Tre javë pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit – kur Durrësi ishte ende një qytet ‘fantazmë’, kryeministri Edi Rama firmosi në emër të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile një vendim për menaxhimin e mbetjeve të krijuara nga tërmeti.
Vendimi i kryeministrit i hapi rrugën një tenderi pa garë me vlerë 1.9 miliardë lekë [15 milionë euro] për inkapsulimin dhe rijetëzimin e venddepozitimit të mbetjeve në Porto Romano – i cili po hetohet për korrupsion nga SPAK.
Me një efekt zinxhir, mbyllja e Porto-Romanos e la gjithashtu Durrësin pa venddepozitim mbetjesh dhe e futi bashkinë e dytë më të madhe të vendit në një situatë ‘emergjence mjedisore’, duke e detyruar atë që të negociojë për depozitimin e mbetjeve me koncesionarin e Zonës së Trajtimit të Mbetjeve në Tiranë – kompaninë ‘Integrated Energy B.V SPV’.
Në një intervistë televizive në qershor, kryeministri Edi Rama tha procesi i tranzitimit të mbetjeve të Durrësit drejt Tiranës po asistohej nga agjencia përkatëse shtetërore.
“Na u desh që të rrisnim presionin mbi bashkinë e Durrësit për këtë marrëveshje të rëndësishme,” tha Rama në një intervistë televizive.
Në parim, depozitimi i mbetjeve të Durrësit në Sharrë nuk sjell kosto shtesë për kompaninë koncesionare, e cila po paguhet nga taksapaguesit për ndërtimin dhe operimin e inceneratorit për 30 vitet e ardhshme –madje mund të sjellë përftime shtesë nga shitja e skrapit dhe e energjisë elektrike.
Megjithatë, dokumentet zyrtare të siguruara nga BIRN tregojnë se pas mbylljes së venddepozitimit të mbetjeve në Porto Romano – bashkisë së rrënuar nga tërmeti po përpiqen që t’i imponojnë herë me kërcënime ligjore dhe herë me premtime për kompensim të kostove, një tarifë për trajtimin e mbetjeve në Sharrë së paku me 24 euro për ton.
Së bashku me kostot e transportit, kjo tarifë ndëshkuese do t’i sillte bashkisë së Durrësit çdo vit miliona euro kosto shtesë për menaxhimin e mbetjeve urbane – para që arka e qytetit bregdetar nuk i ka. Ndërkohë, kompania e mbetjeve të Sharrës pritet të fitojë miliona euro shtesë nga taksapaguesit.
“Durrësin e merr me një kosto të majme, pa tender dhe pa konkurrim, asnjë vendim se mbi çfarë treguesish janë fiksuar kostot,” i tha BIRN ekonomisti Zef Preçi. “Kjo është një vendimmarrje e qëllimshme që çon në favorizime korruptive,” shtoi ai.
Këshilli i Ministrave nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga BIRN, ndërkohë që Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, AKUM dhe Ministria Energjisë dhe Infrastrukturës, MEI, thanë se të gjitha përgjegjësitë për menaxhimin e mbetjeve bien mbi pushtetin vendor.
“AKUM nuk ka tagër ligjor të detyrojë Bashkinë Durrës apo qoftë ndonjë institucion tjetër në nivel vendor apo qendror,” tha në një përgjigje me shkrim Agjencia.
MEI mohoi të kishte ndonjë rol në ndërtimin e një marrëdhënieje kontraktore midis bashkisë dhe inceneratorit të Sharrës.
“Është e kuptueshme që lidhur me negocime me koncesionarin për shërbime, apo tarifa që mund të vendosen nga ky i fundit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, referuar dhe fushës së saj të përgjegjësisë, referuar dhe institucioneve përgjegjëse për gjetjen e zgjidhjes së qëndrueshme, nuk ka ndërmarrë një hap të tillë,” tha MEI.
Presioni për mbylljen e Porto Romanos
Emergjenca mjedisore e mbetjeve në Durrës shpërtheu në fillim të muajit qershor, kur vendi ishte izoluar për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe kazanët e mbetjeve të qytetit bregdetar filluan të tejmbusheshin me plehra, që për gati një javë nuk u tërhoqën nga dy ndërmarrjet publike të grumbullimit të mbetjeve të qytetit.
