Nga mbështetja e mjekëve tek bizneset, Basha prezanton 5 pikat e planit për rimëkëmbjen nga pandemia

Kreu i PD, Lulzim Basha, në një konferencë për mediat, ka prezantuar planin e rimëkëmbjes nga pandemia.

Kreu i PD, tha se qeveria kemenaxhoi pandeminë, ndërsa shtoi se kjo e fundit nuk mori asnjë plan masash.

Basha, në prezantimin e planit për rimëkëmbjen nga pandemia, thekson se duhet mbështetje për çdo mjek dhe biznes, ndërsa shtoi se bonusi të jepet për një periudhë 6 muaj.

Paketa totale e ndihmës nuk kalon 101 milionë euro, është qesharake me atë që ka disbursuar Kosova. Është përkeqësuar gjendja e vijës mbrojtëse, mjekëve, infermerëve, që sot është më i ekspozuar. Nuk ka marrë shpërblimin e premtuar nga qeveria. Kjo armatë nuk ka kapacitete për të përballuar valën e dytë të pandemisë.

Pika e parë e planit

Mbështetje dhe përgatitje e sistemit shëndetësor: Përgatitja për një shpërthim tjetër të infeksionit të COVID-19, duke:
a)Rritur numrin e testimeve për COVID në 2500 testime në ditë.

b)Reimbursim i plotë për marrjen e mjekimit ambulator kundër COVID.

c)Sigurimin e paisjeve mbrojtëse për të gjithë personelin shëndetësor dhe rritjen e kapaciteteve spitalore.

d)Bonus 1000 Euro për çdo mjek dhe 500 euro për çdo infermier për 6 muajt e ardhshëm.

Pika e dytë e planit

Fëmijët tanë të arsimohen të sigurtë: Të garantojmë që fëmijët dhe mësuesit në shkollë të jenë të sigurtë, duke:
a)Përmirësuar kushtet sanitare në shkolla duke përfshirë furnizimin me ujë, paisjen me maska mbrojtëse dhe dezinfektimin e rregullt të ambienteve mësimore.
b)Kryer testimin periodik për mësuesit dhe stafin ndihmës.
c)Investuar në teknologji për rastet kur mund të aplikohet mësimi në distancë, përfshirë ndihmën për familjet me të ardhura të ulta për të blerë tableta për fëmijët e tyre, në mënyrë që edhe ata të përfitojnë nga mësimi në distancë.

Pika e tretë e planit

Asnjë shqiptar të mos lihet pas dore:
a)Të mbështesim ata që kanë humbur vendin e punës. Çdo individ që ka humbur vendin e punës nga pandemia gjatë këtij viti, të përfitojë një çek mujor prej 16 mijë lekë të reja në muaj, përvec pagesës ligjore për papunësinë, për një periudhë prej 6 muajsh.
b)Krijimi i një Fondi të Punësimit për të mbështetur bizneset për të rimarrë në punë të larguarit gjatë pandemisë, duke i alokuar cdo punëdhënësi që rimerr në punë një individ që ka humbur vendin e punës prej pandemisë, një shumë mujore prej 20 mijë lekë të reja në muaj për një periudhe prej 6 muaj.
c)Dyfishimi i ndihmës ekonomike për çdo familje që trajtohet me ndihmë ekonomike.
d)Çdo pensionist të përfitojë një çek mujor prej 2 mijë lekë të reja në muaj për përballimin e kostove shtesë të pandemisë, për 6 muaj.

Pika e katërt e planit

Ndihmë për biznesin e vogël: Mbështetje e drejtpërdrejtë për të gjitha bizneset e vogla të prekura nga pandemia. Çek prej 1000 euro për çdo biznes të vogël aktiv.

Pika e pestë e planit

Mbështetje për biznesin prodhues dhe punëdhënësit e mëdhenj:
a)Për 6 muajt e ardhshëm, subvencionim i 50% të qirasë për ambjentet e punës ose heqje e taksës së pronës për bizneset pronare të ambjenteve të punës.
b)Shtrirja në kohë dhe rikonceptimi i kritereve të përfitimit nga të dy skemat e garancisë sovrane, për ta bërë më të aksesueshme dhe të përballueshme kredimarrjen nga biznesi. Përcaktimi i një tavani prej 2% të normës së interesit për biznesin, duke subvencionuar çdo përqindje mbi këtë vlerë në kredimarrjen për investime dhe shpenzime operative.

LEXO EDHE: 

Basha: Qeveria keqmenaxhoi pandeminë, Shqipëria po lëngon

LEXO EDHE  Hoti nesër viziton Maqedoninë e Veriut, nënshkruhet memorandum për krijimin e rrjeteve 5G