Nga BoldNews.al
Qeveria shqiptare detyrohet nga Arbitrazhi Ndërkombëtar të paguajë 44 milionë dollarë për kompaninë greke “Aktor” për prishje kontrate, vetëm një vit pas një procedurë e ngjashme e detyroi të paguajë Shqipërinë 110 milionë dollarë për kompanitë e sipërmarrësit italian, Francesko Beketi.
Në të dy rastet, përfituesit nga prishjet e kontratava janë dy kompani shqiptare, të lidhura ngushtë me qeverinë “Rama”.
Qeveria shqiptare, në periudhën 2015-2016, detyroi “Kalivaçi Green Energy” të largohej nga koncensioni i hidrocentralit të Kalivaçit dhe kontrata i kaloi kompanisë “Fusha” shpk në fund të vitit 2017.
Ndërsa prishja e kontratës me kompaninë “Aktor”, e cila po ndërtonte rrugën Tiranë-Elbasan, i hapi rrugën, sipas Partisë Demokratike, përfitimeve nga “Inerte Express”, e ish-të dënuarit për trafik droge, Edmond Bego, mik i deklaruar i Sekretatit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Vetëm në bazë të këtyre dy vendimeve të Arbitrazhit Ndërkombëtar, shteti shqiptar detyrohet të paguajë në total 155 milionë dollarë.
Për qeverinë “Rama”, dështimet nuk janë faji i saj.
Qëndrimi u bë i qartë në një deklaratë publike, të shpërndarë këtë të hënë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila justifikoi dështimin e shtetit shqiptar përballë kompanisë greke “Aktor”.
Institucioni i drejtuar nga Belinda Balluku zgjodhi të mbrohet me argumenta politike, pasi Partia Demokratike në opozitë e konsideroi qeverinë “Rama” si përgjegjëse direkte për faturën 44 milionë dollarë që do t’i paguhet “Aktor” nga taksat e qytetarëve shqiptarë.
Për ministrinë e drejtuar nga Belinda Balluku, përgjegjësia është në radhë të parë e Partisë Demokratike, për kontratën e nënshkruar në vitin 2012.
“Kontrata për ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan është lidhur në vitin 2012, kur në qeveri ishte Partia Demokratike, e cila sot sulmon duke harruar se e nënshkroi këtë kontratë pa studim gjeologjik dhe me dhjetëra ndryshime sipas kërkesave të kontraktorit dhe sigurisht me ndihmën e zyrtarëve të korruptuar, këtë kontrate e ka iniciuar shtrembër që në gjenezë, pikërisht Partia Demokratike”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Infrastrukturës.
Më tej, në qëndrimin zyrtar të Ballukut, përgjegjësia e dështimit në Arbitrazhin Ndërkombëtar është e zyrtarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, partneri politik i qeverisë “Rama” në mandatin 2013-2017.
“Stafetën më pas e morën ministrat e transportit dhe drejtorët e emëruar nga LSI, për t’a bërë përfundimisht këtë kontratë një aferë, në disfavor të pastër për Shtetin Shqiptar”.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, “Abuzimet me kontratat e rrugës Tiranë – Elbasan, u bënë të njohura për publikun në fillim të vitit 2018…”, pasi LSI u largua nga koalicioni dhe qeveria ishte e gjitha në dorë të Partisë Socialiste.
Reagimi i kabintetit “Rama”, nëpërmjet ministres Balluku, krijon përshtypjen se mandatit qeverisës në periudhën 2013-2017 është organizuar në formën e “domeineve”, ku secili partner i koalicionit PS-LSI vepronte në mënyrë të pavarur, brenda kufijve të tij institucionalë.
Në fakt, situata ka qenë shumë më ndryshe dhe kjo e përcaktuar nga mënyra e organizimit dhe funksionit të kabinetit qeveritar. Ndryshimet e kontratave, shoqëruar me situacionet e punimeve dhe faturat përkatëse janë miratuar nga Këshilli i Ministrave, i cili drejtohej nga Edi Rama.
