Nga Sebastian Rushworth, Spectator
Dua të theksoj që në nisje të këtij shkrimi se të dhënat janë krejt personale dhe bazuar në përvojën time si mjek në dhomën e urgjencave në një prej spitaleve më të mëdhenj në Stokholm, dhe duke jetuar si qytetar në Suedi. Siç e dinë shumë njerëz, Suedia është mbase vendi që ka mbajtur qëndrimin më të relaksuar ndaj pandemisë Covid. Për dallim nga vendet e tjera, Suedia nuk u fut kurrë në izolim të plotë. Bizneset jo-esenciale mbetën të hapura, njerëzit vazhduan të shkojnë nëpër lokale dhe restorante, fëmijët mbetën në shkolla dhe shumë pak njerëz u shqetësuan të mbulojnë fytyrën me maskë në publik.
Covid e goditi Stokholmin si stuhi në mes të marsit. Një ditë shihja në dhomën e urgjencës persona me apendisit dhe gurë në veshka, diçka normale. Të nesërmen të gjithë pacientët ishin zhdukur dhe e vetmja gjë që hynte në spital ishte Covid. Praktikisht, të gjithë ata që u testuan, kishin Covid, pavarësisht nga simptomat. Njerëzit vinin me gjakderdhje në hundë dhe kishin Covid. Vinin me dhimbje në stomak dhe kishin Covid.
Pastaj, pas disa muajsh, të gjithë pacientët Covid u zhdukën. Tani kanë kaluar katër muaj nga fillimi i pandemisë dhe nuk kam parë asnjë pacient të vetëm Covid në më shumë se një muaj. Kur testoj dikë pasi ka kollë ose ethe, testi në mënyrë të pandryshuar del negativ. Në kulmin e tre muajve më parë, njëqind njerëz në ditë vdisnin nga Covid në Suedi, një vend me popullsi prej 10 milion banorë.
Tani janë rreth pesë vetë që vdesin në ditë në gjithë vendin, dhe ky numër vazhdon të ulet. Meqenëse njerëzit zakonisht vdesin tri javë pas infeksionit, kjo sugjeron se askush nuk është duke u infektuar tani. Nëse supozojmë se rreth 0.5 përqind e të infektuarve vdesin (një shifër që mendoj se është shumë bujare, por për këtë më vonë), do të thotë se para tre javësh infektoheshin 1 mijë persona në ditë në të gjithë vendin, që do të thotë se po infektohej një person nga 10 mijë. Dhe mos harroni, rreziku për të vdekur është 1 në 200, nëse vërtet infektoheni. Dhe kjo ishte tre javë më parë. Praktikisht, Covid ka mbaruar në Suedi. Pas katër muajsh.
Në total, Covid ka vrarë nën 6 mijë njerëz në një vend me 10 milionë banorë. Një vend me normë vjetore të vdekjeve prej 100 mijë njerëzish. Kjo e bën Covid pa ndonjë efekt në vdekshmëri.
Kjo është arsyeja se përse është e pakuptimtë të krahasosh Covid me pandemitë e tjera të mëdha, si pandemia e vitit 1918, që vrau dhjetëra miliona njerëz. Covid nuk do u afrohet kurrë atyre numrave. E megjithatë shumë vende kanë mbyllur ekonomitë e tyre, kanë ndaluar fëmijët të shkojnë në shkolla dhe kanë bërë që një pjesë e madhe e popullsisë të mbetet e papunë në mënyrë që të kujdesen për këtë sëmundje.
Media ka shpallur që vetëm një përqindje e vogël e popullatës ka antitrupa, dhe për këtë arsye është e pamundur që të jetë krijuar imuniteti i tufës. Epo, nëse imuniteti i tufës nuk është krijuar, ku janë të sëmurët? Pse ka rënë kaq shpejt shkalla e infeksionit? Duke marrë parasysh që shumica e njerëzve në Suedi po bëjnë jetë normale, duke mos u distancuar dhe duke mos mbajtur maska, duhej të kishte një shkallë të lartë infeksioni.
