Nga Ilir Kalemaj
Thënia e famshme e Kavour-it një kolegut të tij, se “nëse do të bënim për veten aq sa kemi bërë për vendin tonë, do të ishim maskarenj të mëdhenj”, gjen reflektim më tepër se kudo në Ballkanin e trazuar, ku gjen që nga politikanë nacionalistë deri te tregtarë dhe turbofolku, përkundër çdolloj logjike, qoftë (për) fitimi, qoftë kulturore. Përjashtimin e zakonshëm e bën klasa politike shqiptare, të cilën rrallë e bezdisin ngjarje që ndodhin përtej sinoreve parokiale. Sinjalet e trazirave rajonale, fushatat zgjedhore që kërkojnë që shqiptarët e vendeve fqinjë të dalin të bashkuar jo me njëqind flamuj partiakë, diskriminimet e pakicave shqiptare në vendet fqinje, apo çështje të çfarëdoshme të karakterit pak më të gjerë nga bataku ynë ku llokoçitemi prej kohësh të pashqetësuar, duket se bëjnë pak apo aspak përshtypje këndej nga mëhalla jonë. Duket se zërat që vijnë nga jashtë këtu përplasen heshtur si valë të mbytura, ndërkohë që jehonën kryesore dhe shpesh të vetme e mbart kumti politik, i cili përçohet mes tallazesh emblematike që duken se kanë shoqëruar fatin e shqiptarit kaherë.
Pesë dekadat e autarkisë komuniste bënë që izolimi ynë i detyrueshëm të zinte mirë rrënjë dhe duket gati-gati e pamundur të shpëtojmë prej prangave që s‘na lënë të ngremë kokë nga hallet e vogla të përditshme, të cilat i shumojmë me thashetheme kafenesh nga mëngjesi në darkë. Në vend që lajmi ndërkombëtar të imponohet këtu te ne, përkundrazi, ia gjejmë anën të bëhemi ne lajm për botën dhe, kuptohet, gati gjithnjë për keq. Nuk ka shqiptar që në kohë zgjedhjesh nuk shndërrohet në politikan me kohë të plotë, por problemi te ne është se zgjedhjet nuk kanë fund. Shpesh duket se kjo historia e re paskomuniste evoluon sipas një cikli dhe logjike të caktuar. Ajo që francezët e quajnë histoire événementielle, pra histori që tregohet/ rrëfehet bazuar në ngjarje të caktuara, te ne vërtitet rreth zgjedhjeve, të cilat ngjajnë të pambarimta. Madje dhe historitë personale, apo data të veçanta si dasma apo morte, ka mundësi të fillojnë e të marrin si pikë referimi datat e zgjedhjeve iks apo ipsilon.
Procesi i zgjedhjeve duket se ndërpritet vetëm kur fillon fushata paraprake e procesit të ardhshëm zgjedhor dhe shyqyr që i kemi të alternuara një herë në dy vjet; ndryshe, me zgjedhje të parakohshme dhe alternativa të ngjashme i binte që gjithë koha të ndahej në fushatë, numërim dhe kontestim. Çështjet vërtet të mëdha, ato që synojnë një pakt elite për kapërcim ngërçesh artificiale, për reforma të mëdha në Gjyqësor, në të drejtat pronësore, në reformat antikorrupsion dhe ngritjen e një mekanizmi efikas sanksionimi për të bërë të mundur që ligjet në letër të zbatohen, kemi arritur t‘i banalizojmë në atë farë feje sa duken si llogje Kavaje, ndërsa ato që janë realisht të tilla, i kthejmë në lajm kombëtar në një marrëzi të çastit.
Për të mos folur pastaj për çështje dhe ngjarje matanë kufijve që ndodhin, pavarësisht telenovelës miniseriale që vazhdon prej kohësh këtej te ne. Çështje dhe ngjarje që kërkojnë që shteti shqiptar të flasë me zë të vetëm kur vjen puna te ajo që perceptohet si “interes kombëtar” dhe nuk njeh dallim partiak. Këto ditë, fjala bie, Serbia po korr suksese diplomatike shumë-frontësh duke negociuar marrjen e “karrotave” ekonomike dhe incentivuese të Brukselit dhe Washingtonit, pa lëshuar në këmbim aleancat strategjike, ushtarake dhe komerciale me Moskën dhe Pekinin.
Në të njëjtën kohë, si diçka e orkestruar nga një regji e aftë, Vuçiç përsërit në Washington dhe Bruksel deklaratën që njohja e Kosovës nuk mundet kurrsesi të ndodhë nga Serbia dhe ndërkohë negocion njohjen e asosacionit të komunave serbe në Kosovë duke ndjekur modelin e të ashtuquajturës Republika Serbska në Bosnjë-Hercegovinë, një model totalisht i dështuar dhe që nuk ka funksionuar nga dita e parë për boshnjakët.
Nga ana tjetër, përkundër faktit që Tirana zyrtare nuk bëri asgjë, zgjedhjet në Maqedoninë fqinje prodhuan një rezultat historik për shqiptarët, të cilët arritën të grupoheshin mençurisht në dy koalicione të gjera dhe të pozicionoheshin mençurisht në qeverisje dhe opozitë për të pasur më tepër terren politik për të diktuar kushtet e tyre, ndërkohë që kanë përfaqësimin më të lartë politik historikisht me kreun e parlamentit, 2 zv.kryeministra, ministrat e jashtëm dhe të financave etj.
E njëjta gjë në Mal të Zi, ku shqiptari Dritan Abazi arriti të kthehej në individin me më shumë ndikim në koalicionin e ri opozitar që tashmë tërhoqën disa nga qëndrimet paraelektorale, të tilla si tërheqja e njohjes për Kosovën apo dalja nga NATO, falë presionit të koalicionit Bardh e Zi që udhëhiqet nga Dritani. Gjithashtu qëndrimi në opozitë i dy deputetëve shqiptarë që përfaqësojnë dy koalicionet shqiptare në garë, ndonëse i lë jashtë diktimit të politikave në favor të tyre, u jep mundësinë të ushtrojnë një zë kritik dhe të arrijnë të jenë edhe më të konsoliduar (ndoshta me një koalicion të vetëm) në zgjedhjet e ardhshme. Këto të fundit ka shumë mundësi të jenë të parakohshme duke pasur parasysh brishtësinë e koalicionit qeverisës me një mazhorancë prej vetëm 1 deputeti, faktin që me gjithë gjasat do të jetë një qeveri teknike që më shumë do të merret me implementimin e disa reformave kryesisht ekonomike por edhe infrastrukturën e zgjedhjeve të ardhshme etj.
Por, që të jesh në gjendje t‘u përgjigjesh sfidave rajonale dhe të kthehesh në faktor me peshën proporcionale në rajonin ku bën pjesë, nuk mjafton vetëm retorika e njëtrajtshme e ditës. Mbi të gjitha, duhet vizion, strategji e qartë, objektiva të sakta dhe koherencë të faktorit dhe aktorëve politikë të këtushëm, të cilët duhet të ndërgjegjësohen që jo detyrimisht “hallet” e tyre politike përbëjnë njëkohësisht “hall” për shqiptarët votues kudo që ata janë.
*Shkruar enkas për BoldNews.al