Pensionisti Reja dhe shpërfytyrimi i kombëtares kuq e zi/ Shqipëria merr ‘fytyrën’ e trajnerit

Kombëtarja shqiptare e futbollit sa vjen e shpërfytyrohet, që prej mometit që në krye të saj erdhi Edi Reja, edhe pse u duk si shpëtim i madh pas gropës së madhe të rezultateve që kishte lënë paraardhësi i tij, Kristian Panuçi.

Kombëtarja shqiptare pas 4 ndeshjesh në Ligën e Kombeve ka grumbulluar vetëm 5 pikë, në një kohë që duhet të kishim 12 pikë të plota, duke parë se çfarë kundërshtarës kemi në grup, si Bjellorusia, Lituania, apo Kazakistani.

Në 4 ndeshje kemi shënuar vetëm 2 gola, ndërkohë që prej dy ndeshjesh Reja ka vendosur me ‘kokëfortësinë’ e tij të lërë jashtë skuadrës sulmues si Cikalleshi dhe Balaj.

Mungesa e rezultateve apo humbjet nuk është se janë të panjohura për opinionin dhe tifozët shqiptarë, por loja e shëmtuar, mungesa e grintës dhe personalitetit sigurisht që janë disa fenomene që realisht i njohim për herë të parë.

Shqipëria e Medin Zhegës, Astrit Hafizit, Neptun Bajkos, apo të huajve Brigel, Kuzhe, apo shqiptaro-italianit De Biasi na ka sjellë shumë herë gëzim, më shumë hidhërime por asnjëherë poshtërim, pasi edhe pse kemi pësuar në minutë të fundit, kemi luajtur futboll, kemi dhënë shpirtin madje shpesh edhe na kanë vjedhur por prapë jemi ringritur.

Ndërkohë që me Shqipërinë e Rejës thjeshtë po shohim 11 persona që shëtisin fanelat në fushën e blertë.

Sa për kujtesë, me përjashtim të Giani de Biasit i cili arriti majat me kombëtaren shqiptare, asnjë trajner tjetër italian nuk i ka shkuar për shtat Shqipërisë tonë të futbollit.

Bepe Dosena, një dështim, i cili më shpejt iku se erdhi, Panuçi do mbahet mend vetëm për arrogancë dhe asgjë më shumë, kurse Reja si pensionisti që e morëm me forcë në kombëtare.

Me të drejtë në tryezat e shqiptarëve apo në lokalet ku sot diskutohet për futboll shpesh dëgjohet e njëjta pyetje: ‘Nuk kishte pensionist italian më të ri në moshë që shkuan dhe morën Rejën?’.

Pyetje të cilët sot duhet t’i japë përgjigje Federata Shqipëtare e Futbollit, e cila sëfundmi vetëm për fuboll duket se nuk po interesohet.

Krenaria e futbollit shqiptar prej disa ndeshjesh ka marrë fiks ‘fytyrën’ e trajnerit, që është një kombëtare e ‘plakur’ në lojë, pa grintë, pa shpirt gare dhe për më tepër pa atdhedashuri.

Në ndeshjet e fundit të kombëtares tonë kemi parë futbollistët që vijnë vërdall në fushë dhe presin të mbarojnë minutat, njësoj si trajneri Reja që pret të shtyjë pensionin në vendin tonë. /Taulant Halili/ Boldnews.al