Quhet Demian Mrishaj studenti që i përmendi kryebashkiakut dështimet me kartën e studentit, abonetë, libraritë, betonizimin e Tiranës dhe vrasja e Ardit Gjoklajt. I pyetur nga “Shekulli” studenti thotë se ky veprim nga ana e tij u bë për të goditur propagandën e Erion Veliajt, e cila sipas tij kalon limitet.
“Ne morëm guximin, u futëm në zyrën e tij dhe i thamë disa fakte. A mund t’i kishim thënë gjëra të tjera !? Sigurisht që po”– deklaron ai.
Më tej Mrishaj thotë se me këtë reagim përfaqësoi të gjithë studentët të cilët janë të zhgënjyer dhe papërfaqësuar nga kjo qeverisje. “Njerëzit si ai e kanë një listë të gjatë plot me krimi dhe mashtrimi. Unë si qytetar dhe student jam shumë i acaruar me mashtrimet e tij. Ai po acarohej që ne i prishëm takimin, ama ne jemi të acaruar se po na shkatërron jetën. Unë nuk fola si individ, u mundova të jem zëri i qindra mijëra studentë dhe qytetarëve të ndershëm dhe punëtorë. Të gjithë duhet të marrim guximin të kundërshtojmë padrejtësitë që na ndodhin, të organizohemi në grupe dhe sindikata për të ngritur zërin tonë për të drejtat tona”– shprehet ai.
Po ashtu i riu nuk ngurron të tregoi se pasi doli nga bashkia, rojet e kryebashkiakut tentuan ta kapnin. Një gjë e tillë nuk ndodhi pasi Demian u largua me shpejtësi. “Arrita të largohesha shpejtë dhe nuk më kapën dot”– thotë ai.
Lëvizja për Universitetin ka reaguar edhe në faqen e tyre zyrtare të ‘Facebook’-ut teksa ndajnë momente nga debati mes kryebashkiakut. “Sot Erion Veliaj kishte thirrur një takim propagandistik me studentë për të folur për arritjet imagjinare të Bashkisë së Tiranës, sidomos për sa u përket shërbimeve ndaj studentëve. Mes studentëve të tjerë, në takim hynë edhe aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin, të cilët me zë të plotë e të qartë ekspozuan karakterin mashtrues të kartës së studentit dhe mosrealizimin e asnjë premtimi që u është bërë studentëve – nga konviktet tek aboneja dhe karta studentore. Aktivistët i përmendën edhe betonizimin e Tiranës dhe përgjegjësinë që Veliaj ka për vrasjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj. Si gjithmonë në të tilla raste, pushtetarit i mbeti fjala në grykë”– shkruajnë ata.