Ky dokument detajon rekomandimet tashmë të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në faqen e saj të internetit, pas botimit të një serie studimesh në revistën mjekësore amerikane “Jama” që tregojnë efekasitetin e këtyre medikamenteve.
“Ne rekomandojmë përdorimin sistematik të kortikosteroideve (…) për trajtimin e pacientëve me forma të rënda ose kritike të COVID-19”, shkruan paneli i ekspertëve të mandatuar nga OBSH.
“Nga ana tjetër, ne sugjerojmë mospërdorimin e kortikosteroideve në trajtimin e pacientëve që nuk kanë një formë të rëndë  të COVID-19”, theksojnë ata duke shtuar se kjo nuk vlen për pacientët që tashmë ishin duke marrë këto barna për arsye të tjera përveç COVID-19.
Studimet e botuara në “Jama” konkludojnë një ulje mesatare prej 21% të vdekshmërisë pas 28 ditësh për pacientët e prekur nga forma të rënda të COVID-19.
Kortikosteroidet janë i vetmi trajtim që ka treguar një efekt të rëndësishëm në uljen e vdekshmërisë në pacientët me COVID-19.
Rezultati i parë pozitiv ishte njoftuar më 16 qershor nga studiuesit e provës më të madhe klinike Recovery për një prej këtyre medikamenteve, deksametazoni.
/ATA/