Situata ishte paralajmëruar zyrtarisht në korrik 2018, kur Këshilli Bashkiak i Durrësit i kishte kërkuar Komitetit të Menaxhimit të Mbetjeve shpalljen emergjencës mjedisore, duke e autorizuar ish-kryetarin e bashkisë, Vangjush Dako të bashkëpunonte me koncesionarin e landfillit të Tiranës për gjetjen e një zgjidhjeje efikase për depozitimin e mbetjeve.
Sipas AKUM, ky vendim i marrë nga Këshilli Bashkiak i Durrësit ka qenë dhe pikënisja fillestare e projektit për rehabilitimin e vendgrumbullimit të mbetjeve në Porto Romano.
“Rehabilitimi i VGM Porto-Romano është një proces i inicuar nga Bashkia Durrës me vendim të Këshilli Bashkiak Durrës, në kuadër të shpalljes së emergjencës mjedisore,” tha AKUM.
“Në këtë vendim në të 3 pikat e tij qartësohet pozicionimi dhe roli i Bashkisë Durrës, bazuar tagrin dhe kompetencat që i jep kuadri ligjor: si për shpalljen e emergjencës mjedisore në VGM e Porto-Romanos, si për gjetjen e venddepozitimit alternativ dhe po ashtu autorizimi që i jepet Kryetarit të Bashkisë , nga Këshilli Bashkiak Durrës për të hyrë në negociata me koncesionarin e Tiranës,” shtoi agjencia përgjegjëse për infrastrukturën e mbetjeve.
Pavarësisht vendimit të Këshillit Bashkiak të korrikut 2018, ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako mohoi që qëllimi i tij ka qenë dërgimi i mbetjeve në Sharrë, apo nëpërmjet një landfilli të ndërtuar me koncesion. Dako i tha BIRN se kjo ka qenë një zgjedhje e sforcuar.
“Ne kemi pasur një projekt për landfillin në Manzë,” tha ai. “Ne nuk donim ta bënim landfillin me privatin me PPP, donim të ndërtonim një landfill të bashkisë,” shtoi Dako.
Gati një vit më vonë, AKUM mbajti një mbledhje të Këshillit Teknik me qëllim mbylljen e venddepozimit të mbetjeve të Porto Romanos – i cili nuk i plotësonte kushtet mjedisore.
Në 20 qershor 2019, në mbledhjen e realizuar në AKUM, kanë marrë pjesë dhe përfaqësues të bashkisë Durrës, të cilët janë njohur me projektin teknik për mbylljen e venddepozitimit në cilësinë e përfituesit fundor. Sipas AKUM, miratimi i projektit teknik e implikonte bashkinë e Durrësit me përgjegjësinë për mbylljen e venddepozitimit të mbetjeve.
Në 16 tetor 2019, AKUM hapi një tender me fond limit 1.6 miliardë lekë për mbylljen e venddepozitimit të Porto Romanos dhe ndërtimin e një Eko Parku, por e anuloi atë 3 ditë përpara hapjes së ofertave më 6 dhjetor.
Tenderi u rihap me procedurë të përshpejtuar pas vendimit të kryeministrit Rama me 16 dhjetor 2019, për menaxhimin e mbetjeve të krijuara nga tërmeti dhe 11 ditë më pas – pasi AKUM negocioi me 4 kompani, shpalli fituese bashkimin e operatorëve De Mare Srl & dhe Victoria Invest International.
Ky tender po hetohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila ka regjistruar një procedim penal për veprat e “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tender” dhe “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.
Më 13 janar 2020, Këshilli Kombëtar i Territorit, KKT miratoi lejen e ndërtimit për projektin e rijetëzimit të fushës së mbetjeve në Porto Romano. Më 10 janar, AKUM i kishte kërkuar bashkisë Durrës gjetjen e një vendi alternativ për depozitimin e mbetjeve, ndërsa më 20 prill urdhëroi mbylljen e venddepozitimit – tashmë të tenderuar.
Bashkia e Durrësit iu përgjigj AKUM-it se nuk kishte mundësi financiare dhe burime njerëzore për mbylljen e venddepozitimit të mbetjeve në Porto Romano, pasi gjendja e saj financiare ishte përkeqësuar nga tërmetet e shtatorit dhe nëntorit 2019, por edhe nga fatkeqësia natyrore e krijuar nga COVID-19, të cilat kanë krijuar një gropë në buxhetin e a bashkisë.
