Bojkoti i Superligës, Kokëdhima tregon tre skenarët për fatet e sezonit

Presidenti i Apolonisë Koço Kokëdhima është një nga të zgjedhurit e Ligës Profesioniste për të negociuar me qeverinë për plotësimin e kërkesave të klubeve të futbollit, por njëkohësisht edhe një nga mbështetësit e promovuesit kryesorë të bojkotit të futbollit momentalisht në vend.

Pasditen e sotme Kokëdhima ishte në një lidhje direkte me emisionin “Sport Time” në Supersport, ku zbuloi edhe tre skenarët e mundshëm të zhvillimit të Superiores, nga më i miri te më i keqi, që parashikon mbajtjen pezull të futbollit deri në muajin prill.

“Tre skenarë janë në diskutim.

I pari është të mos luhet kampionati fare, deri në prill dhe atëherë të bëhet një sistem grumbullimi dhe të bëhen ndeshjen me vetëm një takim, ku të vendoset gjithçka. Kjo për të mos krijuar problem me botën e futbollit.

Skenari i dytë është të zgjidhen çështjet deri në janar dhe të luhet me dy faza. I treti është që qeveria të tregohet e arsyeshme, të bëjmë një marrëveshje dhe t’i hapim rrugë reformave për të ecur para. Futbolli është duke marrë fund dhe nuk ka pasur asnjë polemikë në mbledhje”, tha Kokëdhima.