Kolegji i Posaçëm i Apelimit vlerëson se ish-kryetari i Gjykatës së Kurbinit, Alfred Gjoni fshehu pasurinë në mënyrë të qëllimshme dhe cenoi besimin e publikut tek drejtësia.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i ka rrëzuar të gjitha shkaqet e ankimit të ngritura nga ish-kryetari i Gjykatës së Kurbinit, Alfred Gjoni kundër konkluzioneve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, që vendosi më 14 janar 2019, shkarkimin e tij nga detyra.
Trupi gjykues i KPA, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Luan Daci dhe Rezarta Schuetz anëtarë, vlerëson se Gjoni ka fshehur pasurinë nëpërmjet deklarimeve të rreme; ka shfaqur defekte serioze në aftësitë e tij profesionale; si dhe se ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia me sjelljen e tij gjatë hetimit administrativ.
Ndërkohë, KPA shprehet se vëren të nevojshme veçimin e atyre konkluzione të Komisionit për të cilën Kolegji ka një këndvështrim e një kualifikim të ndryshëm ligjor dhe jep orientime lidhur me kualifikimin e shkaqeve që duhet të konsiderohen si shkarkuese.
Alfred Gjoni e ka filluar karrierën në vitin 1995 dhe ushtron funksionin e gjyqtarit prej më shumë se 20 vitesh. Ai drejton Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kurbin prej vitit 2010.
Pasuritë e fshehura
Kolegji ashtu si edhe Komisioni, vlerëson se ish-gjyqtari Gjoni ka fshehur një apartament në Durrës dhe i rrëzon pretendimet e tij të paraqitura në ankim, se kishte arritur të provonte që kushëriri i tij H.Gj. në favor të të cilit figuron e regjistruar kjo pasuri, ka pasur të ardhura të ligjshme për ta blerë.
Gjoni nuk e ka deklaruar këtë pasuri, por ka qenë një denoncim anonim që ka zbuluar se ai përdorte këtë pronë që prej vitit 2009. KPK nuk i ka konsideruar pretendimet e Gjonit se kushëriri H.Gj. kishte krijuar të ardhura nga toka bujqësore e blegtoria, duke i cilësuar deklarative. Po ashtu, nuk janë konsideruar edhe pretendimet e tjera të Gjonit se H.Gj. kishte marrë dy hua në shumën 2 milion lekë në vitin 2010, pa interes dhe me afat deri në vitin 2025.
Edhe KPA ka arritur në përfundimin se gjyqtari nuk ka arritur të japë shpjegime të qarta në lidhje me marrëdhënien e tij me këtë pasuri.
“Kolegji konstaton se shpjegimet që subjekti i rivlerësimit ka dhënë në lidhje me marrëdhënien tij me këtë pasuri, janë kontradiktore e të paarsyeshme, ato nuk bindin për vërtetësinë e deklarimit të tij se ai ka vetëm të drejta përdorimi mbi këtë apartament, por ngrenë dyshime forta për paraqitjen e rrethanave të rreme, të cilat tentojnë të fshehin nga kontrolli apo verifikimi një marrëdhënie të një natyre tjetër, që është ajo e pronësisë me këtë pasuri”, citohet në vendim.
Gjithashtu, Kolegji evidenton se Gjoni nuk e ka deklaruar përdorimin e kësaj pasurie dhe se fillimisht e ka mohuar një gjë të tillë. Në vijimësi ai ka pranuar se e ka përdorur në vitet 2011-2012, si i ftuar i familjes pronare e truallit ku është ndërtuar pallati, ndërsa në vitet 2013-2014 me lejen e kushëririt të tij H.Gj., që është shprehur se e kishte blerë këtë apartament për t’ua lënë fëmijëve.
Trupi gjykues evidenton faktin se H.Gj. e kishte zotëruar apartamentin në vitin 2010, kur edhe është shlyer çmimi në vlerën 9 milionë e 750 mijë lekë dhe se subjekti nuk kishte arsye të ftohej nga pronarët e tokës në vitet 2011 e 2012.
KPA shprehet se ish-gjyqtari Gjoni ka patur të drejta për përdorimin e apartamentit nga viti 2011 e në vazhdim, ndërkohë që pronari ligjor i papartamentit, H.Gj, nuk e ka përdorur asnjëherë për veten apo familjen e tij këtë pronë.
Duke analizuar mungesën e burimeve të ligjshme nga H.Gj. për të blerë këtë pasuri dhe gjithë sjelljen e ish-gjyqtarit Alfred Gjoni, Kolegji arrin në përfundimin se kjo pronë është është një pasuri e fshehur e subjektit të rivlerësimit dhe se ai është përpjekur të deformojë faktet që tregojnë natyrën e marrëdhënies së tij me këtë pasuri.
Ashtu si KPK, edhe KPA vlerëson se Gjoni, duke mosdeklaruar përdorimin e tri automjeteve luksoze, ka kryer fshehje pasurie.
