I shumëkërkuari Dritan Rexhepi u arrestua ditën e djeshme në Stamboll, teksa tani do i nënshtrohet procedurës së ekstradimit me kërkesë të Policisë së Shtetit.
Dritan Rexhepi, i njohur si kreu i kartelit të drogës “Kompania Bello”, i akuzuar dhe dënuar për vrasje në Shqipëri, trafik droge në Belgjikë, Itali e Ekuador, grabitje banke në Spanjë si dhe urdhërues i pengmarrjes e më pas zhdukjes së Jani Prengës në Kamëz, nuk i ka bërë rezistencë autoriteteve turke që e lokalizuan në një bllok vilash në periferi të Stambollit.
Gazetari Artan Hoxha kujtoi në emisionin “Ekspres” intervistën e tij me personazhin e botës së krimit.
“Ka qenë personazh shumë ndryshe nga ç’isha mësuar nga bota e krimit. Gramoz Rexhepi ishte shumë i komunikueshëm, artikulohej shumë mirë, e dinte çfarë po thoshte dhe ndryshe nga personazhet që dalin të rregullojnë imazhin e tyre, ai tha ‘po, jam marrë me trafikun e kokainës, sepse nuk kisha mënyrë tjetër jetese’. Unë nuk di një personazh të botës së krimit shqiptar që të ketë një impakt të tillë: kanë shkruar që nga Reuters, The Wall Street Journal, mediet në Britani, në Amerikën Latine,” tha Hoxha.
Emri i lindjes i Dritanit është Gramoz Rexhepi dhe ai ka një kurrikulum të gjatë me kundërvajtje penale, sipas gazetarit.
“Gramoz Rexhepi, në mos gaboj, është i datëlindjes 1980. Krimi i parë që është regjistruar në adresë të tij është viti 1999. Rexhepi vjen nga fshati Velç i lumit të Vlorës. Familja e tij ka qëndruar në Vlorë. Familja e tij ka jetuar në Vlorë, sepse ka pasur një legjendë që në momentin kur është arrestuar në Ekuador më 26 qershor 2014, u tha se mes të arrestuarve ishte edhe një person me identitetin e babait të Rexhepit, Pehlivan. Në fakt ai person ishte shtetas kilian dhe kishte porositur ngarkesën me 278 kg heroinë që u kap. Vetë Gramoz Rexhepi u kap me një identitet tjetër. Në fillim u dyshua si shtetas grek. Edhe pasaporta që është kapur dje është pasaportë e rregullt kolumbiane, por ai ka ndryshuar identitetin,” tregoi gazetari Hoxha.
Rexhepi ka qenë objektivi kryesor i antimafies italiane. Sipas Hoxhës, italianët kanë dhënë informacionin edhe për lëvizjen e tij brenda Evropës.
I shumëkërkuari ishte dispeçeri i grupeve shqiptare të krimit të organizuar dhe ishte identifikuar si i tillë vite më parë.
“Kur antimafia italiane kreu operacionin, e vendosën në hierarkinë e grupit si drejtues të kartelit që e quajtën ‘Lo bello’. ‘Lo bello’ quhej kompania dhe ‘Los blancos’, operacioni. ‘Los blancos’ u quajtën sepse në komunikimin mes tyre, personat kishin pseudonimet e lojtarëve apo trajnerëve të skuadrës së Real Madridit,” tha Hoxha.
Rexhepi ka evituar ekstradimin në vendet e tjera për dënimet që ka vuajtur jashtë shtetit.
“Shteti që e kërkon me insistim është Italia. Menjëherë sapo u njoftua se ai është kapur, Shqipëria ka filluar të aktivizohet për ta sjellë. Në raste të tilla prevalon vendi ku është dënimi më i rëndë dhe ku ai dëshiron të ekstradohet. Gramoz Rexhepi aktualisht kërkon të vijë në Shqipëri. Në Itali ai ka dënimin për arratisje, dënimin për 21 vjet burg për kompaninë ‘Lo bello’. Ndërsa në Shqipëri ka dënimin për ngjarjen e parë dhe ka çështjen në hetim nga SPAK-u dhe për arratisjen nga burgu. Mendoj se autoritetet turke mund ta zgjidhin këtë gjë, pavarësisht përpjekjeve që kanë bërë italianët,” u shpreh gazetari Hoxha.