Nga Edmond Tupja
Që në krye të herës më duhet të pranoj se titullin e këtij shkrimi ia kam huazuar poetit të mirënjohur Xhevahir Spahiu, sepse, ndër të tjera, ai pasqyron me besnikëri gjendjen e mjerueshme me të cilën përballet sot Shqipëria jonë e shkalafitur në tërë përmasat e saj jo vetëm socialekonomike, por edhe shpirtërore. Kjo është bindja ime, të nderuara lexuese dhe lexues të respektuar të kësaj rubrike, por ju gëzoni të drejtën të keni ndonjë mendim edhe të kundërt me timin, ndonëse shqiptari i sotëm duhet të jetë vërtet tmerrësisht i verbër e i shurdhët ose mendërisht i leshtë apo, edhe më keq, cinik me tepri për të pretenduar se populli ynë është nga më të lumturit në botë.
Gjithsesi – për të mos iu larguar titullit të shkrimit tim – unë, ateisti i vjetër po guxoj të pohoj publikisht se edhe Ferri, edhe Parajsa ekzistojnë realisht, nuk janë pjellë e imagjinatës njerëzore, por ndodhen mbi tokë, sepse, të paktën në vendin ton mjeran, në Ferr e sheh veten sot shumica e bashkatdhetarëve të mi, brezi i ri dhe ai më i rritur i të cilëve nuk vërejnë asnjë perspektivë më të mirë jetese sesa braktisjen e vendlindjes së tyre dhe, rrjedhimisht, marrin rrugët e emigracionit. Ndërkohë, një grusht njerëzish të pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe të pamëshirshme shijojnë fare pranë nesh, të tjerëve, gjithë të mirat e një Parajse të mirëfilltë.
Para njëfarë kohe, mu në zemër të kryeqytetit tonë, tek po hidhesha nga rruga e Durrësit në drejtim të sheshgungës “Skënderbe”, shtanga kur vura re se ishin zhdukur pa nam e pa nishan ata pak blirë madhështorë nga krahu i kafe “Florës” që hijeshonin trotuarin e gjerë përgjatë argjendarive të atjeshme, ata blirë që çdo pranverë përhapnin bujarisht aromën e tyre të veçantë, që çdo verë flladisnin sadopak kalimtarët e vaposur. Ku kishin shkuar? Në Ferr sigurisht, më saktë në Ferrin ku të shpie betonizimi i kryeqytetit tonë asfiksues! Cila mendje dhe cila dorë e kishin kryer këtë krim mjedisor? Përse ishin fshirë kështu nga faqja e Tiranës ata blirë të vjetër të vetmit dëshmitarë, sipas të cilëve qendra e Tiranës dikur kishte qenë e bleruar edhe nga drurë të shëndetshëm e të denjë për një kryeqytet me klimë mesdhetare? Si është e mundur që në “Parajsën” e betonit e të asfaltit nuk paska pasur më vend as për pemë paqësore si blirët fatkeqë? Pasi pyeta dikë aty pranë lidhur me këtë zhdukje të papritur, mësova se blirët në fjalë kishin rënë viktima të projektit të Bashkisë për t’i zëvendësuar ata me… me korsi biçikletash!
Me korsi biçikletash, pra, me çakëll, beton e asfalt! A thua se Tirana numëron me mijëra (bi)çiklistë që derdhen mëngjeseve, drekave e mbrëmjeve rrugëve kryesore të kryeqytetit! Unë vetë, përdorues i rregullt biçiklete, vite të tëra kam kaluar rregullisht pesë herë në javë në rrugën e Durrësit për të dalë në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” para se të mbërrija në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, por të rrallë ishin përherë (bi)çiklistët në korsitë ku kaloja, madje edhe ato pak pika marrjeje me qira të biçikletave erdhën e u rralluan deri sa sot nuk më zë më syri thuajse asnjë prej atyre!
Me korsi biçikletash, pra, me çakëll, beton e asfalt! Këto korsi kanë ngushtuar dukshëm të gjitha rrugët e qendrës së Tiranës aq sa kam dëgjuar jo pak drejtues automjetesh të ankohen për ngushtimin e rrugës së Durrësit dhe, si pasojë, për rëndimin e qarkullimit në rrugën e ngushtë “Mine Peza”. Atëherë, natyrshëm më lindi pyetja: “Përse vallë gjithë këto korsi veçanërisht në qendër të kryeqytetit? Mos vallë për t’u treguar vendeve të BE-së se Bashkia e Tiranës u kujdesuaka për sigurinë dhe shëndetin e popullit kryeqytetas nën udhëheqjen e ndritur të Erion Veliajt, një kryebashkiak aq popullor, saqë të vegjël e të mëdhenj e thirrkan me respekt, admirim e dashuri të pashtershme “lali Eri”, siç e thërrisnin dikur edhe diktatorin “xhaxhi Enver”?
Blirët e shkretë! I shkulën me gjithë rrënjë! Ndoshta më tej do t’i kenë copëtuar e prerë, mbase kanë për t’i përdorur si dru zjarri. Ndoshta Erion Veliaj ndihet më mirë, sepse prania e blirëve nxirrte në pah mjerimin e drurëve qesharakë e sidomos atë të shkurrnajës (me apo pa germën “k”?) që vende-vende ka pushtuar sheshin “Skënderbe”! Do të isha fort kureshtar të dija nëse kryebashkiaku i Tiranës pi ndonjëherë çaj lule bliri dhe, në qoftë kështu, a e ndien ai qortimin e blirëve të masakruar sa herë që gëlltit qoftë edhe gllënkën më të vogël të çajit të tyre? Në qoftë kështu, a nuk i duket atij sikur ndien në gojë një si shije gjaku të blertë?
Së fundi, lexueseve dhe lexuesve të mi nuk mund kurrsesi t’ua fsheh dy dyshime që nisën të më brenin vetëm pardje:
Së pari, po sikur kryebashkiaku Veliaj të jetë marrë vesh fshehurazi me organet kompetente të BE-së që të organizohet një rreth çiklistik mbareuropian, i cili etapën e tij të fundit ta shpalosë krenarisht në korsitë kryelarta të kryeqytetit shqiptar dhe kështu Tirana të ngopet e velitet me lavdi veliajane?
Së dyti, po sikur kryebashkiaku Veliaj, i dehur nga dallga e dalldisë së bëmave të tij betonuese, asfaltuese dhe vrastare e hapësirave të gjelbëruara të Tiranës, t’ua ketë kursyer jetën blirëve të shkulur për t’i rimbjellë ata në… në Surrel, po, po, në Surrel, me qëllimin tmerrësisht humanitar që të përmirësojë, falë aromës së luleve të tyre, cilësinë e ajrit në dobi të mushkërive dhe të organeve të të folurit të kryeministrit Rama, i cili flet e flet dhe do të flasë e flasë deri ditën e zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm, madje edhe pas atyre, pavarësisht nëse i fiton apo nuk i fiton ato, duke rrezikuar kështu të preket nga ndonjë logoré e pashërueshme?
“Ah, ç’na qenka kjo logoreja?” mund të pyesë me të drejtë e me shqetësim ndonjë eksponent i ethshëm i Partisë Socialiste. Në fakt, bëhet fjalë për një term mjekësor, na mëson “Le Petit Robert”-i, fjalor i mirënjohur i gjuhës frënge, term ky që ka dy kuptime: 1. “mori fjalësh të panevojshme” dhe 2. nevojë e papërballueshme, e pashëndetshme për të folur.