“Strategjia” e Enkelejd Jotit, ish-nxënësit me mesatare 6, që sot drejton QSUT me 60 profesorë dhe në të cilën kanë dhënë kontribut dhjetra akademikë
Nga Boldnews.al
Doktoreshë Silva Bino, eksperte epidimiologe, ka kërkuar nga drejtuesit e Qendrës Spitalore Universitare që të publikojnë on-line protokollet e mjekimit në luftën kundër Covid-19, në mënyrë të njëjtë me të gjithë qendrat shëndetësore në Perëndim.
Por, drejtori i QSUT, Enkelejd Joti, në anashkalim të kësaj kërkese minimale, është angazhuar për të hartuar artifica të reja lidhur me tenderat për pajisjet mjekësore.
“Boldnews.al” ka mësuar se Joti ka sugjeruar një platformë, nëpërmjet të cilës të dorëzojë tenderat publikë për aparaturat mjekësore tek një “kompani menaxhuese”, një projekt i pa hasur në asnjë qendër shëndetësore, jo vetëm në vendet e zhvilluara, por as në ato të ngjashme me Shqipërinë.
Sugjerimet “origjinale”
Dy propozime, të hartuara së fundmi nga drejtori i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), Enkelejd Joti, për një menaxhim “ndryshe” të aparaturave mjekësore të institucionit, ka ngritur dyshimet e ekspertëve të fushës se ai po përgatit një projekt për shmangien e rregullave të prokurimit publik dhe dorëzimin e procedurave të blerjes dhe mirëmbajtjes së pajisjeve në dorë të një kompanie private, “kliente të qeverisë”.
Modeli i propozuar nga Joti duket se është një formë alternative e idesë së tij fillestare për përqëndrimin e mirëmbajtjes së aparaturave mjekësore në një dorë të vetme, të projektuar prej tij që në tenderin të mëparshëm, të anuluar tashmë të Shkurtit 2020, me vlerë rreth 7 milionë euro.
Drejtori i QSUT i ka propozuar së fundmi Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, hartimin dhe zhvillimin e një tenderi për përzgjedhjen e një kompanie menaxhimi, e cila do të realizojë data-base-n e pajisjeve mjekësore në QSUT.
Krijimi i data-bazës duket se orienton përzgjedhjen e “kompanisë menaxhuese” drejt operatorëve privatë të Teknologjisë së Informacionit, të ngjashme në objekt me një shoqëri, e cila ka qenë në pronësi të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe që, sipas opozitës, vijon të menaxhohet në hije prej tij.
Nga ana tjetër, QSUT, nën drejtimin e Jotit, ka planifikuar që të ndryshojë edhe afatin e kontratave të mirëmbajtjes së aparaturave, duke i ndryshuar nga afatgjata, në afat-mesme.
Joti u tërhoq nga idea e tij fillestare për nënshkrimin e kontratave 4-vjeçare me një kompani të vetme, në formën e “Marrëveshjes Kuadër” dhe ka propozuar kontrata 2-vjeçare, të cilat nuk do të hartohen më nga QSUT, por nga “kompania menaxhuese”.
Të dyja këto propozime bashkohen në një pikë- QSUT zgjedh kompaninë “menaxhuese” dhe kjo e fundit do të merret në vijim me të gjithë procedurat e përzgjedhjes së kompanive që do të kryejnë furnizimin dhe mirëmbajtjen e aparaturave mjekësore, duke shmangur përgjegjësinë e Jotit dhe të cilitdo pasardhës të tij në krye të institucionit.
Paratë do të lëvrohen nga buxheti i shtetit, pra nga taksat e mbledhura prej qytetarëve, por do të menaxhohen nga një kompani private.
Natyrisht, kjo e fundit, si një kompani private, ajo nuk do t’u nënshtrohet rregullave të parashikuara në ligjin për “Prokurimet Publike”, por normave të parashikuara në Kodin Civil, për kontrata të thjeshta mes palëve.
Diçka e tillë do të sjell një çoroditje të tregut të aparaturave mjekësore në Shqipëri, por, mbi të gjitha, një tejkalim flagrant të ligjit për prokurimet publike dhe shpenzim të taksave publike nga një kompani private.
