i përket dhe ish-drejtueses së qendrës komunitare ‘Gonxhe Bojaxhi’ në bashkinë e Tiranës, Arba Zaçe – anëtare e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet.
Me 31 janar 2019, Zaçe u emërua nga kryetari i bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj si drejtoreshë e qendrës komunitare, por tre javë më vonë, ajo mori pjesë në protestën e zhvilluar më 16 shkurt nga opozita me cilësinë e anëtares së PDIU-së.
Dy ditë pas protestës, në median online u shfaqën artikuj që aludonin se kryebashkiaku Veliaj e kishte mbështetur protestën, duke sjellë si argument pjesmarrjen e përfaqësuesve të PDIU-së, ku përveç zonjës Zaçe kishin marrës pjesë edhe nënkryetarja e bashkisë nga radhët e PDIU si dhe drejtori i tregjeve.
Pjesmarrja në protestën e opozitës u kushtoi atyre humbjen e vendit të punës.
Në 10.30 të mëngjesit të 17 shkurtit 2019, Arba Zaçe u thirr nga drejtoresha e burimeve njerëzore dhe u njoftua se ishte shkarkuar nga puna për shkak të pjesëmarrjes në protestë.
“Drejtoresha e Burimeve njerëzore ma tha hapur, të kam thirrur sepse duhet të largohesh nga puna për shkak të protestës,” kujton Zaçe.
Ish-drejtoresha e qendrës komunitare bëri ankesë pranë Komisionerit për Mbrojtje nga Diskriminimi për trajtim të pabarabartë nga bashkia Tiranë, duke theksuar se punonjësit e saj që i përkasin Partisë Socialiste, nuk largohen nga puna kur marrin pjesë në aktivitete politike.
Zaçe i tha BIRN se vetëm pak ditë pasi ajo ishte e larguar nga puna, Partia Socialiste kishte mbajtur një aktivitet politik në sheshin ‘Nënë Tereza’, ku morën pjesë këshilltarë të kryetarit dhe drejtorë të bashkisë.
“Drejtorët ishin në aktivitet dhe e kishin nxjerrë për qejfin e tyre në Facebook, dhe bëjnë shumë mirë që i nxjerrin, s’i paragjykon njeri,” tha ajo. “Po pse duhej të paragjykohej pjesa tjetër,” pyeti Zaçe.
Me vendim 83, të datës 2 korrik 2019, Komisioneri konstatoi se ankuesja ishte diskriminuar për shkak të bindjeve të saj politike.
“E drejta për të shprehur mendimet dhe bindjet politike, sidomos në forma qytetare nëpërmjet tubimeve, është një e drejtë kushtetuese dhe liria për të marrë pjesë është e garantuar,” shprehet KMD-ja në vendim.
Bashkia e Tiranës e ka kundërshtuar vendimin e Komisionerit në Gjykatën Administrative Tiranë, e cila e ka shfuqizuar vendimin e Komisionerit. Vendimi i shkallës së parë është ankimuar nga KMD-ja në Gjykatën Administrative të Apelit.
Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj një kërkesë për koment mbi vendimin e Komisionerit për Mbrojtje nga Diskriminimi. Ndërsa Komisioneri Gajda i tha BIRN se pjesa dërrmuese e vendimeve për diskriminim për shkak të bindjeve politike ankimohen nga institucionet në gjykatë.
“Në pjesën më të madhe, vendimet tona që lidhen me diskriminim për shkak të bindjes politike ankimohen në Gjykatën Administrative dhe ka raste që shkojnë deri në Gjykatën e Apelit,” tha Gajda.
“Ka raste kur organi e zbaton vendimin e Komisionerit, por mbi 90% e çështjeve shkojnë në gjykatë, kështu që dhe gjykata ka mundësi të shqyrtojë shkeljen ligjore në radhë të parë dhe situatën diskriminuese në radhë të dytë,” shtoi ai.
Kosto e dyfishtë e largimeve nga puna
Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, numri i të punësuarve në administratën publike deri në vitin 2018 ishte 173 mijë. Nga kjo shifër, vetëm 12,758 punonjës gëzojnë statusin e nëpunësit civil. Sipas ligjit, ky status ka për qëllimi krijimin e një “shërbimi civil të qëndrueshëm, profesional, të bazuar në meritë, integritet moral dhe paanësi politike.”
Megjithatë, edhe kjo kategori punonjësish nuk është e mbrojtur nga largimet e paligjshme nga puna. Sipas progres raportit të Bashkimit Europian në vitin 2019, pati 896 shkarkime të punonjësve civilë nga puna, një rritje e ndjeshme nga viti i mëparshëm kur u regjistruan 596 shkarkime të punonjësve të administratës publike që e gëzojnë këtë status.
Sipas të dhënave të Thesarit të përpunuara nga BIRN, gjatë vitit 2019, pagesat e vendimeve gjyqësore për largim të padrejtë nga puna arritën në 1.3 miliardë lekë ose 10.2 milionë euro.
Ish-drejtoresha e qendrës komunitare ‘Gonxhe Bojaxhi’, Arba Zaçe i tha BIRN se marrëdhënia e partive politike me administratën është toksike.
“Nuk ka ndarje te ne, këtu tek ne nuk të lënë që t’i të kesh punën tënde dhe të gjykohesh për performancën që jep në institucion dhe pastaj pjesa politike të jetë komplet e pavarur,” tha ajo. “Mendoj se do të jetë shumë e vështirë që të ndodhë kjo gjë,” shtoi Zaçe.
Politologu Afrim Krasniqi mendon se kjo situatë vjen si pasojë e traditës së dobët institucionale në vend.
“Ne jemi një shoqëri që prej kohësh nuk kemi pasur një strukturë shtetërore të pavarur, dhe si të tillë, ne e kemi gati të pamundur të krijojmë një kulturë dhe një brez ku individi të ndihet i pavarur, i mbrojtur dhe i barabartë përballë ligjit, pavarësisht ndryshimit apo rotacionit të partive politike,” tha Krasniqi.
Për punonjësit e administratës të larguar nga puna, diskriminimi për shkak të bindjeve politike sjell jo vetëm kosto financiare për shkak të proceseve të stërzgjatura gjyqësore, por edhe ngarkesë psikologjike.
Hysen Hajdaraj i tha BIRN se përveç kostove financiare që duhej të përballonte, si kryefamiljar ai e kishte përjetuar keq largimin nga puna pas 11-vitesh në Galerinë Kombëtare të Arteve.
“Institucioni i Galerisë mua më ka dhënë dhe i kam dhënë,” tha Hajdaraj. “Ndjehem tej mase i diskriminuar, i përçmuar nga e gjithë djersa që unë kam dhënë në atë institucion për vite me radhë,” përfundoi ai. /BIRN/