BERZH ul ndjeshëm pritshmërinë për rritjen ekonomike vitin e ardhshëm

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka mbajtur të pandryshuar pritshmërinë për ecurinë ekonomike të vendit në vitin 2019, për një rënie prej -9%, ndërsa ka ulur ndjeshëm parashikimin për rritjen ekonomike vitin e ardhshëm, duke zbehur shpresat për një rikuperim të shpejtë.

Sipas “Perspektivës Ekonomike Globale në rajonet e BERZH”, të sapo publikuar, ekonomia shqiptare, pas rënies me 9% në vitin 2020 pritet që të rritet me vetëm 4.5% në vitin 2021. Në raportin e muajit maj, ekonomia shqiptare parashikohej që do të rimëkëmbej me shpejtësi me 12% në 2021, ndërsa tashmë ky vlerësim është ulur me 7.5 pikë përqindje. Ky është rishikimi më i madh në ulje jo vetëm për vendet e Ballkanit, por për të gjithë rajonin e BERZH.

Më herët, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar uli pritshmërinë për ecurinë ekonomike të vendit nga -5% në vlerësimin e prillit, në -7.5% në raportin e fundit.

Sipas raportit të fundit të BERZH, nga Ballkani Perëndimor, Shqipëria dhe Mali i Zi pritet që të kenë rënin më të madhe ekonomike si rrjedhojë e  goditjes së Covid-19. Serbia pritet që ta vuajë më pak krizën, me një tkurrje prej -3.5%. Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnja do të shohin një rënie prej -5%.

Sipas raportit të BERZH, “Pandemia e Covid-19 po prek ekonominë shqiptare kryesisht përmes efektit të saj negativ në turizëm, i cili normalisht kontribuon në më shumë se një të pestën e PBB-së së vendit. Sipas Unionit Shqiptar të Turizmit, rreth 5 milion qëndrime gjatë natës gjatë sezonit të verës janë anuluar këtë vit. Gjithashtu, eksportet e mallrave në Itali, partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, ranë me më shumë se 40 për qind në vit gjatë bllokimit më të ashpër (mars-maj 2020) dhe me 15 për qind nga viti në vit në qershor korrik.

LEXO EDHE  Presidenti Meta: Do të çojë vendin në referendum, kush prek votën i pritet dora

Në përgjithësi, eksportet totale të mallrave në shtatë muajin e parë të vitit 2020 ishin 17 për qind më të ulëta në terma vjetorë. Rënia e remitancave, të cilat u ulën me pothuajse një të pestën në gjysmën e parë të vitit 2020 kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2019, ka dëmtuar konsumin privat. Deri në fund të gushtit 2020, qeveria kishte miratuar dy paketa të mbështetjes ekonomike, me vlerë 2.8 për qind të PBB-së. Paketat konsistonin kryesisht në rritjen e shpenzimeve qeveritare për të mbështetur bizneset, garancitë sovrane dhe transfertat sociale.

Reagimi i politikës monetare ishte me ulje të normës së politikës, në nivelin më të ulët rekord prej 0,5 për qind, ndërsa ndërhyrjet e tregut valutor në fund të marsit 2020 kërkuan të zbusnin presionet e zhvlerësimit. Deri në mesin e vitit 2020 borxhi publik arriti në 80 për qind të PBB-së, 14 pikë përqindje më i lartë se në fund të vitit 2019. Duke marrë parasysh të gjithë faktorët, PBB e Shqipërisë parashikohet të tkurret me 9.0 për qind në 2020, duke u rikthyer në rritjen prej 4.5 për qind në 2021 , mbështetur nga rindërtimi pas tërmetit të mëparshëm. Këto parashikime nuk supozojnë ndonjë ringjallje të madhe të pandemisë”, thekson BERZH.

INSTAT publikoi dje shifrën për ecurinë ekonomike të tremujorin të dytë 2020, që përkon me kulmin e pandemisë. Sipas INSTAT, ekonomia ra me 10.2% me bazë vjetore dhe 8.8% në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Sektori më i goditur ishte “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor”, që ra me -28% me bazë vjetore.

/Monitor.al/