Bashkia e Durrësit ishte përballur me vështirësi për mbulimin e kostove të menaxhimit të mbetjeve edhe përpara goditjes nga krizat e njëpasnjëshme.
Fondi i menaxhimit të mbetjeve kap një vlerë prej 378 milionë lekësh në 2020 –ose 13% të buxhetit prej 2.9 miliardë lekësh të bashkisë së Durrësit, ndërsa tarifa e pastrimit mbulon vetëm 68% të kostove.
“Në politikat e bashkisë Durrës nuk parashikohet në 5 vjet një rritje e tarifës së pastrimit dhe mbledhjes së mbeturinave, kjo për shkak të situatave të vështira të krijuara nga tërmeti i shtatorit dhe i nëntorit, por edhe nga fatkeqësia natyrore e krijuar nga COVID-19, të cilat kanë shkaktuar një impakt shumë negativ në buxhetin e a bashkisë,” argumentoi bashkia e Durrësit.
Por më 15 maj, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e paralajmëron kryetaren e bashkisë Durrës se në qoftëse nuk e ndalonte depozitim e mbetjeve në Porto Romano, do kishte pasoja ligjore.
“Ju rikujtojmë se vazhdimi i depozitimit të mbetjeve nga ana e bashkisë Durrës në Porto Romano është i paligjshëm,” shkruan MEI.
“Bashkia Durrës duhet të marrë masa menjëherë për gjetjen e zgjidhjeve alternative për depozitimin e mbetjeve të ngurta dhe pezullimin e depozitimit të mbetjeve në kantierin e ndërtimit,” shtoi MEI, ndërsa theksoi se ndryshe AKUM do ta padiste, duke kërkuar dëmshpërblimin e dëmit financiar.
Sipas Ornela Liperit, kryeredaktore e revistës ekonomike Monitor, mbyllja e venddepozitimit të Porto Romanos ka qenë një vendim i pastudiuar dhe me kosto të lartë për bashkinë e qytetit bregdetar.
“Rasti i Durrësit ishte një skandal i vërtetë, sepse u mbyll fusha e depozitimit në Porto Romano, pa u zgjidhur se ku do çoheshin mbetjet dhe burimet zyrtare nga bashkia e Durrësit thanë se po negociohej dhe i duheshin 3 deri ne 4 milionë euro në vit që të transportohen në një vend tjetër,” tha Liperi.
“Edhe në këtë rast, ka munguar një llogari kosto përfitimi, që nëqoftëse shteti do ta bënte vetë këtë lloj shërbimi,” shtoi ajo.
Sharra, alternativa e vetme
Përveç vendgrumbullimit të Porto Romanos, në territorin e bashkisë Durrës ndodhen edhe tre vendgrumbullime të tjera mbetjesh –në Vadardhë, Fushë Bizë dhe Grykë Minierë Manzë, që dikur i përkisnin ish-komunave të përthithura në bashkinë Durrës pas reformës territoriale.
Megjithatë, edhe këto 3 vendgrumbullime mbetjesh janë parashikuar të mbyllen, pasi nuk kanë kapacitete dhe kushte teknike për të kryer aktivitet bazuar në kriteret ligjore dhe teknike të legjislacionit përkatës.
Përpjekjet e bashkisë së Durrësit për të depozituar mbetje në vendgrumbullimit e Vadardhës në Sukth dhe Grykë Minierë Manzë hasën në fillim të qershorit në protestat e banorëve të këtyre njësive administrative.
Në një informacion dërguar kryetares së bashkisë më 5 qershor, Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale kërkoi që të asistohet nga Policia e Shtetit për të bërë mundur depozitimin e mbetjeve të qytetit në vendgrumbullimet e ish-komunave.
“Kërkojmë ndërhyrjen tuaj për të mundësuar një vendimmarrje të përbashkët, si dhe aktivizimin e forcave të rendit për të mbështetur procesin e depozitimit të mbetjeve në këto njësi,” shkruan Shpëtim Hidri, drejtor i Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale.
“Qyteti i Durrësit nuk po pastrohet prej ditësh, duke krijuar një situatë të pazakontë, e cila mund të agravojë deri në një kolaps total në evadimin e mbetjeve,” e paralajmëroi ai kryetaren e bashkisë.
