Koronavirusi po rikthehet. Si shqetësim publik dhe si çështje e ditës. Pas një qetësie relative të dy muajve të fundit, vende të ndryshme po raportojnë rritje të rasteve apo një dinamikë të re të sëmundjes.
Në Turqi p.sh, një vend që e menaxhoi mirë situatën gjatë muajve kritikë të pranverës që lamë pas, raporton ulje të numrit të hospitalizimeve, por rritje të numrit të rasteve të rënda.
Franca raporton rritje të infeksioneve, Gjermania po ashtu, ndërkohë që Italia duhet parë si rast i veçantë për shkak se krahas Kinës dhe SHBA ishte një ndër kampionet e valës së parë.
Në Greqinë fqinje po flitet për një valë të dytë, në Kosovë dhe Serbi situata paraqitet dramatike.
Në Shqipëri duhet pritur në të vërtetë një ulje e rasteve gjatë 14 ditëshit të dytë të muajit gusht, nëse konsiderojmë se shtimi i rasteve në vendin tonë përkoi me ulje në shtete të tjera.
Nga kjo pikëpamje profili i grafikut të infeksionit nuk ka kohezion nga një vend në tjetrin dhe lëviz me periudhën e inkubacionit.
Më e lidhur duket se paraqitet vdekshmëria në raport me numrin e të infektuarve zyrtarë, e cila është shqetësuese pasi qëndron mbi 2%.
-Greqi 5749 raste 213 vdekje 3.7%
-M. e Veriut 11 965 raste 528 vdekje 4.4%
-Bullgaria 13 512 raste 459 vdekje 3.4%
-Serbia 28 261 raste 646 vdekje 2.3%
-Kosova 10 376 raste 331 vdekje 3,2%
-Bosnja 14 325 raste 402 vdekje 2.8%
-Shqipëria 6536 raste 208 vdekje 3%
-Turqia 241 997 raste 5858 vdekje 2.4%
Sigurisht që kjo ulet ndjeshëm në raport me numrin e përgjithshëm të të sëmurëve mes të cilëve tani figurojnë zyrtarisht edhe ata që quhen si të dyshuar, çka shtron nevojën që të ndryshohet raportimi zyrtar.
Që do të thotë se nëse një person figuron si negative në tampon, por trajtohet me të njëjtin protokoll si të konfirmuarit pozitivë, atëherë këta duhen konsideruar si të prekur nga CoVid-19.
Për Shqipërinë dhe Kosovën duhet veçuar këtu se vdekshmëria është shqetësuese jo vetëm për humbjet e jetëve, por edhe për faktin se kanë moshën më të ulët në rajon.
Në një analizë të kohëve të fundit për vdekjet në Itali, u vu theksi te mosha e lartë në Lombardi, një cilësi kjo që nuk vendos diferencë të madhe si përqindje në vendin tonë.
Po kështu kjo e dhënë hedh poshtë çdo aludim apo hipotezë të hershme mbi sjelljen e virusit dhe rezistencën ndaj tij duke e lidhur këtë me një sërë faktorësh si vaksinimi kundër TBC, apo mosha.
Duket se i vetmi imunitet i provuar ndaj CoVid-19 është prekja më parë nga koronaviruse të tjerë dhe një gjë e tillë duhet të zyrtarizohet për të hedhur poshtë edhe idenë se njeriu është tërësisht i zhveshur përballë këtij virusi të panjohur, por edhe për të ulur panikun që po mblidhet përpara dimrit të ardhshëm.