Këto propozime krijojnë përshtypjen se QSUT “është dorëzuar” dhe nuk ka aftësinë për të siguruar mirëmbajtjen e aparaturave mjekësore, megjithëse në Qendrën Bio-medikal të saj ka të paktën 6 inxhinjerë të fushës.
Por, e vërteta është shumë më ndryshe.
Ekspertët e fushës, të kontaktuar nga “Boldnews.al”, mendojnë se rasti konkret nuk është një situatë tipike paaftësie në menaxhim. Pasi, nëse do të ishte e tillë, problemi zgjidhet lehtësisht me ndryshimin e drejtuesve menaxherialë të QSUT.
Por, ekspertët e fushës dhe përfaqësues të kompanive të aparaturave mjekësore, janë të bindur se propozimet e drejtorit të QSUT, Enkelejd Joti, janë një manovër për të kanalizuar milionat e eurove që përdoren çdo vit për aparaturat mjekësore, drejt llogarive të kompanive që i konsiderojnë si “kliente të pushtetit”.
Kompani “menaxhuese”
“Boldnews.al” ka mësuar së drejtori i QSUT, Enkelejd Joti, i ka propozuar titullares së tij, Manastirliut, që të hapet një tender për përzgjedhjen e një kompanie të Teknologjisë së Informacionit (IT), e cila, duke filluar nga 1 Janari i vitit 2020, do të krijojë dhe menaxhojë një bazë të dhënash (data base) për aparaturat mjekësore në qendrën më të madhe shëndetësore në vend.
Kërkesa për përzgjedhje të një “kompanie menaxhuese”, që në objekt duket se është e sforcuar, si edhe vendos në pikëpyetje aftësitë e Qendrës Bio-Medikale të Qendrës Spitalore Universitare Tiranë.
QSUT, nëpërmjet qendrës Bio-Medikale, i ka të gjitha mundësitë që të krijojë vetë një bazë të dhënash për aparaturat mjekësore, të cilat gjenden në të gjithë pavionet e saj.
Për më tepër, në këtë fazë, puna e vetme do të jetë azhornimi i listës me aparaturat e reja, të blera së fundmi, pasi baza e të dhënave për pajisjet mjekësore në spitalet shqiptare është hartuar prej kohësh.
Shëndetësia shqiptare ka njohur më herët procese të krijimit të bazës së të dhënave për aparaturat mjekësore në rang kombëtar.
Fillimisht, kompania “Swedish Healthcare” është financuar nga fonde të qeverisë suedeze për të hartuar dhe regjistruar të dhënat mbi pajisjet mjekësore në Shqipëri.
Më pas, një kompani italiane, “Parma”, e financuar nga fondet e Bashkimi Europian, ka azhornuar bazën e të dhënave të aparaturave mjekësore dhe raportet ia ka vënë në dispozicion qeverisë shqiptare.
Të dy këto kompani të huaja nuk kanë pasur aktivitet thjeshtë në Teknologji Informacioni. Ato kanë qenë të specializuara në shërbimin e aparaturave mjekësore.
Gjithashtu, edhe kompanitë private, të cilat kanë furnizuar dhe mirëmbajtur prej vitesh aparaturat mjekësore në QSUT i kanë të gjitha mundësitë të japin informacionin e nevojshëm për krijimin/azhornimin e një baze të dhënash solide.
Pra, zgjidhjet për krijimin e bazës së të dhënave duket se janë shumë të thjeshta.
Por, Joti ka sugjeruar idenë e “kompanie menaxhuese”, e cila, jo domosdoshmërisht, të ketë përvojën në trajtimin e aparaturave mjekësore.
Kontrata 2-vjeçare
Ekspertët e fushës dhe përfaqësues të kompanive shqiptare të autorizuara nga prodhuesit ndërkombëtarë të pajisjeve mjekësore, e lidhin propozimin e Jotit për përzgjedhjen e një “kompanie menaxhuese” me prishjen e rregullave në procedurat për tenderat e mirëmbajtjes së pajisjeve në QSUT.
Për të konkretizuar dyshimet e tyre, ekspertët hedhin vështrimin pak prapa, në Shkurt 2020, kur Qendra Spitalore Universitare Tiranë shpalli tenderin 4-vjeçar për mirëmbajtjen e aparaturave mjekësore.
