I riu me COVID i jep fund jetës, hidhet nga kati i 3-të i ‘Sanatoriumit’

Një 29-vjeçar i infektuar me COVID dhe i shtruar te “Sanatoriumi”, i ka dhënë fund jetës pasi është hedhur nga kati i tretë i spitalit, konfirmoi policia.

Ngjarja, ka ndodhur orët e para të mëngjesit.

“Rreth orës 04:30 të mëngjesit, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i 3 i një spitali shtetasi XH.K., 29 vjeç, e për pasojë ka ndërruar jetë. Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.

Lidhur me ngjarjen reagoi dhe spitali.

“Stafi i spitalit universitar ‘Shefqet Ndroqi shpreh dhimbjen për humbjen e jetës së 29-vjeçarit me inicialet Xh. K. i cili i dha fund jetës mëngjesin e sotëm dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, thuhet në reagim. I riu i konfirmuar me COVID-19, po trajtohej prej 4 ditësh në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, me terapinë e plotë të mjekimit dhe gjendja e tij ishte e stabilizuar. Lidhur me arsyet që e çuan të riun drejt këtij akti ekstrem, është duke u kryer hetimi nga ana e organeve kompetente. Stafi i spitalit universitar ‘Shefqet Ndroqi’ siguron qytetarët se do të vazhdojë të ofrojë me përkushtim dhe profesionalizëm, shërbim shëndetësor për pacientët që trajtohen në spitalin tonë”, mbyllet njoftimi.

Numri i rasteve aktive me koronavirus në vendin tonë ka arritur në 3057, ndërsa dje Ministria e Shëndetësisë raportoi 3 humbje jete dhe 141 raste të reja, duke e çuar në total në 6817 numrin e të infektuarve që nga nisja e pandemisë. Nga këta, 208 persona kanë ndërruar jetë.

LEXO EDHE  Koronavirusi/ Dy viktima në 24 orët e fundit në Shqipëri