Demokratët e Beratit përzënë nga lista ish-deputetin Astrit Veliaj

Ka përfunduar procesi i votimeve për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet eletorale të vitit 2021 brenda degës së Partisë Demokratike Berat.

Ajo që bie në sy është se demokratët nuk e kanë përzgjedhur si emër për t’i përfaqësuar në zgjedhjet e ardhshme elektorale ish-deputetin Astrit Veliaj, i cili është zgjedhur deputet në dy legjislatuara, atë të vitit 2013 dhe në vitin 2017-të.

Veliaj i cili njihet dhe si biznesmen ka qenë nënë hetim edhe nga prokuroria për shkatërrim të pronës publike.

Gjatë mandateve si deputet Veliaj nuk është shquar asnjëherë për qëndrime politike, madje është renditur si ndër lligjvënësit që ka folur më pak në sallën e Parlamentit.

Kjo do të thotë se ai nuk ka mbrojtur interesat e komunitetit nga ku është zgjedhur, çka duket se është pasqyruar edhe në votimin e sotëm nga anëtarësia e PD, e cila ka preferuar që deputetin-biznesmen ta lërë jashtë listës së kandidatëve.

Kujtojmë që Astrit Veliaj erdhi në PD si i importuar nga listat e Partisë Republikane, ku kishte garuar për deputet në vitin 2009. Në rrethin e ngushtë të gjithë i dinë përpjekjet e vazhdueshme dhe tentativat e Veliajt për tu bërë deputet, aq sa përdori çdo lloj mënyre dhe kulisash për tu bërë pjesë e listave të PD në vitin 2013.

Ndërkohë që në zgjedhjet e 2017-s, Veliaj ishte i dyti në listë, dhe atë vit e PD mori rezultatin më të dobët në Qarkun e Beratit, ku mori vetëm një mandat.

Veliaj arriti që të marrë mandatin e deputetit, pasi e dorëzoi Eduard Halimi. Ndërkohë Astrit veliaj njihet edhe si kushuriri i dytë i kryebashkiakut të Tiranës Erjon Veliaj.

Në votim kanë marrë pjesë 827 anëtarë nga 1380 anëtarë me të drejtë vote.

Anëtarët konfirmuan kandidatët e mëposhtëm, që vijonë procesin ne fazën tjetër:

1.AFIZE SKENDO

2.ALKETA MUKAVELATI

3.ARENC BERATI

4.DENIS SAHATCIU

5.DRITAN HAZINEDARI

6.ENO QANA

7.KASEM MAHMUTAJ

8.MUHARREM HOXHA

9.NAMIR LAPARDHAJA

10.OLTION MERDARI