Siç ka raportuar edhe më herët “Boldnews.al”, QSUT, me firmën e drejtorit Joti, synoi të ndryshonte tërësisht praktikën e ndjekur prej vitesh në tenderat për furnizimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore.
Joti synoi që tenderi të ishte i llojit “Marrëveshje Kuadër”, pra me vetëm një kompani fituese, e cila do të kryente mirëmbajtjen e aparaturave për një afat 4-vjeçar. Ky afat i gjatë u konsiderua edhe si “risi” nga titullari i QSUT.
Por, reagimi i menjëhershëm i operatorëve në tregun e aparaturave mjekësore, si edhe dyshimet publike për procedura korruptive, e detyruan QSUT-në që të tërhiqej përkohësisht nga ai tender multi-milionësh.
Ece-jaket për zhvillimin e tenderit vijuan 6 muaj, ndërkohë që gjendja e aparaturave u përkeqësua, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes.
Për të qetësuar situatën, Joti zgjodhi rrugën e mesme, atë të nënshkrimit të kontratave të përkohshme me kompanitë mirëmbajtjëse, deri në zhvillimin e tenderit të ri.
Kompanitë që nënshkruan kontratat e përkohshme duket se kanë dalë me humbje, pasi atyre u është dashur që, krahas mirëmbajtjes, të kryejnë edhe riparimin e aparaturave që ishin dëmtuar gjatë kohës që QSUT hartoi, shtyu dhe më pas anuloi tenderin e hapur në Shkurt 2020.
Tashmë, aparaturat mjekësore janë në mirëmbajtje, nën kontratat 6-mujore, të cilat janë me afat deri në fund të këtij viti. Më pas, QSUT, si rregull, duhet të hapë tender të ri për mirëmbajtjen.
Por, në Janar 2021, kur pritet të hapet tenderi i ri për mirëmbajtjen e aparaturave mjekësore, QSUT po synon të hapë edhe procedurën për përzgjedhjen e “kompanisë menaxhuese”.
Koincidenca kohore për tenderat e rinj krijon dyshimet e forta se QSUT do të “heqë dorë” nga procedurat për kontratat e reja për mirëmbajtjen e aparaturave dhe ato do t’ia dorëzojë kompanisë private “menaxhuese”.
Ky “plan”, sipas ekspertëve të kontaktuar nga “Boldnews.al”, duket se do të realizohet në dy hapa: fillimisht, procedurat për përzgjedhjen e kompanive të mirëmbajtjes do të bëhen në mënyrë “normale” dhe më tej, kompania “menaxhuese” do të veprojë sipas rregullave që do t’i përcaktojë vetë, pasi të konsolidojë pozitat e saj.
Nën këtë linjë duket se shkon edhe fakti që QSUT u tërhoq nga “risia” e kontratës 4-vjeçare për mirëmbajtjen. Institucioni tashmë e sheh me interes që kontratat të jenë dy-vjeçare.
Të cilat, edhe në këtë mënyrë, duket se do të jenë të parealizueshme në rast se nuk do të zhvillohen më tendera, por do të menaxhohen “kontrata civile” ndërmjet kompanisë menaxhuese dhe operatorëve të ndryshëm.
“Eleminimi” i tenderave
Propozimi “sui generis” i drejtorit të QSUT-së, Enkelejd Joti, për kalimin e kompetencës së mirëmbajtjes së aparaturave tek një kompani private, është në shkelje flagrante të ligjit “Për prokurimin publik” në Republikën e Shqipërisë.
Ligji për Prokurimet ka përcaktuar jo vetëm rregullat, por edhe përgjegjësinë e institucioneve shtetërore në menaxhimin e fondeve publike.
Qendra Spitalore Universitare Tiranë është institucioni më i madh i shërbimi shëndetësor publik në Shqipëri.
Si një entitet publik, QSUT është përgjegjës për menaxhimin me efikasitet të buxhetit që i alokohet nga qeveria shqiptare, përfshirë edhe fondet për mirëmbajtjen e aparaturave mjekësore.
Por, propozimi i drejtorit Enkelejd Joti duket se shkon në të kundër të logjikës ligjore dhe mënyrën se si funksiojnë institucionet publike.
Në rast se merr jetë sugjerimi i Jotit, dhjetra milionë euro të përvitshme, që shkojnë për aparaturat mjekësore, do të menaxhohen nga një kompani private.