Arsyeja se përse testojmë për antitrupa është sepse është e lehtë dhe e lirë. Antitrupat në fakt nuk janë mbrojtja kryesore e trupit kundër infeksioneve të virusit. Qelizat-T janë. Por qelizat-T janë më të vështira për t’u matur sesa antitrupat, prandaj nuk e bëjmë këtë në mënyrë klinike. Është e mundur që të keni qeliza-T, të cilat janë specifike për Covid, dhe në këtë mënyrë jeni imun ndaj sëmundjes, pa pasur antitrupa. Personalisht mendoj se kjo ka ndodhur. Të gjithë ata që punojnë në dhomën e urgjencës me mua, kanë bërë testet e antitrupave. Shumë pak kanë në të vërtetë antitrupa. Kjo pavarësisht se ishim të ekspozuar ndaj një numri të madh personash të infektuar, përfshi fillimin e pandemisë kur nuk e dinim sa i përhapur ishte Covid dhe askush nuk mbante pajisje mbrojtëse.
Nuk po e mohoj se Covid është i tmerrshëm për njerëzit që sëmuren vërtet apo për familjet e atyre që kanë vdekur, ashtu siç është e tmerrshme për familjet e njerëzve që vdesin nga kanceri, gripi apo mbidozat e drogës. Por madhësia e reagimit në pjesën më të madhe të botës, pa përfshirë Suedinë, ka qenë tërësisht joproporcionale me përmasën e kërcënimit.
Suedia e kuptoi situatën menjëherë dhe e mori epideminë përsipër dhe mbaroi punë me të në një kohë të shkurtër, ndërsa pjesa tjetër e botës ka zgjedhur rrugën e avashtë. Aktualisht Suedia ka një nga nivelet më të larta të vdekjeve në botë. Por Covid ka mbaruar në Suedi. Njerëzit janë kthyer në normalitet dhe zor se po infektohet kush. Jam i gatshëm të vë bast se vendet që janë mbyllur plotësisht, do të shohin rritje të rasteve kur të hapen. Nëse ky është rasti, atëherë nuk kishte asnjë kuptim mbyllja në radhë të parë, sepse këto vende do përfundojnë me të njëjtin numër viktimash gjithsesi. Mbyllja plotësisht për të ulur numrin e vdekjeve ka kuptim vetëm nëse dëshiron të qëndrosh i mbyllur derisa të gjendet vaksina. Kjo mund të zgjasë me vite. Asnjë vend nuk është gati të presë kaq gjatë.
Covid ka vrarë deri më tani më pak se 6 mijë njerëz në Suedi. Është e pamundur që numri të shkojë mbi 7 mijë. Mesatarisht çdo vit në Suedi vdesin 700 njerëz nga gripi. A do të thotë kjo se Covid është dhjetë herë më i keq se gripi? Jo, për shkak se gripi ka qenë në qarkullim prej shekujsh, kurse Covid është krejt i ri. Në një vit mesatar, shumica e njerëzve kanë imunitet ndaj gripit për shkak se janë infektuar nga një lloj i ngjashëm më parë, ose sepse janë vaksinuar. Pra, është mjaft e mundur që shkalla e vdekshmërisë për Covid është e njëjtë si për gripin, ose vetëm pak më e lartë, dhe se i gjithë ndryshimi që kemi parë është për shkak të mungesës së plotë të imunitetit të popullatës në fillim të kësaj pandemie.
Ky përfundim ka kuptim për numrin e vdekjeve në Suedi- nëse ne kemi arritur në një pikë ku nuk ka më infeksione aktive në vend, përkundrejt faktit se nuk ka distancim shoqëror. Kjo sugjeron se të paktën 50 përqind e popullsisë është infektuar tashmë dhe ka krijuar imunitet, që do të thotë 5 milionë njerëz. Ky numër ëshët krejtësisht i arsyeshëm nëse supozojmë një numër riprodhimi të virusit prej 2: nëse një person infekton dy njerëz brenda pesë ditësh, dhe nëse fillon me një person të infektuar në vend, atëherë do të arrini në pikën ku janë miliona të infektuar në vetëm katër muaj. Nëse janë vetëm 6 mijë viktima nga 5 milion të infektuar, kjo rezulton në një vdekshmëri prej 0.12 përqind, afërsisht e njëjtë me gripin e vjetër të zakonshëm, prej të cilit nuk frikësohet askush dhe për të cilin nuk i mbyllim shoqëritë.