Java që kaloi përveç shenjave të para të vjeshtës hapi edhe siparin e stinës së virozave. Vetëm sot katër miq realë dhe virtualë kanë patur familjarë me shenja tipike virozash, me pak temperaturë, pak dhimbje fyti dhe ndonjë kollitje apo teshtimë të lehtë.
Të katër të frikësuar deri në palcë se mos vetë apo familjarët e tyre janë të prekur nga COVID. Pothuajse asnjë nuk manifeston ndonjë prej faktorëve të njohur tashmë të riskut – moshë e kaluar, sëmundje kronike që predispozojnë për komplikacione nga COVID, apo profesione të riskuar.
Pavarësisht kësaj, të katër kanë nisur menjëherë mjekimin me antibiotik, deksametazon dhe antikoagulant. Dikush me recetë mjeku dhe dikush pa recetë. Dy prej tyre kanë bërë tashmë testin në privat kurse të tjerët presin strukturat publike të tamponimit.
Fatkeqësisht, ky është vetëm fillimi!
Në çdo stinë virozash, janë me qindra e mijëra shqiptarët që preken nga gripi apo ndonjë prej 200 patogjenëve që shkaktojnë virozat e stinës. 99% e tyre i kalojnë virozat “në këmbë” siç jemi mësuar t’a quajmë kur me përjashtim të çajit dhe aspirinës, aktiviteti ditor pothuajse nuk ndikohet aspak nga sëmundja.
Në kohën e COVID, po ndodh e kundërta duke rrezikuar që stina e virozave të kthehet në një epidemi paniku!
Çdo tështimë dhe kollitje rrezikon të pasohet nga një kombinim tresh antibiotikësh ku më “i lehti” është azitromicina dhe ku antikoagulantët oralë merren në vend të karameleve.
Pasojat shëndetësore të kësaj çmendurie kolektive do të jenë të rënda duke prekur në radhë të parë shëndetin dhe në radhë të dytë xhepin e shqiptarëve.
Ç’duhet bërë dhe ç’mund të bëhet?
Deri tani mjeku i familjes është lënë të luajë rolin pasiv të vëzhguesit që jep këshilla telefonike, nuk është trajnuar, nuk është furnizuar me puls-oksimetër dhe nuk i është dhënë mundësia e përdorimit të aplikacioneve të telemjeksisë. Kjo situatë duhet korrigjuar urgjentisht duke e kthyer mjekun e familjes në aktorin kryesor të përgjigjes ndaj COVID dhe virozave të tjera (sikundër ka qënë historikisht).
Deri tani mjekut të familjes nuk i janë dhënë as protokolle të rifreskuara që bëjnë të mundur diagnozën e COVID, diagnozën diferenciale me gripin dhe virozat e stinës, trajtimin sipas stadit të sëmundjes dhe monitorimin aktiv të pacientëve në zonën e mbuluar prej tij. Komiteti dhe ministria duhet të hartojnë dhe bëjnë publik këto protokolle të cilat deri para një muaji antarët e komitetit ja fshihnin edhe njëri-tjetrit.
Deri tani COVID-i është “tajtuar” me një lloj amalgami midis urgjencës mjeksore dhe spitaleve COVID. Kjo situatë duhet të marrë fund. Në një stinë virozash ku dhjetëra mijëra persona mund të preken njëkohësisht, asnjë urgjencë mjeksore nuk mund të reagojë me efiçiencë. Urgjenca duhet lënë të bëjë punën e saj sikundër duhet t’i rikthehet normalitetit edhe spitali COVID-2 i cili ka lënë pa shërbime thelbësore një masë të gjerë njerëzish. Mjeku i familjes duhet të jetë përgjegjës për diagnozën, mjekimin dhe monitorimin e pacientëve!
Në se përgjigja e dështuar shqiptare deri tani e ka lënë popullatën në mëshirën e tekave të sars-cov-2, vazhdimi i këtij qëndrimi edhe në prag të stinës së virozave do të ishte papërgjegjshmëri!
Uroj që së fundi ministria dhe komiteti të kuptojnë se loja me shëndetin dhe jetën e shqiptarëve duhet të marrë fund dhe se papërgjegjshmëria duhet t’i lërë vendin profesionalizmit!
Shpresoj të mos jetë vonë…