Mbledhja e dy qeverive, Hoti: Marrëveshje për linjën hekurudhore Prishtinë-Durrës

Kosova dhe Shqipëria do të nënshkruajnë disa marrëveshje në takimin e përbashkët të dy qeverive. Kështu u shpreh kryeministri i ekzekutivit të Prishtinës, Avdullah Hoti, i cili bëri me dije se për këtë ka dakordësim paraprak me homologun, Edi Rama. Një prej marrëveshjeve do të jetë për ndërtimin e linjës hekurudhore Prishtinë-Durrës.

“Linja hekurudhore që e lidh Prishtinën me Durrësin, me portin Adriatik, dhe kur e lidh Prishtinën pastaj e lidh Prishtinën me Selanikun dhe me Stambollin, edhe me Evropën Qendrore, e Beograd, Budapest, edhe përtej saj, kështu duhet të shihet kjo. Kemi edhe mbështetjen e Qeverisë së SHBA-së që të çojmë përpara këtë projekt edhe dakordimin e kryeministrit Rama që në numrin e marrëveshjeve që nënshkruajmë të jetë edhe për linjën hekurudhore, në faza të hershme sigurisht”, deklaroi Avdullah Hoti.

LEXO EDHE  ‘Ma vranë, ma vranë...’/ Dëshmitarja tregon momentin e ekzekutimit të 50-vjeçarit

Hoti foli edhe për katër liritë e lëvizjes apo atë që njihet si mini-Shengeni ballkanik.

“Ne kemi marrë një zotim që të bëhemi pjesë e kësaj iniciative rajonale, do të shohim në takimet e liderëve të Ballkanit Perëndimor në të ardhmen se si Kosova do të bëhet pjesë e kësaj iniciative në baza gjithmonë të barabarta, plotësisht të barabarta sikur çdo vend tjetër, në orientimin që ky është një projekt i përkohshëm, në afatgjatë ne të gjithë tentojmë të bëhemi pjesë e zonës Shengen evropian.”

Mbledhja mes dy qeverive duhej të mbahej të premten, por është shtyrë për në datën 2 tetor.