Hetim të shkarkuave nga Vetingu? Etilda Gjonaj “i falet” kallëzimit të avokatit të dënuar, Fran Dashi

Nga BoldNews.al

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, përdori një kallëzim-hakmarrës të avokatit të dënuar penalisht Fran Dashi, ndaj disa ish-zyrtarëve të Drejtësisë, për të deklaruar në prani të ambasadores amerikane, Yuri Kim se ajo dhe qeveria ku bën pjesë ka plotësuar atë që e konsideroi si kërkesë të Bashkimit Europian për ndjekjen penale të gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga Vetingu.

Ministrja Gjonaj, në një mbledhje të Këshillit të Integrimt, të zhvilluar të Mërkurën e kësaj jave, foli për çështjen e ngritur nga BE për fillimin e procedura për ndjekje penale të gjyqtarëve apo prokurorëve që janë shkarkuar nga vetingu.

“SPAK ka filluar procedim penal kundër 23 ish-magjistratëve, përfshirë këtu 9 çështje të gjyqtarëve dhe prokurorëve në nivel të lartë. Hetimet e pasurisë lidhur me këto raste janë ende në proces. Por padyshim do të jenë objekti kryesor i punës së SPAK ashtu sikurse dhe veprat penale në fushën e korrupsionit….”, deklaroi ministrja e Drejtësisë.

Pavarësisht se Gjonaj la të kuptohej se hetimi ndaj ish-titullarëve të drejtësisë ishte iniciativë e saj, në fakt e vërteta është tërësisht e ndryshme.

Prokuroria Speciale-SPAK, në Maj 2020, informoi se kishte në trajtim një kallëzim të avokatit Fran Dashi, në të cilën ngriheshin pretendime se rreth 23 zyrtarë të mëparshëm të drejtësisë, të larguar nga Vetingu apo me dorëheqje, kanë fshehur pasurinë dhe kanë bërë korrupsion.

Në emrat e kallëzuar nga Fran Dashi spikat ai i ish-gjyqtarëve të Apelit të Shkodrës, Marina Raboshta dhe Luan Dervishi, të cilë, në vitet 2014-2015, kanë pasur në gjykim avokatin dhe disa persona të tjerë, të dënuar nga shkalla e parë për korrupsion dhe ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

LEXO EDHE  Akuzat për inceneratorin e Fierit, Rama-Bashës: Politika e vjetër e mbledhur në formë malesh me plehra

Avokati Fran Dashi u arrestua dhe më pas u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër me 1 vit e 6 muaj burgim për “Moskallëzim krimi”, në një proces ku u shpall fajtor për “korrupsion” edhe ish-prokurori i Pukës, Pëllumb Prençi dhe ish-kreu i gjykatës së atij qyteti, Shtjefën Lleshi.

Vendimi i dënimit u la në fuqi nga trupa e Gjykatës së Apelit, e drejtuar nga Marina Raboshta dhe pjesë e trupës ishte edhe Luan Dervishi.

Hetimi ndaj këtyre personave u zhvillua fillimisht nga Prokuroria e Tiranës, e cila mori spunto nga publikimi i një afere korruptive në një emision investigativ.

Në atë video, avokati Fran Dashi i premton familjarit të disa të arrestuarve lirimin e tyre, pasi, siç la të kuptohet ai, kishte kontakte me kryetarin e Gjykatës së Lartë të asaj kohe, Xhezair Zaganjori.

Megjithatë, emri i Zaganjorit, megjithëse i shkarkuar nga Vetingu nuk gjendet në “listën e zezë” të avokatit Fran Dashi, i cili, në Prill të vitit 2020, kallëzoi penalisht një numër të konsiderueshëm ish-zyrtarësh të drejtësisë, të cilët, sipas tij, kanë fshehur pasurinë dhe kanë kryer korrupsion.

Ky qëndrim i Dashit, i cili duket më shumë si një hakmarrje personale se sa vullnet për pastrimin e drejtësisë, e cila për më tepër e ka dënuar edhe atë vetë, është shfrytëzuar nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, për ta konsideruar si meritë të sajën që ish-zyrtarët e shkarkuar nga Vetingu tashmë janë nën hetim nga SPAK, sipas “kërkesës së Bashkimit Europian”.