Në fillim të muajit qershor, bashkia e Durrësit ngriti një grup të përbashkët pune me AKUM, për gjetjen e një zgjidhje emergjente për mbetjet urbane në Durrës, ku u diskutuan opsionet e bashkisë Durrës për t’i depozituar mbetjet urbane jashtë territorit të saj.
Sipas raportit të grupit të punës, ekspertët e AKUM, duke u bazuar edhe në masterplanin kombëtar të menaxhimit të mbetjeve, i rekomanduan bashkisë së Durrësit që të hyjë në negociata me koncesionarin e Sharrës.
Si destinacion përfundimtar i trajtimit të mbetjeve urbane në këtë plan për zonën Tiranë – Durrës është përcaktuar inceneratori –me periudhë ndërtimi dhe planifikimi 2018-2023. Bashkitë që e përdorin impiantin e incenerimit do të paguajnë një tarifë hyrëse prej 29 eurosh për ton mbetjesh, pa përfshirë koston e transportit.
Ndërkohë, përfaqësuesit e bashkisë së Durrësit kanë ngritur pikëpyetje nëse mbetjet e bashkisë duhej të depozitohen domosdoshmërish në Sharrë, duke theksuar se masterplani kombëtar e lejonte qarkun e Durrësit të ekzistonte si zonë më vete mbetjesh.
‘Pa zgjidhje’
Mbyllja e venddepozitimit të mbetjeve në Porto Romano dhe rënia e të ardhurave si pasojë e tërmetit dhe pandemisë së COVID-19, e kanë vendosur bashkinë e Durrësit mes dy zjarresh.
Më 3 qershor, bashkia e Durrësit i kërkon Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë mbështetje financiare në lidhje me zgjidhjen e krizës së krijuar për menaxhimin e mbetjeve, pas mbylljes së venddepozitimit të Porto Romanos.
“Bashkia Durrës ndodhet në një situatë pa zgjidhje,” thuhet në shkresën që bashkia Durrës i ka drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
“I drejtohemi institucionit tuaj për të na mbuluar vlerën e financimit minimumi për 5 vitet e ardhshme, deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit,” theksoi ajo.
Sipas bashkisë së Durrësit, sasia e mbetjeve që evadohet çdo ditë nga qyteti është 206 ton ose 75,500 ton në vit. Ajo përllogarit se vetëm për evadimin e mbetjeve drejt landfillit të Sharrës për 6 mujorin e dytë të vitit 2020, do të ketë një kosto shtesë prej 1.36 milionë eurosh për një sasi mbetjesh të barabartë me 40 mijë ton.
Për 5 vitet në vazhdim, Durrësi parashikon se evadimi i mbetjeve drejt Sharrës do t’i kushtojë 2.56 milionë euro në vit ose 14.195 milionë euro në 5 vite.
Nëse këtyre kostove do t’u shtohet edhe tarifa e depozitimit të mbetjeve në Sharrë prej 29 euro/ton, bashkia e Durrësit duhet të paguajë çdo vit rreth 4.75 milionë euro për transportin dhe incenerimin e mbetjeve urbane -të cilat do t’i shtohen shpenzimeve aktuale prej 387 milionë lekësh për dy ndërmarrjet e shërbimeve komunale të bashkisë.
Ish-kryebashkiaku Dako i tha BIRN se tarifa e ofruar nga inceneratori i Sharrës është e papërballueshme për bashkinë e Durrësit.
“Për ne është e padrejtë sepse është pa garë. Se nuk ka garë, si 29 euro apo 59 euro, nuk ka garë,” tha Dako për koston e incenerimit të mbetjeve në Sharrë. “Kjo e falimenton bashkinë e Durrësit,” shtoi ai.
Transporti dhe incenerimi i mbetjeve nga Durrësi në Sharrë e transformon këtë shërbim në zërin më të madh të buxhetit të qytetit, duke lënë pas shpenzimet për rrugët urbane dhe rurale apo për arsimin.
Për të përballuar këtë barrë financiare, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka premtuar se do të avancojë transfertën e pakushtëzuar për vitin 2020, përmes një letre të dërguar në Bashkinë e Durrësit më 8 qershor.