Nga hetimi ka rezultuar se ai ka patur në përdorim tri automjete, bazuar në kontratat e huapërdorjes lidhur mes tij dhe pronarëve të këtyre automjeteve, konkretisht: një “Audi Q 7”, marrë në përdorim në gusht të 2014-ës; automjetin, tip “Mercedes Benz 204” me kontratë të tetorit 2014 dhe automjetin tip “Daimler Chrysler”, me kontratë huamarrje të nëntorit 2015, të gjitha me afat të pacaktuar, me të drejtë për të qarkulluar brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë.
“Kolegji çmon se mosdeklarimi i disa rrethanave të tilla nuk është një harresë njerëzore, por një sjellje e qëllimshme e subjektit për të mos paraqitur me vërtetësi marrëdhëniet e tij të përdorimit me këto sende, në funksion të shmangies së kontrollit nga organet e rivlerësimit të këtyre pasurive,” vlerëson trupi gjykues.
Me tej Kolegji konstaton se Gjoni ka kryer deklarim të rremë në deklaratën veting lidhur me burimet financiare që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti banimi me sipërfaqe 60 m2 në vitin 2001 në Tiranë, për vlerën 1.9 milion lekë. Për krijimin e kësaj pasurie, ai ka deklaruar kursimet nga paga ndër vite dhe kontributin e familjarëve nga shitja e pronave në qytetin e Laçit.
Kontributi i familjarëve nuk është konsideruar në analizën financiare, pasi nga hetimi ka rezultuar se të ardhurat e siguruara nga shitja e pronave, Gjoni i ka deklaruar edhe si dhuratë, edhe si hua.
“Ka ndryshuar deklarimin për sa i përket marrëdhënies juridike të tij me këtë shumë, duke deklaruar se ajo nuk është dhuratë, por një hua, e cila do të shlyhet pas 34 vitesh,” konstaton trupi gjykues dhe shton se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të provojë as marrëdhënien e huasë dhe as burimet e ligjshme të babait.
Gjithashtu, janë rrëzuar edhe pretendimet e tjera të Gjonit të paraqitura pas kalimit të barrës së provës, se familjarët i kanë siguruar të ardhura prej aktivitetit tregtar të një bar-bufeje në qytetin e Laçit në vitet 1994-1996 dhe nga toka bujqësore.
Ndërkohë, Kolegji vlerëson ndryshe lidhur me konkluzikonin e KPK se çmimi i paraqitur në kontratë në vlerën 1.9 milion lekë duket i dyshimtë dhe i pajustifikuar.
“Mbetet një konkluzion i pasaktë për sa kohë që referon në mënyrë të panevojshme zbatimin e një legjislacioni mbi çmimet e banesave shtetërore në një fushë të qarkullimit civil që del jashtë fushës së mbulimit të këtij akti, por duket edhe një konkluzion i panevojshëm për t’u adresuar në këtë proces, për sa kohë që ai nuk lidhet me ndonjë situatë të mundshme konflikti interesi apo marrëdhënieje të dyshuar si të lidhur me detyrën për subjektin e rivlerësimit,” çmon Kolegji. Sipas KPA, ky konkluzion nuk mund të shërbejë si një shkak për shkarkimin nga detyra.
Kolegji vlerëson ndryshe edhe lidhur me konkluzionin e Komisionit se mosdeklarimi i një huaje në shumën 495 mijë lekë që ka dhënë Gjoni në vitin 2009, është një shkelje shkarkuese.
KPA nënvizon se shkeljet e konstatuara të ligjit të bëra në deklaratat periodike, do të jenë të analizueshme dhe të përdorshme në drejtim të verifikimit dhe kontrollit të deklarimeve të subjektit të rivlerësimit në deklaratën e pasurisë veting, por se ato nuk mund të ngrihen në nivelin e një shkaku shkarkimi si të vetme.
Gjithashtu, KPA çmon se mungesa e deklarimit të kësaj marrëdhënieje në deklaratën e pasurisë vetting nuk konsiderohet si shkelje e ndonjë detyrimi ligjor, duke arsyetuar se subjektet duhet të pasqyrojnë detyrimet apo kreditë që kanë ndaj personave të tretë në momentin e plotësimit të deklaratës vetting.
Sipas trupit gjykues, në këtë rast, huaja dhe shlyerja e saj i përket një kohe të shkuar dhe se nuk prodhon më asnjë pasojë ligjore në vitin 2017, kur është plotësuar deklarata veting.
Trupi gjykues i KPA vlerëson ndryshe nga Komisioni edhe lidhur me konkluzionin e këtij të fundit se Gjoni ka kryer fshehje të pasurisë duke mos deklaruar pjesën takuese të bashkëshortes në një apartament me sipërfaqe 83 m2 në Bluqizë.
Edhe pse Kolegji vëren se kjo pasuri duhej të ishte deklaruar, çmon se nuk qëndron konkluzioni i KPK për të konsideruar këtë pasaktësi si fshehje të pasurisë, për sa kohë nuk rezulton të jetë i lidhur me ndonjë përpjekje për ta fshehur.