Dhe, kjo e fundit, duke mos qenë entitet publik, vendos rregullat e saj, duke përcaktuar formën e përmbajtjen e kontratave, si edhe do të përzgjedhë kompanitë që ajo preferon.
Njohës të mirë të sistemit shëndetësor, ironikisht ngrenë pikëpyetjen retorike; “Përse drejtori Joti nuk jep për menaxhim privat edhe drejtorinë e burimeve njerëzore, por vetëm atë të Bio-Medikalit”?
Profesionistë të fushës kanë edhe një emër kompanie shqiptare, e cila duket se është paracaktuar për të siguruar kontratat në ardhmen nga “kompania menaxhuese”.
Kjo kompani, sipas burimeve të “Boldnews.al”, e cila rezulton se nuk ka instaluar pajisje mjekësore për spitalet publike shqiptare, së fundmi po punëson inxhinjerë të rinj, të sapo dalë nga shkolla, me shumë mundësi për të dëshmuar në një të ardhme të afërt se “ka staf të nevojshëm”.
Ekspertët e fushës shprehen me bindje se kjo kompani ishte paracaktuar për të fituar edhe tenderin 4-vjeçar për mirëmbajtjen e aparaturave, të shpallur në Shkurt 2020, e të anuluar më pas.
“Boldnews.al” nuk arriti të sigurojë konfirmim mbi këto dyshime në mënyrë të pavarur.
Pikëpyetjet mbi aftësitë e Jotit
“Boldnews.al” kërkoi opinion nga ekspertët e pajisjeve mjekësore se cilat mund të jenë arsyet e propozimeve më të fundit të drejtorit të QSUT-së, Enkelejd Joti, për çështjen e aparaturave mjekësore.
Të kontaktuarit nga redaksia bashkoheshin në një pikë-atë ndjejnë aromën e korrupsionit në sugjerimet e Jotit, megjithëse nuk kanë fakte për të provuar dyshimet e tyre.
Megjithatë, ata bashkohen edhe në një pikë tjetër-në dyshimet mbi aftësitë menaxheriale të drejtorit të Qendrës Spitalore Universitare Tiranë.
Mjekë dhe ekspertë të aparaturave mjekësore shtrojnë me habi pyetjen se si Joti arriti të fitojë konkursin për drejtues të QSUT, në një kohë që ai nuk është shquar për arritje të larta akademike.
Njohës të vjetër të Jotit tregojnë se ai ka përfunduar shkollën e mesme teknike (Politeknikumin) në vitin 1987 me mesatare rreth 7.5. Në vitin 1995, pas 7 vitesh, ai përfundoi Fakultetin e Inxhinjerisë Mekanike, me masatare rreth 6.
Joti u shpall fitues i konkursit për drejtor të QSUT, megjithëse përballë tij ishin mjekë me arritje akademike të shkëlqyera dhe specializime në menaxhim, ndër të cilët edhe një ish-zv.ministër i qeverisjes socialiste, E.H.
Por, pavarësisht se konkurentët ishin shumë herë më lart, Komisioni përkatës zgjodhi Jotin për të drejtuar QSUT, i cili vinte nga një keq-menaxhim i televizionit Top Channel.
Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, në kushte anonimati, flasin me bindje se anëtarët e komisionit, të gjithë vartës të Manastirliut, janë thirrur pak orë para shpalljes së kandidatit fitues për drejtor të Qendrës Spitalore Universitare Tiranë.
Madje, ka nga ata që janë të sigurt se ekzistojnë edhe foto të takimit të ministres Manastirliu me anëtarët e Komisionit, pak para shpalljes së rezultateve për drejtorin e ri të QSUT.
Pas këtij “takimi”, Enkelejd Joti u përzgjodh fitues, pavarësisht kundërshtimeve të dy ekspertëve të huaj që ishin pjesë e komisionit.
Pas daljes së rezultateve të konkursit, një prej mjekëve të njohur të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, pjesëmarrës në garë, dha dorëheqjen nga QSUT.
Kolegë të tij thonë se ai u largua për shkak të indinjimit, megjithëse vetë mjeku nuk ka dhënë arsye publike për vendimin e tij, duke vijuar karrierën profesionale jashtë strukturave publike.