“Ministria e Financave do të marrë masat e nevojshme për mbulimin me fonde shtesë të efektit financiar të krijuar në bashkinë Durrës për trajtimin e mbetjeve në vitin 2020,” thuhet në letër.
Në një shkresë të dytë në të njëjtën ditë, MFE i kërkoi bashkisë së Durrësit që në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të gjejë një zgjedhje përfundimtare për venddepozitimin e mbetjeve.
“Bazuar në zgjidhjen teknike përfundimtare, bashkia duhet të përllogarisë efektin financiar me qëllim zgjidhjen e kësaj problematike për vitin 2020, si dhe të marrë masa për të përllogaritur efektin financiar për buxhetin e vitit 2021 e në vazhdim,” shtoi Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Negociatat me koncesionarin
Më 11 qershor, Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi një propozim për shpalljen për herë të dytë të emergjencës mjedisore në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve, për shkak të mbylljes së venddepozitimit të Porto-Romanos.
Një ditë më vonë, kryetarja në detyrë e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, i dërgoi kompanisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV”, një kërkesë për shprehje interesi për tarifën e depozitimit të mbetjeve në landfillin e Sharrës, i njohur ndryshe si Zona e Depozitimit të Mbetjeve Tiranë. Ajo i kërkoi kompanisë që t’i vërë në dispozicion një akt-marrëveshje, në mënyrë që të njihen me kushtet dhe detyrimet.
Në të njëjtën ditë, “Integrated Energy BV SPV” i kthen përgjigje bashkisë Durrës, duke i bërë me dije se tarifa e depozitimit të mbetjeve për bashkinë Durrës do të jetë 24 euro për ton për periudhën e emergjencës së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2020. Bashkangjitur kësaj shkrese, “Integrated Energy BV SPV” i dërgon bashkisë Durrës akt-marrëveshjen mes palëve.
Më 6 korrik, “Integrated Energy BV SPV” i shkruan sërish bashkisë Durrës, duke e njoftuar se pas bisedimeve dhe dakordësisë me “instancat kompetente”, mbetjet nga pastrimi i bashkisë Durrës do të pranohen pa pagesë deri me 15 shtator, pra me tarifë zero.
Inceneratori i Tiranës po ndërtohet me një partneritet publik privat, ku taksapaguesi paguan koston e ndërtimit dhe operimit nëpërmjet tarifës së depozitimit të mbetjeve, për një faturë që në 30 vjet kap vlerën 339,7 milionë euro. Ndërkohë, koncesionari parashikon të përfitojë edhe 210 milionë euro nga shitja e skrapit dhe e energjisë elektrike.
Është e paqartë me çfarë analize kostoje është përcaktuar tarifa e “Integrated Energy BV SPV” për Durrësin – qoftë ajo e përkohshmja prej 24 eurosh apo tarifa zyrtare prej 29 euro për ton. Aq më tepër që kompania pritet të përfitojë të ardhura shtesë nga skrapi dhe djegia e mbetjeve të Durrësit për energji elektrike.
Duke qenë se Durrësi prodhon 75,500 ton mbetje në vit, përfitimet e “Integrated Energy” nga shitja e skrapit llogaritet të kapin një vlerë prej 1.88 milionë euro në vit, ose 56.4 milionë euro gjatë 30 viteve të koncesionit. Nëse do të paguhet dhe tarifa prej 29 për ton, kompania koncesionare përfiton edhe 65.7 milionë euro të tjera, për një total pre 122 milionë euro.
Kompania “Integrated Energy BV SPV” nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi kostot dhe përfitimet nga depozitimi i mbetjeve të bashkisë Durrës.
Ndërkohë, kryetarja e bashkisë së Durrësit i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se qyteti bregdetar, me iniciativë të pushtetit qendror, vazhdonte t’i depozitonte “në mënyrë të përkohshme pa pagesë” në landfillin e Sharrës, deri në një vendimmarrje përfundimtare për zgjidhjen e situatës.
Se sa do të zgjasë ndërhyrja ‘misterioze” e pushtetit qendror për depozitimin ‘falas’ të mbetjeve të Durrësit në Sharrë është ende e paqartë. Megjithatë, kur ‘dreka falas’ nga koncesionari të mbarojë, kostot që do të paguhen nga qyteti i Durrësit mund të jenë po aq shkatërrimtare sa tërmeti. /BIRN/