Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ekstraduar nga Italia, njoftoi këtë të enjte Policia e Shtetit.
Një prej tyre është Juljan Dama, 31 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi me vendimin penal të vitit 2018 është dënuar përfundimisht nga Gjykata e Apelit Durrës, me 4 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Juljan Dama, në vitin 2016, në bashkëpunim me persona të tjerë, në shtëpi të braktisura në zonën e Manzës, Durrës, ka përgatitur për shitje lëndë narkotike të llojit cannabis sativa. Pas kontrolleve në këto ambiente nga DVP Durrës janë sekuestruar rreth 302 kg lëndë narkotike kanabis sativa.
Gjithashtu, është ekstraduar nga Italia drejt vendit tonë shtetasi shqiptar G.D. (Z.), 43 vjeç.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, në vitin 2019 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana cilësuese” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Më 10.05.2019, shtetasi G.D., në bashkëpunim më 4 shtetas të tjerë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një grup personash, në pjesën e jashtme të një lokali në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë”.