Nga BoldNews.al
Institucioni i Komisionerëve Publikë ka vendosur të mos ankimojë vendimin e konfirmimit në detyrë të gjyqtares së Apelit të Tiranës, Edlira Petri, në atë që përbën një vendimmarrje të rrallë të tyre, për rastet kur subjektet kanë kaluar me shumicë votash nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK).
Deri më tani, Komisionerët Publikë kishin ankimuar 8 nga 11 subjekte të ndryshëm, të cilët nuk kishin marrë konfirmim unanim në shkallën e parë të Vetingut.
Rasti i gjyqtares Edlira Petri, njëkohësisht bashkëshorte e kryetarit në detyrë të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, përbën rastin katërt, kur Komisionerët Publikë vlerësojnë të lejojnë vijimin e pashqetësuar të karrierës së subjekteve, pavarësisht se mbi ta kanë ekzistuar dyshime serioze për shkelje të kritereve të rivlerësimit kalimtar.
“Boldnews.al” ka raportuar më herët për pikëpyetjet në pasurinë e bashkëshortëve Petri-Sadushi, si edhe këmbënguljen për shkarkimin e gjyqtares së Apelit të Tiranës nga ana e komisioneres në pakicë të trupës së KPK-së që kreu rivlerësimin në këtë rast.
Gjithashtu, “Boldnews.al” analizoi më herët edhe faktin që Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk kreu asnjë verifikim mbi pasurinë e Sokol Sadushit, në momentin kur ai kandidoi për një post vakant në Gjykatën e Lartë.
Pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i dha “dritën jeshile” gjyqtares Edlira Petri dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor i dha udhë dëshirës së Sokol Sadushit për në Gjykatën e Lartë, megjithë pikëpyetjet mbi pasurinë e tyre, tashmë edhe institucioni i Komisionerëve Publikë vendosi vulën përfundimtare që bashkëshortët gjyqtarë të vijojnë karrierën e tyre.
Krahas problemeve me pasurinë, Komisionerët Publikë duket se nuk kanë gjetur elementë të nevojshëm për ankimin ndaj Petrit edhe në një denoncim të mbërritur në adresë të tyre, ku ngriheshin pikëpyetje të forta mbi dy nga 3 kriteret e Vetingut, atë të integritetit personal dhe aftësitë profesionale të gjyqtares së Apelit të Tiranës.
Aty analizohen shkeljet e rënda të etikës nga ana e gjyqtares Petrit dhe bashkëshortit të saj për ndërtimin pa leje.
Gjithashtu, denoncimi prek një nga pikat më të dobëta të aktivitetit profesional të gjyqtares Petri-vonesat e tejzgjatura në zbardhjen e vendimeve gjyqësore, të cilat kanë rënduar pozitat e palëve në proces.
Ndërtim pa leje
Gjatë procesit të rivlerësimit për subjektin Edlira Petri, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi se gjyqtarja dhe bashkëshorti i saj kanë shfrytëzuar prej vitesh, për qëllime personale apo për dhënie me qera, një apartament 82 m2, i cili është ndërtuar pa leje dhe më pas është legalizuar.
Për këtë objekt të ndërtuar pa leje, gjyqtarja Petri ka dhënë një sqarim të zgjeruar. Sipas saj, ndërtesa është shtesë kati mbi një godinë 3-katëshe.
Gjyqtarja ka sqaruar se, megjithëse bashkëshorti i saj kishte pronësi një prej apartamenteve poshtë tarracës, pra në katin e fundit, ndërtimi pa leje është kryer nga personi që kishte banesën një kat më poshtë.
Sipas gjyqtares, ky banor (komshi), ka kryer të gjithë investimin me paratë e tij, ka aplikuar për legalizim dhe, në përfundim të procesit, i ka kaluar bashkëshortit të saj pjesën takuese të ndërtimit, rreth 82 m2, duke qenë se ndërtimi pa leje ishte kryer në hapësirën e tarracës ku gjendej banesa e tyre.
Argumentat e dhëna nga gjyqtarja Petri janë pranuar të mirëqena nga trupa e Vetingut, e cila ka analizuar vetëm ligjshmërinë e burimeve financiare për mobilimin e apartamentit shtesë, 82 m2.
KPK, siç konstatohet edhe në denoncimin e mbërritur pranë Komisionerëve Publikë, nuk rezulton të ketë analizuar faktin që subjekti Petrit dhe bashkëshorti i saj, Sokol Sadushi, të dy gjyqtarë, kanë përfituar apartament dhe të ardhura të tjera prej tij (qiradhënia), si pasojë e një procesi të paligjshëm-ndërtim pa leje.
Pavarësisht se për këtë ndërtesë mund të jetë lëshuar më vonë leja e legalizimit, dy janë faktet e pakundërshtueshme në këtë rast:
- Deri në momentin kur është dhënë leja e legalizimit objekti ka qenë një ndërtim i paligjshëm;
- Ndërtimi është bërë nga një subjekt që, në kohën e kryerjes së ndërtimit, ka ushtruar detyrën e gjyqtares.
Të paktën këto dy fakte tregojnë se “Petri ka një mungesë të theksuar integriteti dhe etike, elementë këto që cënojnë rëndë figurën e një gjyqtari”, përmendet në materialin dërguar Komisionerëve Publikë.
Më tej, në analizën ligjore të denoncuesit publik theksohet se “në praktikën e deritanishme të vetë KPK-së si dhe KPA-së, nuk kanë qenë të pakta rastet në të cilat është konstatuar se një subjekt i caktuar nuk mund të konfirmohej në detyrë për shkak të veprimeve të tij të kryera në shkelje të etikës”.
Vonesa në zbardhjen e vendimeve
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka konstatuar se subjekti i rivlerësimit, Edlira Petrit, karakterizohet në punën e saj nga vonesat në zbardhjen e vendimeve.
Subjekti Petri ka argumentuar se kjo situatë ka ardhur si pasojë e ngarkesës së madhe në punë dhe për faktin që ajo ka qenë edhe anëtare e Kolegjit Zgjedhor, gjë e cila i kufizonte kohën për të zbardhur vendimet si gjyqtare në Apelin e Tiranës.
KPK rezulton se i ka pranuar të mirëqena këto argumenta, pavarësisht se nuk duket të jetë thelluar mbi arsyet e vërteta të vonesave në zbardhjen e vendimeve.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka thirrur në seancë dëgjimore një numër të konsiderueshëm të gjyqtarëve të Apelit të Tiranës.
Tek asnjëri prej tyre nuk është konstatuar vonesa të tejzgjatura në zbardhje vendimesh, pavarësisht se ngarkesa e punës së tyre është ndarë në mënyrë thuajse të barabartë.
Nga ana tjetër, justifikimi i gjyqtares Petri për vonesat në vendime, për shkak të pjesëmarrjes në Kolegjin Zgjedhor, është gjithashtu i pabazë.
Ngarkesa e zakonshme e gjyqtarëve që janë pjesë e Kolegjit Zgjedhor, reduktohet me urdhër të kryetarit të gjykatës, ku gjyqtari ushtron detyrën.