Përfituesit shqiptarë të Arbitrazheve
Shteti shqiptar ka humbur procese në Arbitrazh me vlerë totale 155 milionë dollarë përballë “Aktor” dhe Beketit.
Por, pas këtyre humbjeve, qëndrojnë dy fitues shqiptarë-“Fusha” shpk dhe Edmond Bego.
Në vitin 2015, Qeveria shqiptare vendosi të ndërpresë kontratën koncensionare me “KGE” të Francesko Beketit, për ndërtimin e Hidrocentralit të Kalivaçit.
Beketi
Kabineti “Rama” zgjodhi të bënte një gabim taktik, pasi në ofensivën e saj kundër sipërmarrësit italian, vendosi, ndër të tjera, edhe mbylljen e televizionit “Agon Channel”, në pronësi të Beketit dhe që kishte frymë kritike me qeverinë socialiste.
Pikërisht, mbylljen e televizionit shfrytëzoi Beketi për t’iu drejtuar me një padi Arbitrazhit Ndërkombëtar, ku argumentonte se sulmi ndaj tij ishte politik.
Ndërkohë që qeveria shqiptare dhe Francesko Beketi ishin palë në Arbitrazhin Ndërkombëtar, kabineti “Rama” rishpalli koncensionin për ndërtimin e Kalivaçit.
Kontrata e re u nënshkrua me bashkimin e operatorëve “Ayen Enerji” dhe “Fusha” shpk.
Kompania “Fusha” e biznesmenit Shkëlqim Fusha është një kontraktoret më të mëdha të institicioneve shtetëore për realizimin e punëve publike. Një ndër klientët e saj më të mëdhenj është Bashkia e Tiranës, e drejtuar nga Erion Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës duket se është një prej nxitësve kryesorë për “përzënien” e Francesko Beketit nga Shqipëria.
Televizioni i Beketit raportoi mbi dasmën luksoze të Veliajt, gjë e cila shkaktoi reagimin personal të politikanit të ri, që konsiderohet edhe si pasardhës i Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste.
Një sulm i përqëndruar qeveritar kundër Beketit, i frymëzuar edhe nga hakmarrja personale e Veliajt, e largoi atë përfundimisht nga Shqipëria, duke i hapur rrugë dorëzimit të koncensionit të Kalivaçit në dorë të kompanisë “Fusha”, një ndër fituesit kryesorë të tenderave të Bashkisë së Tiranës.
Inerte Express
Partia Demokratike në opozitë, e cila publikoi e para vendimin e Arbitrazhit Ndërkombëtar për detyrimin e qeverisë “Rama” që të paguajë 44 milionë dollarë në favor të “Aktor”, thotë se prishja e kontratës me kompaninë greke është bërë me qëllim që të përfitojë “Inerte Express” e Edmond Begos.
Biznesmeni i sotëm Bego, një ish-i dënuar për vepra të rënda penale në Itali dhe mik i deklaruar i Taulant Ballës, i ka hedhur poshtë këto akuza.
Në një deklaratë publike, lëshuar këtë fundjavë, kompania “Inerte Express” deklaron se nuk ka nënshkruar asnjë kontratë me institucionet publike për ndërtimin e rrugës “Tiranë-Elbasan”.
Sipas Begos, kompania e tij është nënkontraktuar nga “Aktor” për të furnizuar me inerte dhe beton gjatë kohës së ndërtimit të rrugës.
“…Ne jemi besimplotë se nuk kemi kryer asnjë shkelje ligjore për sa kohë ne kemi qenë në rolin e furnitorit me materialet Inerte dhe beton si çdo subjekt privat tjetër do te bënte…”, shkruhet në reagimin e kompanisë së Begos, i cili duket se ka zgjedhur të përdorë shprehjen “besimplotë”, një term që përdoret gjerësisht nga Edi Rama dhe më tej nga vartësit e tij Elisa Spiropali e Taulant Balla.