KPA ka rrëzuar pretendimin e Gjonit lidhur me kohën e ndërtimit të një shtese 47.74 m2 të legalizuar në 2013-ën, për të cilën KPK konkludon se subjekti ka kryer deklarim të rremë dhe se nuk ka pasur burime financiare ligjore për krijimin e kësaj pasurie.
Ndryshe nga sa pretendon Gjoni, se ndërtimi i kësaj shtese ka filluar në 2011-ën, Kolegji vëren se subjekti i rivlerësimit e ka vetëdeklaruar pranë ALUIZNI-t këtë shtesë që në vitin 2006 dhe se ky fakt provon se objekti ka qenë i përfunduar në atë vit.
Porblemet e profesionalizmit shkarkuese
Kolegji e ka rrëzuar ankimin e Gjonit se nuk mund të konsiderohet shkak shkarkimi vonesa në trajtimin e çështjeve dhe arsyetimin e vendimeve, me pretendimin e subjektit se kjo duhet vlerësuar në raport me ngarkesën e punës.
Sipas Kolegjit, subjekti i rivlerësimit, në mënyrë të vazhdueshme, ka shfaqur defekte të rëndësishme që e afektojnë negativisht vlerësimin e kriterit të aftësive të tij profesionale dhe e bëjnë të pambështetur pretendimin e tij kundrejt qëndrimit të mbajtur prej Komisionit në këtë drejtim.
Kolegji ka shqyrtuar edhe pretendimin e subjektit lidhur me qëndrimin e mbajtur nga Komisioni për çështjen që i përket të gjykuarit Gentian Doda për vrasje të dyfishtë, të cilit i është lehtësuar akuza nga trupit gjykues ku bënte pjesë edhe Gjoni.
Doda ishte dënuar në mungesë në vitin 2001 me 20 vjet burg për vrasjen e dy personave në qytetin e Burrelit. Vendimi ishte konfirmuar në Apel dhe Gjykata e Lartë në vitin 2002, kishte refuzuar rekursin. Vendimi ndaj tij kryesisht ishte bazuar në dëshminë e njërit prej viktimave i cili ndërroi jetë në spital dy ditë pasi u plagos nga Doda.
Trupi gjykues – ku bënte pjesë edhe Gjoni, e ndryshoi akuzën duke e cilësuar vrasjen e dyfishtë “plagosje të rëndë me dashje me pasojë vdekjen” dhe njëkohësisht pranoi gjykimin e shkurtuar edhe pse çështja ishte gjykuar më herët dhe kishte shkuar deri në Gjykatë Kushtetuese.
Kolegji, ashtu si edhe Komisioni vlerëson se vendimi i trupit gjykues ku bënte pjesë edhe Alfred Gjoni, kishte mungesë të arsyetimit ligjor në lidhje me ndryshimin e kualifikimit ligjor të veprës penale për të cilën është gjykuar i pandehuri Gentian Doda.
Kolegji arsyeton se subjekti i rivlerësimit ka pasur një gjykim të dobët në trajtimin e çështjes ligjore konkrete dhe i konsideron si shkarkuese këto konstatime.
Edhe pse ofron tjetër arsyetim nga KPK, Kolegji konkludon se Gjoni me sjelljen e tij e ka cënuar besimin e publikut.
“Në ndryshim nga Komisioni, Kolegji vlerëson se faktet e përmendura në vendim si deklarime të rreme të subjektit të rivlerësimit përgjatë procesit administrativ, duhet të analizohen së bashku në kuptim të vlerësimit tërësor të sjelljes së subjektit të rivlerësimit përgjatë procesit të rivlerësimit dhe se, në analizë të integruar të tyre, duhet të arrihet në konkluzionin se subjekti i rivlerësimit ka cënuar qoftë edhe vetëm me këtë mënyrë sjelljeje besimin e publikut te një funksionar i drejtësisë, i cili duhet të karakterizohet nga sjellja e denjë, serioze dhe e sinqertë jo vetëm gjatë ushtrimit të detyrës, por edhe gjatë zbatimit të detyrimeve të tij përgjatë këtij procesi”, argumenton trupi gjykues.
Në funksion të kësaj analize, Kolegji vëren se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarime kontradiktore gjatë procesit administrativ, duke iu përgjigjur në mënyra të ndryshme pyetjeve të njëjta të drejtuara nga Komisioni për çështje të caktuara, për të cilat është kërkuar një shpjegim prej tij.
Në vendim thuhet se deklarimet kontradiktore të subjektit kanë ardhur e janë kryer për shkak të vështirësisë së tij për t’u përballur e provuar të kundërtën e gjetjeve të Komisionit.
Gjithashtu, Kolegji e velrëson këtë sjellje të Gjonit si përpjekje për të prezantuar një situatë faktike që nuk i përgjigjet të vërtetës dhe që tenton ta deformojë atë në funksion të prodhimit të të dhënave që do ta favorizonin.
Duke konsideruar se sjellja e ish-gjyqtarit Alfred Gjoni nuk ka qenë bashkëpunuese gjatë hetimit administrativ, me qëllim për të manipuluar të vërtetën, Kolegji konkludon se ai ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.
/Reporter.al/